Suplementi Pena/ Skënder Buçpapaj:Gjenia Shkodrane në librin e Xhahid Bushatit për Teatrin ‘Migjeni

327
Sigal

Skënder Buçpapaj

Një dhuratë tejet e çmuar për mua nga Shkodra në javët e para të këtij viti – libri “Teatri ‘Migjeni’, kujtesa e një qyteti” (Biografi, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, ditare, letra, arkiv.. etj.).

Autori i librit Xhahid Bushati, miku im i hershëm që nga fillimi i viteve ’70, është shkrimtar shumë i njohur, me dhjetëra libra të botuar të letërsisë për fëmijë të të gjitha moshave dhe me shumë libra për të rritur, lëvrues i shquar i poezisë, i përrallës, i tregimeve, novelave, pjesëve për kukulla, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, i botuar në revistat e specializuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, pjesëmarrës aktiv dhe i vlerësuar në panairet shqiptare të librit, me rol të rëndësishëm në funksione drejtuese në Shoqatën e pavarur të shkrimtarëve shqiptarë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Ai është mësimdhënës që nga mesi i viteve ’70, fillimisht në malësitë e Kukësit, më pas në malësitë e Veriut dhe në qytetin e lindjes, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, kritik dhe studiues serioz i letërsisë, njeri dhe artist me interesa shumë të gjera dhe me pasion e dashuri të mëkuar qëkur ka lindur për Shkodrën e tij, qytetin tonë të përjetshëm.

 XHAHID BUSHATI

Që nga mesi i viteve ’80, pas specializimit pasuniversitar në Universitetin e Tiranës, Xhahid Bushati u muar për 15 vjet me gazetari kulturore në Radio Shkodra. Këtu zuri fill edhe libri për Teatrin “Migjeni”, i cili ia mori autorit të tij 31 vjet punë. Pa të gjitha cilësitë dhe përvojat e mësipërme vështirë të mund të përfytyrohej poetika e kujtesës së qytetit, e përbërë nga jetëshkrime aktorësh, burime arkivore, koleksione gazetash dhe revistash, dëshmi kolegësh, dorëshkrime të vetë aktorëve, letra, intervista që i ka marrë autori i librit, nuk mund të kuptohej poetika e ngjizjes dhe krijimit të këtij libri, i cili përfshin dekada të tëra kujtese të disa brezave të artistëve shkodranë, nuk mund të kuptohet as poetika e leximit të këtij libri. Teatër është një fjalë e greqishtes së vjetër, që do të thotë “vend për të parë”, pra vend ku njerëzit shkonin e shkojnë për të parë jetën e tyre të shndërruar në art. Është hapësirë e shenjtë për aktorët. Është rreze Rëntgen për shpirtin e kohës dhe të shoqërisë. Teoritë përkatëse e shikojnë si formë arti të së tashmes: ai ekziston vetëm në të tashmen, dhe menjëherë zhduket. Këtë përgjegjësi e kanë ndjerë edhe aktorët e mëdhenj të Shkodrës. “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”, është një fjalë e urtë, të cilën Bep Shiroka dhe kolegët e tij e kishin si refren të jetës. Prandaj për këtë formë të artit thonë edhe se është një realitet që ekziston vetëm në mendjen e publikut, për rrjedhojë vetëm në kujtesën e publikut.   Edhe Xhahid Bushati e shikon, me të drejtë, si kujtesë të qytetit të Shkodrës teatrin “Migjeni”.

37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane

Janë 37 emra të mëdhenj pa të cilët Shkodra mijëravjeçare do të ishte e mangët, 37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane në gjithë gjysmën e dytë të Shekullit XX dhe në gati krejt çerekun e parë të Shekullit XXI.

