Suplementi Pena Shqiptare/ Arjana Fetahu Gaba: Sytë e gruas

56
Sigal

Sytë e gruas,

momenti kur fillon ylberi të marrë trajtën harkore,

momenti që nis frymëmarrja e thellë e të mbush me jetë.

 

Sytë e gruas,

momenti kur dëshpërimi vdes botën e saj nga pafuqia,

e s’nxjerr më zë.

Momenti ku rrezet depërtojnë e mposhtin retë gri, duke ngrohur me puthje.

 

Sytë e gruas,

pasqyra më e pastër në momentin kur i sheh i zhvirgjëruar nga djallëzia jote mashkullore.

 

Janë lumenj dashurish ku engjëjt lajnë sytë.

Jepu kohë të të njohin dhe ty!

 

 

 

 

 

Kuptoje atë vajzë…

 

Kuptoje thellë në sy atë vajzë, Ndoshta mijëra puthje në lëkurë ajo mban!

Në shpirt të saj ka po aq trishtime,

sa i ngjan një oqeani kur qan.

 

Një oqeani kur sillet cikloni,

ku dhe thellësinë ja ngre përpjetë,

ndaj kurrë mos e pyesni për rrugën,

nga e shpunë përrenjtë.

 

Mos u bë naiv të prekësh buzët e saj!

Ajo dëshpërimet di t‘i fsheh fare mirë,

dhe dielli s’do guxonte se zihet në faj,

ndaj ti s’mund t’ja shkelësh kufinjtë.

 

Kuptoje atë vajzë…

 

Kuptoje thellë në sy atë vajzë! Ndoshta mijëra puthje në lëkurë ajo mban,

Në shpirt të saj ka po aq trishtime,

sa i ngjan një oqeani kur qan.

 

Një oqeani kur sillet cikloni,

ku dhe thellësinë ja ngre përpjetë,

ndaj kurrë mos e pyesni për rrugën,

nga e shpunë përrenjtë.

 

 

Ke ende kohë të bëhesh burrë

 

Nuk jam si ti dhe nuk kam droje;

mos e dhëntë zoti të gënjej.

Jam si vetë zoti që krijoi

me Shën Mërinë pak shëmbëllej.

 

Me ngec në fyt kur paturpësisht

ti shkel me këmbë një fukara!

Kur të vij koha e gjykimit

gjynahe shumë ke me la.

 

Si qen një ditë ke për të lehur,

si krimb të zi kanë për të vrarë.

Me këtë botë  krejt papandehur

hesapet keq ke për t’i larë.

 

Ke ende kohë të bëhesh burrë

të kesh një emër për së paku,

paratë s’të bëjnë të pasur kurrë!

Zoti s’vonon të të japi hakun.

 

Një klithmë fëmije është e shenjtë,

aq sa dhe loti i një lypsari…

Një ditë fati siç të hypi

të zbret sërishmi nga gomari.

 

 

 

 

 

Ti më eja, si vjen reja

 

Ti më eja si vjen reja,

ashtu kur se shtyjnë stuhitë,

sepse dua të butën gushë,

që më ndrin përmbi stolitë.

 

Ti më eja, mos më çmënd,

sikur malet jam i rëndë.

Çele vetullën mos e ngrys,

se shpirtin ma kthen përmbys.

 

E nuk marr dot frymë e mbytem,

nëpër puset ku s’kanë ujë,

Mbidhmi mënd që m‘i degdise,

udhëve moj, kam bërë rrëmujë.

 

Se kam mall që ta rrefej,

ndizet gjaku si përrenj.

Për dy sytë,

qerpik mëdhenj.

që më shuajnë e më shpojnë,

sikur shigjetë!

Vramë më mirë,

se pragut tim,

nuk ka më jetë.

 

Vramë moj,

kam humbur sytë,

e s’jam më.

Pa më thuaj,

a sheh i vdekuri,

kur s’është asgjë?

 

Eh,

ashtu jam unë pa ty:

Vemë pak dritë me buzën tënde,

të kem sy.

 

Nëm pak shpirt,

me dorën tënde,

që të kthej gjallë,

Fry pak frymë,

në prushin tim,

e ndiz ca zjarr…