Ditën që u vendos në Kukës busti i martirit, Havzi Nelaj
Mëngjesi vjen në
Kukës
Me një diell që nuk di ç’të bëjë:
Të qeshë apo të qajë?!
Mëngjesi vjen në Kukës
Me një Drin epik
që ende s’e di, në është i bardhë apo i zi?!
Mëngjesi vjen në
Kukës
Dhe kurrë s’e mori vesh,
përse është më i pikëlluar se Pikëllima.
Mëngjesi vjen në
Kukës
Dhe qyteti kurrë nuk e kuptoi që,
s’është qytet i vjetër apo qytet i ri.
Mëngjesi vjen në
Kukës,
me dy lumenj që lidhen si një nyje
dhe kurrë s’e morën vesh
a janë një fjongo delikate në kokën e një vajze
apo janë një fjongo e zezë për një kurorë funerali.
Mëngjesi vjen në
Kukës
mes Gjallicës, Pikëllimës dhe Kortnikut si në një trekëndësh gjigant
lëkundet trupi i varur i Havzi Nelës.
Kokën në qiell, këmbët
në tokë
dhe askush s’e di
kujt i flet më shumë qiellit apo tokës.
Dielli lind në Kukës
me fytyrën e Havzi Nelës,
trupi i tij varur në trekëndëshin e tre maleve,
kurmi i tij shtrënguar në nyjën e dy lumenjve,
një lajmës i përjetshëm midis qiellit dhe tokës.
Herë i jep tokës
sinjale me këmbë,
herë mesazhe i kumton qiellit me dy duart e ngritura lart.
Mëngjesi vjen në Kukës me Havzi Nelën,
ndërmjetës midis qiellit dhe tokës.
Qershor, 2018
