Suplementi Pena Shqiptare/ Artan Fuga: Njeriu fëmijë

269
Sigal

Shtëpia Botuese PAPIRUS që boton librat e mi për një dekadë, më njofton se dorëshkrimi i librit tim NJERIU FËMIJE (Teknikat e propagandës autoritare) ka shkuar për faqosje!

Ndërkohë po punohet edhe për kopertinën.

Në tetor libri del në librari.

Ju e kuptoni tanimë se përse nuk e botova para zgjedhjeve të 25 prillit. Sepse ngjarjet e vërteta u zbuluan pas zgjedhjeve! Sigurisht që unë e dija.

Po botoj për ju tekstin e faqes së kopertinës. Mbase ju ngjall interes për librin!

Rilindja kombëtare e shekullit të XIX mbetet një epokë e artë në historinë tonë. Por, koha historike është e paparashikueshme në rezultatet që sjell.

Rilindasit hyjnizonin kombin si “familja” jonë e madhe, shpallnin Skënderbeun “stërgjyshin” tonë totemik, shqiptarët si “stërnipa” të tij, i këndonin himne « nënës » Shqipëri.

Në shekullin e XX, këto metafora utopike, shumë frymëzuese më parë, prodhuan devijimet e tyre. Propagandat e grupeve sunduese në pushtet i kanë përdorur ato për të infantilizuar shqiptarët.

Përpara « Nënës » Shqipëri, Atit – « komb », pushtetarit « Prijës » dhe « at » i « vëllezërve « , pra i gjithë shqiptarëve të konsideruar « bij » të tij, individi mbetet simbolikisht si fëmijë i parritur, pa fuqinë shpirtërore autonome për të marrë iniciativa, nuk e përballon dot jetën si i rritur. Nuk merr përgjegjësi politike! Nuk thotë dot : “Jo!”. Pranon çdo “Mos!”

Propaganda autoritare nuk e lë individin të marrë në dorë fatin e vet. E bën atë ta kërkojë si ajri autoritetin sundues, ndryshe humbet toruan. Ai mbetet në kërkim të “babait” dhe të “nënës”. Pret urdhra, kërkon të mësohet, squllet, struket, emocionohet nga histeritë që shkakton pushteti, jo rrallë edhe qan para tij dhe për të!

Pret prijësin!

Ky libër analizon këtë aspekt të formimit psikologjik të individit që ka rrënjosur propaganda, edukata, shkolla dhe kultura paternaliste.

Pse qytetari i rritur sillet politikisht si fëmijë ?