Trashumanca, ose ndryshe lëvizja e bagëtive për verim apo dimërim (pra ngjitja në mal gjatë verës së nxehtë dhe zbritja në fusha gjatë dimrit me borë), kjo e shoqëruar me gjithë ritualin përkatës njerëzor e mjedisor është bërë tashmë pjesë e listës përfaqësuese të trashëgimisë jo materiale të UNESCO-s, për vlerat që mbart.
Për dikë që nuk është familjar me këtë përvojë artistike e njerëzore do të mjaftohesha t’i thoja që rruga, fshatrat dhe qytetet, mjedisi natyror e kulturor që përshkruajnë karvanet shndërrohet në energji jetësore, ku gjallëria që sjell shtegtimi, zërat e barinjve, ritmi i lëvizjes, meloditë e fyejve, muzika e zileve dhe këmborëve, veshjet popullore dhe objektet etnografike, prodhimi blegtoral, që sjellin e ndajnë, komunikimi mes udhëtarëve që ecin dhe banorëve që i presin e përshëndesin krijojnë një simfoni të natyrës, në unitet me gjithë njerëzit dhe zakonet e tyre.
Në videon e mëposhtme ndjehet çka shkrova më sipër. Është filmuar në Përmet nga Endri Keko, regjisori i shquar i kinoditareve. Gjithshka reale e pa inskenim.
Një model për t’u ndjekur sot për institucionet që merrem me trashëgiminë jomateriale për t’i dhënë përsëri trashumancës vendin që meriton në realitetin folklorik e etnografik në Shqipëri, nga Jugu në Veri!
Trashumanca është himn për blegtorët e për njerëzit e punës!





















