Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Ta kujtojmë me nderim poetin dhe njeriun Izet Shehu

379
Sigal

 

In memoriam

Janë të shumtë poetët që janë larguar fizikisht nga kjo jetë. Them fizikisht, pasi ata janë mes nesh të gjallë në vargjet e tyre, në librat që na kanë lënë. E kush e mendon të vdekur, Lasgushin, Ali Asllanin, Jorgo Bllacin, Dhori Qiriazin, Dritëronë, Frederik Reshpen, Bilal Xhaferrin, Pirro Kuqin, Halil Lazen, Ndoc Gjetjen, Zyhdi Moravën, Lirim Dedën, Kujtim Halilin, Agim Pepën, Hysni Milloshin, Ali Podrimen, Milianov Kallupin, Betim Muçon, Faslli Halitin, Pano Taçin, Lefter Çipën, Moikomin (pa folur për ata që i varën apo pushkatuan) etj., dhe mikun tim Izet Shehu për të cilin u nxita të shkruaj këto radhë, sapo mora sërish ndër duar librin e tij “Troku i fatit të verbër”. Duke qenë i verbër, troku i fatit të tij qe i shkurtër dhe nuk e shpuri larg. Ai, mbylli sytë kur ishte në kulmin e mundësive për të na dhënë të tjera perla të bukura. Nga ato që i shijojmë të botuara herë pas here te rubrika dinjitoze “Pena shqiptare” e gazetës serioze “Telegraf”. Dihet, se ai që jeton në errësirë e do më shumë dritën. Dhe për pasojë, Izeti që kishte vuajtur trillet e fatit e donte aq shumë jetën: “Jetë, o jetë, / sa të kam dashur, / Dhe sa dhembje më ke dhënë! / S`më ke pritur duar hapur, / Po me grushta më ke rënë”. Kishte vuajtur dhe qe përbuzur nga sistemi, por asnjëherë nuk fliste për to. Ishte i qetë dhe mjaft i përmbajtur. Qe zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por asnjëherë nuk mbahej me të madh. Ishte i thjeshtë, për të mos thënë, më i thjeshti. Sa herë shkoja në Tiranë, takohesha me të dhe bisedonim si dy miq të vjetër, sido që nuk kishte shumë që me të, më kishte njohur im vëlla, Spartaku. Asnjëherë nuk e dëgjova ta vërtiste bisedën te krijimtaria e tij. Më shumë të linte përshtypjen se veten e quante amator në letërsi. Por jo, ishte i thellë dhe mjaft i kulturuar. Më shumë donte të evidentonte edukatën, sesa kulturën e tij. Por nuk ishte e vështirë të kuptoja se ishte tërësisht i kompletuar. Sidomos kjo dukej kur shkonim dhe takonim atje te ai klubi në krah të Presidencës, profesorin dhe mikun tim të çmuar, eruditin Alfred Uçi. Ata njiheshin qysh më parë mes tyre. Bisedonin shtruar, pa u ankuar për asgjë dhe për askënd. U shmangeshin problemeve politike. Vëmendja e tyre përqendrohej te kultura. Ky qe edhe preokupimi i tij gjatë debateve parlamentare. Askush nuk e pa të ngrinte zërin, të fyente, të shante a të krijonte sherre. Shkruante: “Fjalët e egra, / Janë si benzinë / Një shkrepse duan / Dhe djegin njerëzinë”. Ishte poet dhe shpirti i tij e shihte botën tjetërsoj. Për të nuk kishte armiq, por njerëz të lirë që e jetonin jetën me konceptimet dhe idetë e tyre. Madje pikërisht këtu, ai shihte dhe bukurinë e saj. Logomahia, pra lufta me fjalë qe e huaj për të. Shprehej se po merrej me poezi pak si vonë, pasi ashtu i kishte vajtur filli: “E di / Jam i vonuar / I pikëlluar pik` e vrerë / Me vite i mohuar”. Por pavarësisht asaj ç`i kishin punuar familjarisht, ai