E shikoni këtë ballë plot me rrudha,
si brezaret e një are nga plugu.
Janë vitet, është jeta,është udha,
është mëngjesi,është dreka,është muzgu.
I shikoni këto duar si harta,
të rreshkura,të fishkura,të çara.
Janë hallet si malet e larta,
të lodhura,të ënjtura,të vrara.
I shikoni këto buzë pa formë,
si gropa,si guva,si shpella.
Është jeta pa rregull e normë,
është jeta e braktisur ku ngela.
E shikoni këtë lis me gunga,
ndan një ledhi që nuk bën hije?
Është jeta plot huqe si xhungëla,
është bota e tharë për dije.
I shikoni këta sy të lodhur,
me rrathë e kapakë të rënë.
Është jeta e kudo ndodhur,
që dhuratë maskarenjtë na e kanë lënë.
Më çmendi zemra më çmendi
(Tekst kënge Gurra e Prodanit)
Më çmendi zemra më çmendi,
kur pash një fshat të braktisur.
Bukuritë e atij vendi,
në greminë qenë rrokullisur.
Rrugët,lëndinat të shkreta,
ferrat hipur përmbi mure.
Si një gur i shkulur mbeta,
si një me njëmijë kusure.
Hodha sytë anë më anë,
mbi faqe rrëshqiti loti.
Limar pse kështu të lamë,
të kishim njëlloj si Zoti.
Ngado që kulloste syri,
çdogjë dukej si vrastare.
Dhe dielli sapo hyri,
la pas errësirë të madhe.
Më dhembi zemra, më dhembi,
kur ika nga kisha ardhë.
S’më kishte lezet kuvendi,
u largova si i marrë.






















