Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Të bekojë, me ujë dafine, si Shën Mari…

Dhe unë do të puth butësisht si mëndafshi,
jam e sigurt, se s’do më thuash:Je e marrë !
Poshtë gushës, ku shpërthen petalet afshi,
do mbjell filiza puthjesh, me rrënjë në gjak.

Dhe do lë pas ndrojtjen, të gjej një shteg,
edhe sikur, ai i uruar, të më çojë në ferr,
se pas çdo puthje, shpirti yt më mbështjell,
me mijëra diej të ngrohtë, që vetëm ti i ke.

NOA

Jeta s’është e shkurtër për të thënë,të dua,
as shumë e gjatë,për të mos falur dashuri,
pëshpëritmë si era dhe dorëzohu tek mua,
të bekojë, me ujë dafine, si Shën Mari…

KURRË, MOS MË THUAJ NESËR!

Kurrë,mos më thuaj,do të puth nesër,
ndoshta nesër,as unë më s’do të jem,
nesër ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash që krakëllijnë me ujem!

Kurrë,mos thuaj,do të vë zemrën nesër,
kur sot më ke pranë,djegur nga malli!
Ndoshta nesër,dëshira zgjohet e verbër,
duke thërrmuar çdo ndjenjë kristali.

Kurrë ,mos më thuaj ,do të puth nesër,
kur agut të shkreptijë rrezja e parë!
Ndoshta dielli nesër,dergjet ndër shtretër,
piskama dhimbjesh rrëzon nga lart.

Kurrë,mos thuaj,do të mbaj gjirit nesër!
Kur dua të fle e të zgjohem mbi të,
natyrshëm të vdes e të rilind grua tjetër,
ndaj fjalën nesër, s’dua ta dëgjoj më!

Kurrë,mos më thuaj,do të puth nesër,
ndoshta nesër,as unë më s’do të jem,
nesër; ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash që krakëllijnë me ujem!