Xhahid Bushati, në librin e tij, i pari dhe deri tani i vetmi për Teatrin “Migjeni”, një libër që vetëm ai (siç do ta argumentojmë në këto shënime) mund ta shkruante, i ka sjellë këtu sipas rendit alfabetik. Këtij rregulli nuk i binden vetëm emrat Paulin Lacaj ( 28 prill 1914 – 14 janar 1976) dhe Fejzi Spahija. I pari është ai që mendoj se, po të mos mendojnë për historinë e teatrit themeluesit e saj, nuk do të ketë kush të mendojë. Dhe u bë edhe themelues i arkivit, ku ka gjetur lëndë edhe ky libër, ku mund të gjejnë lëndë të gjithë librat, të gjitha veprat e artit që do t’i kushtohen në veçanti këtij institucioni dhe në tërësi këtij qyteti, që është djepi i kulturës sonë kombëtare. Lacaj e kuptonte se, me kohën, gjithçka që do të shqiptohej në skenën e teatrit, do të shuhej në eter dhe se ai arkiv do të ishte pavdekësia e teatrit. (“Për të e rëndësishme ishte çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një shirit incizimi, data se kur është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit…”) Autori i librit vë re një veçanti karakterizuese të Lacajt, gjithçka e shkruante me penë. Megjithëse e zotëronte makinën e shkrimit, ai parapëlqente bukurshkrimin e tij, atij ia besonte jetëgjatësinë arkivit, joshjen ndaj studiuesve që do të interesohen për historinë e teatrit. Në fakt, Lacaj çonte më tej traditën e shkruesve të saktë e të bukur të teksteve, pa të cilët deri vonë as që mund përfytyrohej asnjë burokraci. Nga kjo trashëgimi, autori i librit, ka shkëputur një faqe shembullore, atë të organikës së parë, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 24 nëntor 1949, mbi themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, i cili hynte në fuqi më 1 dhjetor 1949. I dyti, Fejzi Spahija, aktor dhe më vonë drejtor i insitucionit, mendon dhe punon për pavdekësinë e teatrit në një mënyrë tjetër, ai shkruan ditar.  Në libër vijnë fletë ditari nga vitet 1960-1961, shumë të rëndësishme për rritjen profesioniste të institucionit. Ndër të tjera janë penelatat brilante për përcjelljen që ia bëri Shkodra piktorit Simon Rrota, i ndarë nga jeta me 28 janar 1961 dhe eklipsit të diellit të 15 shkurtit të atij viti. Pa i periodizuar, thjesht mbi kritere enciklopedike, sipas renditjes alfabetike, vijnë 35 emrat e tjerë të mëdhenj: Adem Kastrati (13 shkurt 1909 – 14 qershor 1972), Andrea Skanjeti (21 gusht 1906 – 29 nëntor 1992), Antoneta Fishta (22 janar 1922 – 26 tetor 2006), Athanas (Tano) Banushi (4 shkurt 1927 – , Bep Shiroka (25 shtator 1933 – 1 korrik 2010), Çezarina Çiftja (26 shkurt 1927 – 16 maj 2008), Esat Oktrova (28 prill 1930 – 21 mars 2001), Fadil Kraja (1931), Fatbardh (Bardh) Smaja (2 shtator 1956 – shtator 2016), Gjosho Vasia (28 tetor 1931 – 31 dhjetor 2019), Hajrije Sula, Hasan Smaja (25 korrik 1922 – 23 korrik 1997), Jolanda (Landi) Shala (14 maj 1947 – 22 nëntor 1984), Julka Kakarriqi, Justina Alia, Lec Bushati (10 korrik 1923 – 16 shtator 1996) , Lec Fishta (5 mars 1920 – 4 korrik 1995), Lec Shllaku (3 nëntor 1921 – 4 gusht 2007), Mirjam Bruçeti (15 mars 1949 – , Ndrek Prela (13 mars 1920 – 14 nëntor 2011), Ndoc Deda ( – 22 shkurt 1983) , Nefail Piraniqi (18 mars 1940 – 8 shkurt 1996), Paulin Preka (2 shkurt 1935 – , Pjetër Deda, Pjetër Gjoka (2 gusht 1912 – 12 maj 1982), Preng Lëkunda (6 korrik 1921 – 3 mars 1968), Ramiz Rama (9 nëntor 1911 – 3 korrik 2015), Roza Xhuxha (Anagnosti) (27 tetor 1943) , Serafin Fanko (24 maj 1937 – 29 nëntor 2017), Tefë Krroqi (28 shtator 1924 – 1 dhjetor 1995), Tinka Kurti (17 dhjetor 1932), Violeta Sekuj, Zef Deda (27 korrik 1950), Zef Jubani (2 dhjetor 1910 – 1 dhjetor 1958), Zyliha Miloti (11 janar 1946). Janë të gjithë zëra enciklopedikë, ku kërkohet që dijetari të bëhet një me artistin e fjalës, stili shkrimor dituror të bëhet një me stilin letrar, çka këtu është arritur më së miri. Janë të gjithë emra që i zgjojnë nostalgji një brezi më të hershëm se ne, brezit tonë, si dhe brezave pas nesh. Shumë prej tyre kam pasur fatin t’i ndjek në skenën e teatrit “Migjeni” në periudhën time të shkurtër studimore në Shkodër, ndonjë prej tyre edhe e kam takuar e njohur më nga afër në mjediset kulturore shkodrane, më vonë edhe në mjedise të kryeqytetit. I kam ndjekur gjithnjë në emisionet “Teatri në mikrofon” apo “Teatri në ekran” të asaj kohe. Disa prej tyre edhe në filmat që ata kanë luajtur. Shumë nga ata që nuk kam pasur si t’i njoh as t’i shoh, kishin filluar jetën e tyre të dytë, të shndërruar në legjendë, në Shkodrën e tyre. Nga yje tokësorë ishin shndërruar tashmë në yje qiellorë. Nga yje të përditshmërisë shkodrane ishin shndërruar në yje të qiellit të përjetësisë së artit shkodran dhe atij kombëtar. Nga këndi i një admiruesi të përkushtuar, aq më tepër i një bashkëqytetari, i një njohësi të afërt, nganjëherë edhe shoqëror e familjar, si dhe të një hulumtuesi të zellshëm e të palodhur është qasur Xhahidi, i cili ka pasur fatin e veçantë, të privilegjuar, se është lindur e rritur me artin e tyre. Pa këtë përmasë që e përshkon tejendanë librin, vështirë se do t’ia arrinte të sillte jetën 70 vjeçare të Teatrit “Migjeni”, të përbërë nga jetë dhe vepra të të gjithë atyre 37 emrave, të denjë secili për romane më vete. Kjo jetë 70 vjeçare ka një parajetë që daton, për skenën teatrore, që nga viti 1880, me lindjen e artit amator, por edhe në karnavalet, të cilat askund nuk ishin më të bukura se në Shkodër derisa i ndaluan më 1967, prej ku degëzohen teatri dhe humori, të pasuara në estradën, në dramën dhe në komedinë, prej ku degëzohen arti muzikor dhe artet e lojës skenike, derisa pikërisht në Teatrin “Migjeni” do të luhej opera e parë shqiptare, “Mrika”. Lexuesit i është lehtësuar gjithçka që, nëpërmjet renditjes alfabetike, të bëjë vetë renditje të tjera sipas rrafshesh të ndryshme që libri i ngërthen thellë vetes. Sipas kësaj poetike, do të kishim disa nën-ndarje të emrave të mëdhenj të teatrit shkodra, si (1) jetë të ndërprera (2) talente të ndërprera (3) jetë dhe talente të mbijetuara (4) jetë dhe talente të përmbushura. Në mënyrë të përmbysur do të kishim ata që patën fat në jetë dhe në karrierë, ata që patën peripeci në jetë dhe në karrierë, ata që nuk patën fat të bënin karrierë dhe ata që nuk patën fat të jetonin. Në kohën tonë qarkullonte shpesh e kudo thënia e Gorkit se rruga e artit është e shtruar me gozhdë.  Për artin skenik në Shkodër majat e gozhdëve ndoshta ishin më të mprehta se kudo tjetër. Artistët e skenës përballeshin me luftën e klasave në shoqëri e në arte, me biografitë e tyre, me sfidat e rritjes artistike, deri me sfidat e jetës së tyre të përditshme.

