Unë e di që më do aq shumë
dhe jo më pak se të dua unë,
por ndonjëherë lodhem
nga kureshtja jote
për historitë e shkuara të mia.
Më zë dhimbja e kokës
dhe i shpërthej vetes
“në dreq vaftë edhe dashuria”.
Eh! Më dhemb zemra,
(është e dashuruar),
më humbet muza,
venitet dëshira për të shkruar.
Nëse është xhelozia që të mbërthen,
gjer në infinit qoftë e mallkuar!
Nuk di më vret vdekja e muzës
apo vërtet jemi të dashuruar?
Të lutem më jep pak qetësi!
Poezia ashtu si dhe jeta
paska nevojë edhe për dashuri!





















