Ajo mbrëmje tashmë ishte bërë rutinë, të dy kishin rënë dakort që një herë në javë, ai do t’i dedikohej asaj në shtëpi…do të kalonte mbrëmje në shoqërinë e saj. Dhe për çudinë e tij ajo nuk bëhej xheloze dhe pranonte me dëshirë që ai të rrinte në praninë e saj atë natë, pavarësisht se midis tyre kishte një lloj rivaliteti, nëse mund të thuhet kështu.
Mistere që i përkasin femrave! Jashtë binte shi dhe frynte erë e fortë, dhe atë mbrëmje Beni kishte mbushur një gotë verë dhe po tymoste cigare. Shikonte lëvizjet e saj që shoqëroheshin nga muzika në sfond, dhe si ajo rrotullohej herë majtas, herë djathtas, dhe në momente të shpeshta ndryshonte shpejtësi, duke hyrë në sintoni me muzikën.
Ishte si një kërcim perfekt, me kohë të caktuara, dhe ai aty para saj i ulur, rrinte dhe admironte perfeksionin e kohës së lëvizjes.
Ishte vonë, ai hapi gojën i përgjumur dhe po shikonte orën, por shihte që ajo nuk po ndalonte në atë vallëzim marramendës.
Benit i erdhën ndërmend ato kohë kur fërkoheshin me sapun…eh, sa kohë të bukura…kurse tani jo!
Kur të dilte nga ai vallëzim, dhe nga ajo portë, ishte pak e lagur, por me porfum delikat. Ajo duke ulur shpejtësinë e rrotullimit, ndaloi vallëzimin dhe Beni hapi portën e lavatriçes, mori rrobat e lagura për t’i nderur.
Ishte mesnatë dhe një herë në javë ai i dedikohej me shpirt lavatriçes, prandaj ajo nuk bëhej xheloze.