PËRVJETORI I 20-të/ Në 15 vite bashkëpunim, e ndjej detyrim moral e profesional ti shkruaj këto rradhë
Agron KAJA
Gazeta “Telegraf” i mbijetoi trysnisë së tregut mediatik edhe kur shtypi i printuar u kufizua, jo vetëm nga Pandemia Covid 19, por edhe nga faktorë të tjerë menaxhues e financiarë, të cilat drejtuesit dhe botuesit e kësaj gazete i kaluan me profesionalizëm dhe me kulturë
Është një traditë e bukur që në përvjetorë të veçantë të bëhen publike mbresa e kujtime, të cilat e sjellin më afër në kujtesën e gjithkujt atë që duhet vlerësuar, qoftë edhe me disa rradhë modeste. Kështu ndodh në këtë 20 vjetor të krijimit të gazetës “Telegraf”, me të cilën e kam nisur bashkëpunimin si gazetar sporti që nga muaji nëntor 2010 e deri më sot. Janë 15 vite të bukura dhe jo të vështira, sepse ishte dhe është një gazetë konkurrente dinjitoze në tregun mediatik shqiptar, ku sporti merr një hapësirë të konsiderueshme ditore, jo vetëm me lajmin, por edhe me kronikën, analizën, komentin, portretet dhe intervista për personalitete sportive shqiptare.

Në karrierën time 43 vjeçare në median sportive në Shqipëri, në gazetën “Telegraf” jam ndjerrë si në shtëpinë time, kështu vazhdon edhe sot, ndërsa nëpërmjet saj jetoj me gjithçka që ndodh në hapësirën sportive në gjithë planetin tonë. Edhe pse unë vija nga një karrierë mediatike radio-televizive kombëtare, si korrespondent e më pas drejtues në disa media sportive kombëtare në Shqipëri, e them me respekt se tek gazeta “Telegraf” gjeta profesionalizmin dhe respektin për punën. Nuk po tregohem emocional teksa po shkruaj këto rradhë, madje e di se edhe mund të harroj ndonjë detaj, por nuk e humbas atë që e ndjej ta them: Në këtë 20 vjetor, u rrita dhe u thinja te kjo gazetë, hapësirë në të cilën futbolli ishte sporti kryesor, por edhe shumë sportet shqiparë e ndërkombëtarë, natyrisht edhe me sportin e bukur të Notit në veçanti. Sepse si President i Federatës Shqiptare të Notit, Zoti Agim Çiraku e ka afruar këtë sport më shumë se asnjëherë tek të gjitha kategoritë e moshat, dhe nëpërmjet gazetës “Telegraf” ky sport ka hyrë në tregun mediatik në gjithë ritmikën e tij vit pas viti. Edhe Kombëtarja shqiptare është “strehuar” në rreshtat e fotot e gazetës “Telegraf” kudo ku ajo ka luajtur, është përgatitur dhe ka arritur rezultatet e saj. “Telegraf-kuq e zi” është trajtuar në çdo sfidë të Kombëtares, dhe këtu me personalitet që kanë shkruar historinë kuqezi, ku emocionet e mendimet e tyre e kanë pasuruar faqen sportive.

Gazeta “Telegraf” i mbijetoi trysnisë së tregut, edhe kur shtypi i printuar u kufizua, jo vetëm nga Pandemia Covid 19, por edhe nga faktorë të tjerë menaxhues e financiarë, të cilat drejtuesit dhe botuesit e kësaj gazete i kaluan me profesionalizëm dhe kulturë qytetare. Ndaj e quaj: Gazeta “Telegraf”, në 20 vite porta e lajmit sportiv. Madje edhe në këtë 20 vjetor, kjo gazetë është një nga më të vjetrat në tregun mediatik, pse jo edhe më të dashurat për lexuesit, ku pjesa më e madhe e tyre e gjejnë veten edhe tek faqet sportive.

Në fund edhe disa rradhë respekti. Ndoshta edhe mund të mos ti shkruaja, por nuk mund ta fyej veten pa këto rradhë. Drejtorin e gazetës “Telegraf”, Ëngjëll Musai e meriton ta përkufizoj: Personalitet i medias shqiptare, drejtues profesionist, shok dhe mik. Këtë rrugëtim do t’ia urroja sa kohë të jetë mbi këtë tokë, në gazetën “Telegraf” dhe në televizionin që ka në administrim, ku edhe këtu hapësira sportive të jetë “binjake” me atë të gazetës “Telegraf”.
Uroj që gazeta “Telegraf” të përjetojë sa më shumë përvjetorë të tillë.




















