Ikën pleqtë e fshatit
Një nga një në heshtje
Ranë, e u këputën
Si lastarë vjeshte.
Dhimbja rëndon trarët
Era frymën mbajti,
Vuri kujën porta
U përlot sofati.
Pleqtë e fshatit ikën,
Vanë, po nga vanë?
Gardhet e avllive
Nisin zënë e qajnë.
Mot më mot një diell
Vjen e qëndis zjarre
Te dantellë e zverdhur
Mbetur në dritare.
Ikën pleqtë e fshatit
Ikën e më s’pritën
Zogjtë prenë këngën
Gurët u venitën.
Pleqtë e fshatit ikën,
Në vandak, në heshtje
Malli mbledh kujtimet
Si lastarë vjeshte.






















