Në kohën e zgjedhjeve, shtohen njerëzit
që blejnë bileta llotarish!
(Në kioska radha e tyre është e gjatë) ,
Duke fshehur nën vete një shpresë që i grish
me sytë drejt Qiellit , për pak fat.
Në kohën e zgjedhjeve, qyteti im ndërron ngjyrë;
një gri e bezdisshme, që të ndjek në çdo kënd.
Shikon më shumë kurva dhe më shumë batakçinj,
ndërsa plehrat në rrugë, mbajnë një erë më të rëndë
Në kohën e zgjedhjeve, ndesh më shumë njerëz të çmendur!
(Ata deri dje, kanë qenë më të rrallë)
Shtohen të gjallët, që mendojnë se kanë vdekur.
Dhe të vdekurit, që mendojnë se akoma janë gjallë!

Në kohën e zgjedhjeve, shtohen më shumë bastexhinjtë;
Parashikimet për humbësit dhe fitimtarët.
Patronazhistët dinakë , programet, partitë
Vrasësit dhe të vrarët.
Në kohën e zgjedhjeve, shtohen më shumë djajtë, me lëkura prej engjëjsh,
Dhe pse sytë e tmerrshëm në terr i’u shkëlqejnë .
Shtohen të uriturit, që duartrokasin liderët,
Dhe turmat e skllevërve, që ju pëlqen t’i gënjejnë.
Në kohën e zgjedhjeve, shtohen më shumë diejt e shuar;
Të sëmurët pa shërim me fytyrat pa gjak.
Unë kam disa kohë, që bëj një gjumë të trazuar
dhe çdo natë e më shumë, shoh nga një ëndërr më pak.




















