Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Alimehmeti : E qeshura

260
Sigal

E QESHURA

 

Të hutuar mbetëm

Si dy fëmijë

Zënë për hiçmosgjë.

Paskësaj

Sa gjatë u pamë në sy!

Dhe befas

Njëherash

Ia dhamë të qeshurës.

Hiçmosgjëja

Ishte veshur

Me absurditetin e gjithçkaje.

Për të cilat

Ia vlente të qeshnim

Madje mirë

Se sa të vuanim

Sidomos

Ca më tepër.

Gjetëm veten

Te kjo e qeshur.

 

KURDOHERË UNË

 

Shqetësimin tënd

Sinqerisht

Mjaftueshëm e ndjej.

Por në këtë çast

Përpara meje ngrihet pyetja:

Nga që ti ke nevojë

Për gjithçka

Çfarë duhet dhe çfarë mund

Të bëj unë?

Aq më shumë

Forcohet kjo pyetje

Kur mendoj se askush

Nuk ka absolutisht të drejtë

Të shkojë

Te gruaja të cilën e ka braktisur

Në kohën më të nxehtë

Të dashurisë me të.

Aq më tepër kur tashmë

Të dy e dimë

Që mes nesh

Ende asgjë nuk ka mbaruar.

Dhe ti e ke mëse të qartë,

Që edhe pse mund të bësh dashuri

Me kë të duash

Në brendësi të shpirtit tënd

Jam kurdoherë unë.