Suplementi Pena Shqiptare/ Bajame Hoxha – Çeliku: Sa herë kam qarë

212
Sigal

Më kujtohet që kam qarë e do të qani të gjithë nëse do t’ju rrëfeja të gjitha të këqijat e jetës sime prej një të dënuare qysh fëmijë. Shpesh vrapova duke ulëritur nëpër rrugët e tërthorta të kampeve për t’i dhënë nënës sime ndonjë lajm të keq. E kam fjalën për atje ku jetët ishin shpërdorimi dhe dhunimi më i madh. Por, falë Zotit dhe këmbënguljes sime libri ka qenë shpërthim i zemrës sime gjatë lëndimeve, i shumë zemrave, që filluan të rrahurat e para të rrethuara në tela me ferra nën bajonetat e sigurimit. Fillova të luaja me shoqe dhe shokë fëmijërie në një oborr të rrethuar në tela me ferra. Fillova të kuptoja dashurinë e nënës e rrethuar në tela me ferra. Fillova të rritem e ndjeja se zemra e nënës sime, e shumë e shumë nënave, goditeshin përditë e përnatë nga ferrat e telave të inkuizicionit barbar e vrastar komunist. Kur shkonim për të fjetur, nëna na tregonte përralla, por unë i përfytyroja se edhe ato ishin të rrethuara me tela me gjemba… Kur zgjohesha në mëngjes nga dritarja e barakës shikoja rreth e rrotull vetëm tela me gjemba dhe ndonjë polic të armatosur me automatik në dorë, që ruante telat me gjemba. Kjo ishte bota ime fëmijërore, që porsa fillova të kuptoja, kuptova se truri i nënës sime therej nga ferrat e telave e apeleve të gjata të pashpresë. Edhe rruga nga shkonte në punë ishte plot ferra dhe e rrethuar me tela me ferra. Bota e jonë e të gjithë atyre vajzave dhe djemve të Shqipërisë “socialiste” ishte mbërthyer për trurin dhe vetëdijen e tyre vetëm ndër tela me gjemba, ku policët ua ruanin eprorëve gjakësor ata tela me armë. Kjo ishte Liria! Kjo ishte Shqipëria gjoja e lirë e socialiste! Kjo ishte jeta e “lumtur” e rrënuar  e rinisë sonë, që rritej ndër kampet e shfarosjes së internimit dhe plakej pa e ditur se “Pse?” E bashkë me ata tela me ferra që ua thernin shpirtin pa ndalim, në zemrat e tyre të plagosura mblidhej vajtimi çdo ditë dhe buçiste loti shpirtit nga ajo jetë plot vuajtje dhe mjerim të tejskajshëm. Pastaj, shpërthente një ofshamë plot shpresë, ishte një frymëmarrje e thellë që ua zgjaste jetën, ishte një ngrohtësi që i shkrinte si mos të ishin asnjëherë ato pranga socialiste, ato tela me ferra që zhdukeshin si mos të ishin, dhe rilindte jeta me shpresën për një ëndërr që nuk fshihej kurrë më nga kujtesa, ishte po ajo dashuri e përjetshme dhe e paharrueshme e rrethuar me trëndafila e lule të njoma dhe të bukura, ishte po ajo dashuri e paprekshme për të cilën kam shkruar! Unë jam autorja e shumë librave që ju merrni në duar, me kujdesin më të madh rreshtoj kujtimet e një jete që nuk fshihet kurrë nga kujtesa ime dhe e atyre që provuan së gjalli ferrin Dantesk. Unë tregoj si lindi dashuria ime, tregoj sesi dashurova një djalë deri në vet sakrifikim dhe, si ruhet në zemër gjithnjë edhe sot, dashuria e pastër hyjnore, që nuk vyshket asnjëherë dhe ndër zemrat prindërore! Aty ku lindi dashuria mes mizorisë, u ndez një qiri drite dhe shpërtheu një shpresë e pavdekshme duke u kapur fort pas jetës. Unë autorja e prozës dhe e poezisë kam shkruar për filizat e para të dashurisë sime, të dashurive të mëdha nëpërmjet poezive, romaneve aq sa të bukura e domethënëse, aq edhe të ruajtura në kujtesën dhe në zemrën time plot ndjenja e freski. Gjatë leximit edhe ju mos i harroni asnjëherë, sepse unë nuk harroj therjet e jetës nga telat me gjemba të nënës sime e të gjitha nënave, e të gjithë moshatarëve të mi që vuajtën një lloj me mua, atje te ferri ku shumica u shuan përgjithmonë. Unë kam shpërthyer si gonxhe trëndafili dhe shpërndaj anembanë botës petalet e atyre luleve plot aromë ndër të gjitha skajet më të panjohura të globit, sepse, dashuria ime shkatërroi përgjithmonë rrethimin barbar të dorës kriminale dhe terroriste të armëve vdekjeprurëse të robërisë komuniste, të asaj që jo vetëm në Shqipëri, po as ndër vendet më të kulturuara të Evropës moderne nuk e njohin!  E gjithçka nga bota ime femërore dhe artistike mbyllet me optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e familjes shqiptare në një Shqipëri të Lirë, dhe kurrë më  “me tela me ferra”! Unë besoj se kurrë më! Pena ime është e do të mbetet përherë një testament në shërbim të atdheut tim, të popujve dhe të Lirisë në mbarë botën!