Suplementi Pena Shqiptare/ Akademik Vasil Tole: Ylli Zeqiri, artisti i madh i një qyteti të vogël

59
Sigal

Ndarja nga jeta e Ylli Zeqirit, ose Ylkiut siç i flasim ne përmetarët, mbyll një kapitull të muzikës popullore përmetare të pas Luftës së II Botërore, që kulmoi me emrin e Usta Laver Bariut dhe shokët e tij të shquar të sazeve, pjesë e të cilëve ishte dhe Ylli Zeqiri.
Foto e bërë pas një interviste me Ustanë në fillim të viteve 1990 në Përmet. Nga e majta: Ylli Zeqiri, Usta Laver Bariu, Vasil Sofokli Tole, Lefter Nurka dhe Murat Murati!

Lindi në Përmet dhe aty e derdhi gjithë kontributin e tij si muzikant, instrumentist, këngëtar dhe krijues këngësh. Për një kohë drejtoi edhe Shtëpinë e Pionierëve ku nxiti në rrugën e muzikës me dhjetra fëmijë përmetarë, ndër ta edhe mua. Klarinetën, veglën muzikore, që e njihte aq mirë e mësoi tek Shkolla Artistike Jordan Misja në Tiranë.

U njoh kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, kur në fund të viteve 1970 këndoi bashkë me artistin e madh Mentor Xhemali një sërë këngësh popullore përmetare së bashku me sazet e Usta Laverit, ndër to “Zura një bilbil me vesë”, “Mora rrugën për Janinë”, “O dhëndër ku vete kështu” etj.

Grupi i sazeve të Përmetit dhe familjes Lela, Francë, fundi i viteve 1980! Më këmbë: Beniamin Kruta-etnomuzikolog, Ylli Zeqiri-këngetar, Remzi Lela-COBANI në gernete, Çercizi me violinë, Usta Laver Bariu-gërnetë, Mentor Xhemali-këngëtar; ulur: Krenar Mane-dajre, Fatmir Lela-llautë dhe Sulejman Lame-fizarmonikë dhe këngëtar.

Do ta kujtojmë gjithmonë artistin tonë se zëri dhe kontributi i Tij janë shtresuar në kulturën artistike të Përmetit dhe jo vetëm, se ishte një përfaqësues i denjë i qytetarisë sonë dhe se kujtimet e mira për të janë të shpërndara në jetët e njerëzve dhe në CV e institucioneve arsimore e atyre artistike e të muzikës!

Ngushëllimet shkojnë për fëmijët: Arturin, Majlindën dhe Berneretën, për miqtë dhe sazet e Përmetit!

Mentor Xhemali “ja merr”, Ylli Zeqiri “ja pret”, dhe Usta Laver Bariu me sazet, në Përmet.