Mos u krrus e mos ngrys,
se kështu paska qenë fati.
Në i thënçin jetë kësaj,
asnjëherë z’do më dalë inati.
Mos u lig, mos u ngushto,
për atë që na u shkrua.
Z’dua as unë por çe do,
nuk e kontrolloj siç dua.
Nga të hedh, nuk të përkund,
të le në vënd, fsheh dhe dorën.
Është mizore, më besoni,
shpejton kohën, ndal dhe orën.
Ja në vënd, rri numuro,
nëpër shkallë e tatëpjeta.
Mos u lig mos u ngushto,
se kështu e paska jeta.
Ti padrejtësisht u fute atje ku nuk të lejohej!
Unë isha delja e zezë,
e refuzuara,
e humbura,
e harruara.
Isha zbehur si nje i vdekur.
Akull trupin si nje mermer varri.
Askush nuk e ndizte një qiri mbi një kufomë të gjallë.
Padrejtësisht ti ndeze kandilin dhe të gjitha skutat e errta u zhbënë.
Mermeri u ngroh, kufoma u ngjall.
Zbehja ndriu dhe mori ngjyrat e tokës, të qiellit.
Labirinte eshtrash që në vite fjetën, po qëndronin në këmbë.
Isha unë ajo, sot jam po prapë ajo; kufoma që jo vetëm ecën, por edhe dashuron.
Dedikuar njeriut që i foli drejt për drejt shpirtit.






















