Letër e komunistëve «antikomunistë«
të shpërndarë nêpër parti, drejtuar komandantit.
Që ditën që na ke lënë,
shumë ujëra kanë rrjedhur.
Po ne prapë jemi në krye,
se e kemi dredhur.
Edhe në demokraci,
ç’deshëm e arritëm;
Shqipërinë që na le ti,
të gjithë e gëlltitëm.
Për fitim e pasuri,
S’kemi nder e besë,
ndaj Atdheun çdo ditë, çdo orë,
e shesim pjesë-pjesë.
Popullit veç i premtojmë,
dimër e pranverë,
populli me gisht në gojë,
dhe ne miliarderë.
Meqenëse gjithmonë për prona,
jemi të babëzitur.
Gjithë djersën e shqiptarëve,
e kemi grabitur.
Me armët që na ke lënë,
jemi pasuruar.
Shit e shit kudo në botë,
dhe s’kanë të mbaruar.
Shitëm tanke, shitëm topa,
toka edhe dete,
gjithë minierat e uzinat,
i morëm për vete.
Dhe me popullin e thjeshtë,
bëjmë si në teatër.
Çdo ditë me armët që morëm,
vriten nga tre-katër.
Ngaqë s’lamë asgjë pa prishur,
në gjithë Shqipërinë.
Mijëra njerëz papunë,
morën arratinë.
Antikomunizmin tonë,
e mbrojmë çdo ditë!
Ne tani në burgje kemi,
sa pesëfishi yt.
Rrugëve të demokracisë,
ne rendim me vrap!
Dhe me njerëz të pafajshëm,
burgjet mbushim prapë.
Të na falësh, komandant,
filli keq na iku,
Ka ca vite dhe gjermanin,
ne e bëmë ballë miku.
Tani nga imperializmi,
Nuk e njohim frikën,
mëmë e babë gjithmonë do kemi,
vetëm Amerikën.
Por ta dish o komandant,
se biem pak erë,-
NATO-n që ti nuk e deshe,
e kemi në derë
për mbrojtjen e Atdheut,
erdhi kohë e keqe,
Tani s’kemi më ushtarë,
s’kemi më dyfeqe.
Jemi në mëshirë të fatit:
U shpërbë ushtria,
as shoqatë gjuetarësh
s’ka më Shqipëria.
Por për interesat tona,
ne jemi kudo,
Populli çdo ditë mashtrohet,
por sërish na do.
Pas votimeve gjithmonë,
kemi qetësi.
Ka apo s’ka popull fare,
s’do t’ia dijë njeri!
Pastaj nëpër botën mbarë,
nuk lëmë vend pa bredhur.
Opozitë edhe pushtet,
jemi si vëllezër.
Tani si besnikë të tu,
mos na mbaj në listë!
Dje ish komunistë të thekur,
sot kapitalistë.
Veç për veten e familjen,
rendim drejt së mirës,
Dje ish komunistë të thekur,
sot sahanlëpirës.




