gjithmonë i kishte dashur njerëzit: “E kalova dhe stuhinë / Nis gjallohem përsëri / Kush s`më deshi / Ta dijë mirë: / Gjer në fund mbeta njeri”. Natyrisht që ishte i ndjeshëm, por këtë ndjeshmëri, kishte aftësinë ta kthente në forcë; ndjente keqardhje edhe për të liqtë. E dinte se bota kishte qenë përherë e pabesë, por nuk i zemërohej asaj: “Ndaj qëndroj mënjanë e hesht”. Mënjanë ai i qëndroi edhe vesit që urryer që po lindte midis kastës së politikanëve, babëzisë: “Dhe s`kam lënguar nga zilia, / As dhe nga etja për fitim, / Besnik i rri ëndrrave të mia, / Në gjunjë i ulem fatit tim”. Me fjalën e tij të mençur e të urtë, dhe sidomos me shembullin e tij, ai e luftonte trimërisht të keqen. Ndaj shprehej se: “…jemi të vdekshëm, / Jemi mysafirë, / Duke qarë erdhëm, / Ikim krejt të ngrirë”. Poeti kur shkruan poezi, nuk u bije trumpetave të luftës. Ai, duke i kënduar të bukurës, etikes, të ndershmes, madje edhe magjisë së natyrës e ka bërë dhe e ka fituar luftën e tij. Dhe patjetër që në krijimtarinë e cilitdo poet do zërë vendin e vet, dashuria për vajzën, qoftë ajo dhe e përfytyruar. Romakët e vjetër kishin një shprehje: “Turpe senilis amor” që do të thotë “Dashuria në pleqëri është një gjë e turpshme”. Por ai edhe pse e konsideronte veten Anakreont të paplakur kurrë, edhe pse aso kohe ishte ende i ri, nuk e kishte fjalën për përvoja vetjake. Ai, i thurte himne më të bukurës gjë që natyra i ka dhënë njeriut, rregullatorit hyjnor të harmonisë së përgjithshme, frymëzueses të çdo shpirti për vepra të mëdha: “Atëhere shpirti im i ndezur / Më ndrit si qiri / Më del në dritë çdo gjë e fshehur / Çdo gjë që mbaj në gji. / Dhe vjen një frymë shenjtërie / Më zbut e më bën rob / Më humb në dritë vjershërie / Dhe fluturoj si zog”. Dhe për ta bërë sa më të besueshme këtë, ai nëpërmjet një anafore (dhe të tilla ai përdor shpesh), vajzës me sytë ngjyrë manushaqe, me vetullat si hën` e ngrënë, me purpur ndezur mbi faqe, që s`dihet nga ç`yllnajë kanë rënë, i deklaron se për ty: “Bëhem si fllad dhe të puth buzët / Bëhem si rreze e të ndrij ballin, / Bëhem si shpuzë e të ngroh gjinë, / Bëhem ndjenjë e të ndez mallin”. Por kur vetë atë e përvëlon ky mall, atëherë prehjen e gjen te kënga. Dhe ajo kënga e poetit, është prehje edhe për lexuesit, për të gjithë ata që po të perifrazojmë Nikola Aleksejeviç Nekrasovin, atë që gjithashtu jetoi pak, vetëm 57 vjet: “poetë mund të mos jenë, por qytetarë janë patjetër”, dhe si të tillë kanë nevojë për poezinë, kur në të ndihet natyrshmëria e flladit mbi fusha, thjeshtësia e dhembjes, fisnikëria e faljes dhe prushi i dashurisë. E mbi të gjitha, koherenca e talentit poetik me sjelljen njerëzore, qytetare dhe fisnike, siç i kishte si rrallëkush miku im i paharruar Izet Shehu. Ai Izeti që gjithmonë më kujton fjalët e gjeniut tonë Ismail Kadaresë se “Kishte disa njerëz që nuk do të mërziteshe kurrë t`i takoje, edhe sikur jeta njerëzore të zgjaste tre – katër shekuj”. Por, për të mirin Izet Shehu, kjo nuk qe e thënë të zgjaste shumë… Ndaj e takoj atë në vargjet që rrojnë brenda faqeve të librave të tij.