Fjalët e shiut nuk paskan të sosur.
Qielli shfryn frymëmarje të ftohtë.
Trotuaret dridhen njësoj si njerëzit.
Pemët fshehin rrënjët thellë në tokë.
Nën strehë-reklamën e një ëmbëltoreje
vështroj sa mundem qytetin e lindjes;
kërkoj gjurmët e zemruara të ikjes,
dhe puthjen e fundit përpara grindjes.
Qyteti më sheh vëngër, si ti zemruar
ndiej dhëmbje në shpirt dhe vetmi.
Gris ftesën për rrugën time të largët;
Stoik,shumë e më shumë i futem në gji.
Diku, pas xhamave të qullur do jesh Ti.