Suplementi Pena Shqiptare/ Myzejen Konduri” Një shaka e vogël me vdekjen” i shkrimtarit Bashkim Hoxha

133
Sigal

Sfidë e kohës. Disa mendime për krijimin më të ri, të mrekullueshëm :

Me vonesë, mora në dorë, botimin më të ri të shkrimtarit  Bashkim Hoxha, i cili me këtë krijim, përkthyer dhe në Rumani, duke arritur një Majë Suksesi, shënjoi një ditë timen, ku pa asnjë hezitim, them se është nga botimet më të mira dhe të realizuara nga Autori, në të gjithë komponentët e plotërisë artistike. E them këtë se Autori tregon që ka arritur mjeshtërisht jo vetëm ligjërimin magjik të Gjuhës Shqipe , por dhe komunikimin me thellësinë e botës së brëndëshme dhe atë të botës së jashtme, ku jo rrallë, marrëdhëniet bëhen të pakuptimta deri në zemërim, nga padrejtësitë e moskuptimit dhe gjykimit të këtyre padrejtësive të kohës. Si në asnjë botim, vë re se shkrimtari, si vëzhgues i mirë, nëpërmjet fjalëve, mendimeve, figurave të zgjedhura në përshkrim, fshikullon disa dukuri që kjo kohë ka prodhuar me maskarenj e hipokritë , duke lartësuar të mirin njeri dhe intelektualin. Dua te sjell në kujtesë për këtë libër, thëniet: Maja të Përvojës, që janë në krye të çdo ngjarje , një guidë mbresëlënëse për lexuesin, që heq paralele mes kohëve, nga Homeri, Marsel Prust, Dostojevski, Artur Miller, Flober, Tomas Man, Çehov, Shekspir, Bulgakov, etj. Portretet e personazheve kryesorë si:- Hektor K, Akil L, Rita, Skerdi D, Vili Sh, Helena, Kristo banakieri, Omeri etj, janë gdhendur me finesën e një fuqie talenti, duke na sjellë situatë e gjendje emocionale, me një sukses të plotë, të padiskutueshëm, ku realiteti na bën të bëhemi peng i vetvetes nga rrethanat e fateve tona, ku B. Hoxha bërtet pa heshtje…po e ilustroj:‘’ Njeriu modest, i heshtur, që kalonte përditë, që paska realizuar këtë ëndërr të madhe të njerëzimit, duke qortuar zakonet e qytetit që nuk di të përzgjedhë se cili nga banorët është i rëndësishëm…

 

Më shumë vlerësojnë ata llafazanë që na mashtrojnë në fushata zgjedhjesh…apo ato kokorocët që kapardisen me përgjërimet e veta se vetëm ata thonë të vërteta, demostrojnë pozat e tyre prej sfilate dhe rrobat e shtrenjta në shëtitore apo në ekrane televizori mbrëmjeve. Harrojnë se njerëzit e heshtur, janë po aq, në mos më shumë, të rëndësishëm…veçanërisht në këtë qytet ku hierarkia më e lartë u takon atyre që kanë më pak vlera, por që dinë t’i shesin”.Stili i përdorur nga Autori me qartësinë, ku filozofikja nuk garon me turp, përkundrazi, gërvish mjeshtërisht në mënyrë analitike artistikisht, nxjerr të vërteta të fateve të personazheve kryesorë e dytësorë në realitet e mentalitet, që i merr peng, duke iu përmbajtur gjoja ligjeve, kodit të sjelljes në familje e shoqëri. Portretet realizuar mrekullisht nga shkrimtari, që marrin jetë  në shkallaret e fjalëve, mendimeve e rrokullisen herë dukshëm, herë në ankth, herë të pasigurtë, të bëjnë të analizosh jo vetëm ato, por dhe kohën, mjedisin, ëndërrat, vizionin, ku padyshim kushdo që e lexon këtë libër të Bashkim Hoxhës, tashmë i sigurtë në sukseset e Tij, vlerëson talentin e pjekurinë artistike, ku jo rrallë, Moskuptimi, Injoranca, Mentaliteti i siguron shkrimtarit, mbrojtjen, duke i ofruar lexuesit mjeshtërisht përballjen me sfidat, në jetën e kësaj kohe që rend, po ndryshk dhe ëndërrat. Po sjell një koncentrat të shkëputur në faqet e botimit.“ E rëndë kjo. Të mos kesh kohë edhe për një ëndërr…Unë paskam vdekur me kohë. E paskam mbyllur jetën – mendoi dhe pati një shkëndijë të fortë brenda vetes, një qortim që shpërtheu në formën e një zemërimi, që e kish harruar prej kohësh” Vetëm një autor si Bashkim Hoxha, pena e të cilit skalit jo vetëm personazhet kryesorë të librit, por dhe personazhet e tjerë aq artistikë, Mjedisin, Pejsazhet, me një figuracion brilant që të mbushin me magjinë e Jetës në funksion të përmbajtjes. Po jua konkretizoj: “ Kishin parë shpella, katarakte, korije, kishin jetuar brenda këtyre ditëve të gjitha stinët, kishin prekur borën që nuk shkrinte, ishin rrokullisur mbi barin e gjelbër të Pranverës… Brenda këtyre ditëve, stinët kishin vrapuar me një rregull tjetër, të gjitha njëherësh brenda një dite të vetme”. Ose; “ Rita  u ndje e mrekulluar nga tërë ai peisazh i bardhë si shpirt fëmije. Nuk frynte as erë që të ndihej vërshëllima e saj nëpër degët e rënduara nga dëbora.

