Ujku
Ç’e zu halli derrkucgjorin:
nuk hap dot televizorin,
te ekrani futur thellë
Ujku gojën çel si shpellë.
Radion Gici ndez pas pak,
nis zëçirret Ujku plak.
Te gazeta, mu në ballë,
Ujku shqyen gjënë e gjallë.
Gici sot te magazina
blen një qeskë me patatina;
tek e gris, shfryn: – Uf, ç’u çmenda!
Po sikur të jetë brenda…

Ftesë
Një shkrimtar në Jupiter
promovon një dramë me vlerë.
Ftoi miq e ku di unë,
ca në Mars, ca në Neptun.
Do t’i nisë Shekspirit ftesën,
por mjerisht s’ia di adresën.
E thjeshtë fare, more shok:
“Zotit Uiliam Shekspir,
Tokë.”
Kënga
Kanarinën Papagalli
ç’e trazon me ndjenja malli:
– Ti në këngë zë vend të parë,
pjell muzikë të paparë;
kompozime, s’ke ç’u thua!
Sa për tekstet, m’i lër mua…
Hamburgeri
Te pjektorja mu në cep
Qeni për një çast u step:
– Një hamburger, por pa qepë!
Te banaku një zë Pate:
– Krizë e thellë për zarzavate…
A e do dhe pa patate?
Dielli dhe Luledielli
Lulediellit fjollë hesapi,
ç’i ndjek rrezet hap pas hapi…
Orizi
Te dyqani në katund
Gici noçkën tund e shkund:
– Desha sot, teto Gjirafë,
një sheqer e një …pilaf!





















