Ndaj të gdhirë e pranoi vdekjen!
Kishte kohë që vërtitej lugat.
Nga ankthi ai kurrë s’përpëlitej,
ndaj ndihej gjithmonë më me fat.
E priste vdekjen i lodhur.
Ajo me saze asnjëherë nuk vjen,
të merr fuqi e të zbardh atë faqe,
dhe asnjëherë s’të gënjen.
Eh ç’mund të priste tjetër nga vdekja?!
Ai ktheu vështrimin nga ora në mur.
Në cep të buzës buzëqeshi pak lehtë,
pastaj seç i ndriti një nur.
Një melodi ëngjëjsh i afrohej ngadalë,
nën zë e me shpirt po këndonte.
Ç’lëndina po shihte me sy ai vallë,
dritës ku shkonte?!
Dua të ulërij
Ndonjëherë dua të ulërij
ato që shpirti zien përbrenda,
si një llavë e nxehtë që del vullkanit
t’ua thosha siç m’a donte ënda.
Le te shkonte zëri deri tek Zoti
e për asgjë mos çaja kokë;
as për ata që janë mbi frona;
as për ata që janë në gropë.
Po kush të lë të flasësh sot?
Turren si ujqër në pjesë të të ndajnë!
Kështu ka qënë jetë e mot;
as mishin ta ruajnë as kockën ta mbajnë.
E në surrat ti pështyja pa frikë
ata që na përdhosin përditë.
Janë kthyer të gjithë në të pacipë,
e na rrjepin çik e nga çik.