Vdekjet engjëllore në Teatrin “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Zef Jubani, sinonim i vetë Teatrit. Në moshën 48 vjeçare, në kulmin e tij artistic , Zefi vendosi të mos e dërgojë shpirtin e tij në qiell, por ta mbajë brenda atyre mureve, ku kishte jehuar edhe zëri i tij. Me biletën në xhep për të parë operën e Prenk Jakovës, papritur e pakujtuar, ai, në krahët e shokëve pushon së jetuari dhe nis përjetësinë e tij. Deri atëherë ka realizuar 40 role, secili më kryevepër se tjetri. I mbeten pa luajtur edhe dhjetëra role të tjera. Vdekja e tij është ëngjëllore.  Xhahid Bushati nuk ka pasur si të takohet, si të njihet, si të bisedojë me Zefin, por arrin të takohet me jetën e Zefit, të njihet e të bisedojë me të nëpërmjet kujtimeve të Tinka Kurtit, Ymer Balës, Ndrekë Prelës, Violeta Sekujt, Bep Shirokës, Antoneta Fishtës, Lec Bushatit, Dionis Bubanit, Xhemal Brojës. Xhahidi i drejtohet metaforikisht Jubanit: “Këto kujtime i mblodha siç mblidhen xixëllonjat, por nëpër vite.” Në të njëjtën mënyrë Xhahidi rindërton jetën e Pjetër Dedës, babait të aktorit Zef Deda, atij që ndërtoi traditën e skenografisë në Teatër, i larguar kësaj bote në moshën 36 vjeçare. Xixëllonjat e kujtimeve tregojnë se ishte një vizatues i pashoq. Ishte i vetmi që u ndodh pranë Gjergj Fishtës në çastin e vdekjes dhe e përjetësoi atë moment me laps e letër. I tij, në laps e letër, është edhe portreti më i njohur i Mjedës. Ai është rritur jetim, është nga një familje e varfër brez pas brezi. Dhe pas vetes lë, po ashtu, fëmijë të varfër e jetimë. Edhe vdekja e tij është ëngjëllore. Në një tjetër dritë, tashmë intime, sjell autori Nefail Piraniqin, mikun e tij të ngushtë, me shumë miq të përbashkët, të cilit vdekja ia ndërpreu jetën dhe karrierën në moshën 56 vjeçare. Është një tjetër vdekje engjëllore në Teatrin Migjeni. Jetë dhe karrierë e ndërprerë dhimbshëm dhe trishtueshëm, në moshën 29 vjeçare, është Çezarina Çiftja, aktorja e parë profesioniste e teatrit “Migjeni”, së cilës teksa bisedon me autorin e librit, i shpëton një lot “mbi faqen e mplakur…”. Një jetë dhe karrierë e ndërprerë, një poemë tragjike, një dhimbje që për Shkodrën, qytetin më artdashës në botë, nuk ka të shuar as të mbaruar kurrë është Jolanda Shala. Në kapitullin e saj, Xhahid Bushati shpalos poetin më shumë se në çdo kapitull tjetër të librit të tij: “Një jetë me ëndrra! Çelën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji!” Më tej: “Fëmijëria e saj rrinte si pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Prindërit i vdiqën herët.” Të papërsëritshme janë edhe portretet e prindërve të saj, Gasprit, babait violinist virtuoz, Marijes, këngëtares me zë të ëmbël të jareve shkodrane. Është edhe kjo një vdekja engjëllore në Teatrin “Migjeni”. Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Preng Lëkunda, i larguar nga jeta në moshën 47 vjeçare, në kulmin e përkryerjes artistike në teatër dhe në fillimet e para në kinematografi, pas një sëmundje që e mori brenda ditës. Reklama e shfaqjes ku ai do të luante në mbrëmje, do të hiqej. Preng Lëkuda vdiq! Shfaqja nuk do të jepet. Shkodra mezi mban frymën. Është vdekje tjetër engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

