Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Puthja e saj

16
Sigal

Puthja e saj

Ajo fjeti..,

Mbështeti kokën në jastëkun e butë,

i purpuronte puthja nën gushë, mbi faqe.

Meraku im atë natë s’i mbylli sytë,

nën gushë vështroja, ca petale manushaqe.

 

Në ëndrra ajo, u mbështet mbi një krahëpëllumbi,

fshehur nën qerpikë, e puthi lehtë një yll.

Në oaze lumturie fluturoi, papritur humbi.

Syri im nga meraku, atë natë s’u mbyll.

 

Petaleputhjesh kishin çelur, gjurmë trëndafilash,

nën gushë mbi faqe, asaj i bënin puhi.

Diku në ëndrra luhej një simfoni bilbilash,

në lëndina yjesh ndoshta vraponte ime bij’.

 

Në lëndina ylberesh, lumturish vraponte,

në zemër, një syth i blertë ish për të dashuria,

mbi sy ndoshta, ëndrra më e bukur i vallëzonte.

Ish rritur ime bij’…, sa shpejt!  S’e dija.

 

Erdha !

 

Ditët me gishta kam numëruar,

mallin kam dashur larg ta mërgoj!

Ma thuaj zemër që ti erdhe…

Erdha!

Ma thuaj prapë që ta besoj.

 

Erdha!

Kam ndalur zemër në një stacion,

të dëgjoj zërin që më mban gjallë.

Një syth pranvere mbi buzë këndon.

Eja nxito, më shuaj mall.

 

Erdha!

Mbi trupin tënd do zgjoj pranverë,

do thith mushkërive aromën tënde,

në zemrën tënde ndjej zemrën time,

në zërin tënd ndjej tinguj kënge.

… sekondat symbyllur, numëroj!