Suplementi Pena Shqiptare/ Anja Toma: Femra është Hyjnore

Anjeza Toma

Femra është hyjnore,
sepse nuk u thye kur duhej të ishte pluhur.
Ia shkelën zërin,
ia mbyllën gojën me turp,

ia varën emrin në gojët e të tjerëve,
si aktakuzë.
E matën me trup,
e gjykuan me moral të huaj,

Sigal

e deshën të përkulur,
e duruan vetëm të bindur.
Por ajo nuk humbi.
Nga femra lind një krijesë e re,

edhe kur ajo vetë ishte duke vdekur përbrenda.
Nga barku i saj lind jeta,
nga shpina e saj, mbijetesa.
Dhe kur e lanë vetëm,

ajo u bë shtëpi për veten.
E rrahën me fjalë,
e plagosën me heshtje,
i mësuan të fajësojë veten

për dhimbje që s’i krijoi ajo.
Por femra s’është viktimë,
ajo është dëshmi.
Se dhuna nuk e zhduk dritën,

vetëm e bën më të rrezikshme.
Hyjnore është
sepse ecën drejt jetës!
me plagë që s’kërkojnë më falje,

me sy që s’ulen më,
me zemër që s’lypet.
Ata i vunë epitete.
Ajo u bë emër.

Ata kërkuan ta shuanin.
Ajo lindi përsëri.
Femra është hyjnore
jo sepse është e shenjtë për ta,
por sepse mbijetoi pa lejen e askujt.