Për mua popullin, ju, o djem çlirimtarë,
Jeni gjaku im në damarë…
Ku ta dija unë i varfëri, ku ta dija,
që ju, kërthinjtë e mi, djem e bija,
do mund të më shkundit prej pikëllimit,
kur jetën ma kishte zënë bryma.
Dhe kur nën qiellin-helmetë të pushtimit
po më zihej fryma…

Nuk e fsheh,
në fillim bluaja hollë:
“A do me nxjerrin vërtet këta të rinj nga halli,
se më kanë prirë të tjerë.
më të kamur e më me shkollë,
dhe më kanë lënë të përpëlitem si peshk zalli…”
Po kur iu pashe ju, o djem e vajza si nure,
që këmishat sterrë të zeza të fashizmit
i qëndisnit me kobure!
Atëherë me krahë u ndjeva !
Nën rrogoz e nën gjuhë ju fsheva. Ju kërreja nga deriçkat pas shtëpive,
Tek rrugicat që ju i feksnit me dritë Lirie !
Ajo dritë ma ngrohu gjakun në deje.
Zemra m’u ndez prush beteje…
Me atë prush unë populli u ngrita në këmbë,
më i rëndë se toka e rëndë!
Me i lartë se malet viganë.
I ngjesha kënget e përgjakura në gjoks si gjerdanë.
Nëpër çeta, batalione e korparmata,
vura emrat e trimave dhe heroinave të lashta.
Dhe ata erdhën të gjallë… mbinë nga dheu:
Teuta, Bato, Skënderbeu…
Gjithë burrat e Kuvendit të Lezhës pallëzhveshur.
Gjithë trimat e Lidhjes se Prizrenit armëngjeshur.
Gjithë Rilindasit e penës dhe të pushkës.
Gjithë delegatët e Kongresit të Lushnjës.
Gjithë Selam Musatë e Epopesë së Vlorës.
Të gjithë, bashkë, o djem, prutë Ditën e madhe të Fitores !
Oh ! Në atë ditë Lirie ngazëllimi më përtëriu !
Në qiell m’u shfaq një hark i madh ylberi: ‘‘’
Pushtuesit e tradhtarët i ndau në anën e shiut.
Mua popullit më dha anën e Diellit !
Andaj, për mua, ju, o djem çlirimtarë,
jeni e mbeteni gjaku im në damarë…





