Ndërprerjet dramatike në Teatrin “Migjeni”

Karrierë e ndërprerë është Ndoc Deda, i ardhur edhe ai nga një mjerim i skajshëm familjar. E fillon jetën e teatrit 13 vjeç dhe ia ndërpresin kur ai është 44 vjeç. Më 8 maj 1951 kur ia vënë prangat dhe bën 8 vjet burg të rëndë në kampet e punës. Pas daljes nga burgu i kthehet jetës teatrore amatore, por kurrë asaj profesioniste. Karrierë e ndërprerë, pa rikthim, për arsye biografike, është aktorja Hajrije Sula. Karrierë e ndërprerë dhe e mbijetuar është Justina Alia, e goditur pas Plenumit të IV-t për shkak të Festivalit të 11-të Këngës në Radiotelevizion. Karrierë e ndërprerë është edhe Lec Bushati, epiku më i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, i përballur pothuaj gjithnjë e tejet suksesshëm me role të mëdhenj. Zërin e tij shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë qëkur ai dubloi zërin e Skënderbeut në filmin sovjetik për Heroin tonë Kombëtar. Portreti i zërit të tij, që duket sikur e shqiptojnë grykat e maleve, është më harmonik se te kushdo tjetër me portretin fizik të njeriut. Lec Bushati e ndërpreu karrierën e tij në Paris, kur në sheshxhirimin e tij të fundit, pësoi krizë në zemër dhe iu nënshtrua një operacioni shumë të vështirë. Kështu që në njëzet ditët e fundit të jetës së tij Lec Bushati nuk i pa më skenat as sheshxhirimet.

Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e përmbushur është Andrea Skanjeti, njëri ndër tre regjisorët (bashkë me Esat Oktrovën dhe Serafin Fankon) dhe njëri ndër tre dramaturgët (bashkë me Fadil Krajën dhe Serafin Fankon) që ka lënë përjetë vulën e tij në teatrin “Migjeni”. Skanjeti ka bërë mbi 300 regji në këtë teatër dhe plot të tjera në teatrin e kukullave, është vlerësuar gjithnjë nga kritika bashkëkohore dhe ka marrë titullin më të lartë të atëhershëm, Artist i Popullit. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Athanas (Tano Banushi), të cilin Xhahid Bushati e quan “univers aktoresk”. Ka dalë mbi 1000 herë në skenën e teatrit, ka realizuar mbi 1000 personazhe, në mënyrë brilante. Është aktori komik shqiptar me rrezatimin më të gjerë. Autori i librit nuk ka përtuar t’i shterojë të gjithë përfundimet e arritura nga njohësit më të thellë të artit të tij shumë kompleks dhe të sjellë edhe analizat e sintezat e tij. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Bep Shiroka aktor i roleve të mëdha në drama dhe komedi. Në më se 40 vjet karrierë ka luajtur 160 drama e komedi dhe në shumë filma. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Fadil Kraja, i cili ka në fondin e teatrit rreth 60 drama. Pa to, ky institucion nuk mund të kuptohet. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Hasan Smaja, me mbi 100 role në estradë, realizuar plot kolorit dhe dhe me larmi të pashoqe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Ndrek Prela, nga 91 vjet 60 prej tyre në skenë dhe ekran, aktor i paharrueshëm i përkryerjes së të ashtuquajturave role të vogla. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Paulin Preka, tetë vite në teatrin e dramës dhe 37 vite në teatrin e estradës, duke realizuar mjeshtër me qindra personazhe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Serafin Fanko si aktor, regjisor dhe dramaturg që solli përmasën moderne në teatrin e Shkodrës dhe me ndikim në teatrin e kinematografinë shqiptare. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Tinka Kurti, “interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi,” – siç e cilëson Xhahid Bushati. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Zyliha Miloti me mbi 50 vjet në skenë. Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”.

Aktorë shumëplanësh, artistë shumëtalentësh

Aktore shumëplanesh është Atoneta Fishta, e sukseshme rolet komike, dramatike dhe në kinematografi. Tano Banushi siç nënvizon Xhahid Bushati, “ishte aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, farsën, intermexon etj.”.  E suksesshme në dramë e komedi është Mirjam Bruçeti. I suksesshëm në teatër e kinematografi është Ndrek Prela. Aktor i sukseshëm drame dhe humori është Paulin Preka. Aktor i sukseshsëm i dramës dhe komedisë është Ramiz Rama. E suksesshme në teatër dhe kinematografi është Tinka Kurti. Aktore e sukesshme e dramës dhe komedisë është Zyliha Miloti. Artist shumëtalentësh e personalitet i shumanshëm është Andrea Skanjeti, “drejtor, regjisor, dramaturg, përkthyes, shkrimtar, filatelist, përgatitës fjalori…” Artisti Bep Shiroka tregonte se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk ishte pranuar si aktor, por si piktor. Me pikturë ka vazhduar të merret gjithë jetën. Ka marrë pjesë në ekspozitat e arteve figurative në Shkodër 25 vjet rresht. . Ishte edhe fotograf. Përveçse aktor i suksesshëm i dramës dhe komedisë, ai është autor i 30 skenografive në teatrin “Migjeni”. Një pasion që e ka shoqëruar nga fëmijëria deri në fund të jetës është ai për kanarinat. Fatbardh Smaja ishte klarinetist i talentuar dhe piktor krahas kushtimit ndaj teatrit dhe televizionit. Gjosho Vasia “parodist e kupletist, aktor e imitues, këngëtar duet me kitarën e tij ‘besnike’”, madje edhe kompozitor e autor tekstesh të këngëve. I tillë është edhe Zef Deda. Kitarist e prestixhator, përveçse kupletist i pashoq është Hasan Smaja. Këngëtare, aktore shumplanëshe e teatrit dhe kinematografisë është Justina Alia. Nefail Piraniqi, krahas galerisë së roleve, ka lënë pas vetes edhe batuta pafund me humorin e tij karakteristik shkodran. Preng Lëkunda deri në fund të jetës krahas skalitjes së roleve u muar me skalitjen e vargjeve poetike. Serafin Fanko, regjisori i katërt i teatrit “Migjeni” është gjithashtu aktor, është dramaturg, është skenograf (ka bërë 18 skenografi të shfaqjeve të veta dhe të kolegëve), i shquar është edhe në Teatrin e Poezisë. Tefë Krroqi është aktor, iu përkushtua poezisë deri në fund të jetës. Shkroi dramë. U muar me përkthime dhe me punë botuese. Xhahid Bushati e mrekullon lexuesin në çdo faqe të librit të tij duke u marrë në masën e duhur me çdo aspekt të lartpërmendur të 37 figurave të teatrit “Migjeni”. Dhe çdo lexues, në mënyrë të pavarur, mund të nxjerrë prej këndej përfundimin e tij se këta aktorë të mëdhenj, këta artistë të talentuar të Shkodrës dhe të kombit, para se të jenë të tillë, janë njerëz me botë të madhe.