Degët e zeza të pemëve, krijonin vizatime të brishta, që binin shumë në sy në atë bardhësi që të merrte sytë nga drita” fq 79. Forca analitike e përshkrimit në veprim, ku dhe bazohet e shtjellohen ngjarjet, vepron dhimbshëm me ironinë therëse të zvjerdhjes së vlerave dhe talljen me ëndërrat.“ Fqinjët nisën të dëshmonin për jetën e tij të vetmuar. Askush prej tyre nuk kishte vënë re ndonjë të dhënë të çuditshme. Ai ishte mjaft korrekt me ta, madje shquhej për një sjellje aristokratike, të harruar nga të tjerët, vetëm herë pas here e shihnin që mbante në duar breshka, zhapikë, flutura, pjesë e pasionit të tij të shpallur prej tij për natyrën” Ose: – Nuk e di si shkova. Nuk e di si ika. Sikur më mori era – bërtiti Rita Nuk jemi gjë tjetër , veçse një gjeth vjeshte që era merr e na çon ku do ajo. Na ngre në qiell, na përplas përtokë dhe nuk të pyet fare. Duhet shumë forcë t‘i bësh ballë. Fati apo era? Çfarë të jetë vallë? – tha ajo me vete. Pra, veprimet konkrete të personazheve, veshur në dyzimin e tyre dhe të ngjashme me secilin i bën të dukshëm, frymëzues me shpirtin, që dhemb, kur ato preken.   Trajtimi mjeshtëror i karaktereve ruan privilegjin e këtyre protagonistëve që mbushin lëndën e përmbajtjes, rrëfyer drejtpërdrejtë dhe me nënkuptime ku e fton çdo lexues: -Bujrum! Analizo & Gjyko! Kur të ndjehesh i pashpresë në duzinën e problemeve, Autori vulos zhbërjen e vlerave…që, ne të gjithë s‘duhet ta lejojmë. Çfarëdo të themi për këtë botim, të përzgjedhur nga shtëpia Botuese “ ONUFRI”, tashmë etalon në përzgjedhjen e autorëve e veprave më të mira, është i merituar. Ndërkohë që dua t‘i mbyll mendimet për librin “ Një shaka e vogël me vdekjen” i shkrimtarit, Bashkim Hoxha që e njoh e krenohem prej dekadash dhe i ndjek sukseset e krijimtarisë së tij, dua të theksoj se sa shumë e kërkon koha, përballjen me dashakeqësinë, moskuptimin, shpërfilljen dhe mbrojtjen  e duhur jo vetëm nga një shkrimtar me penë të mprehur por edhe ne vetë për veten. Autori, Bashkim Hoxha, ka investuar në këtë libër brilant, me rezonancë brezash. Ky botim meriton shumë vëmendje, po veçanërisht nga kritika & lexuesit. “Arratia që kishte zgjedhur Hektori ishte më e bukura, por më absurde: arratisej pa lëvizur. Dhe arratisej larg në yje, në mijra vjet drite larg”