Shpendi Topollaj: Kostandin Vogli, shkrimtari i humorit të hollë e të zgjuar

88
Sigal

Ajo që bie në sy menjëherë, pasi je njohur me përmbajtjen e librit “Tregime humoristike” të autorit Kostandin Vogli, është se ai ashtu sikurse e parathotë emri i tij që vjen nga latinishtja (Costantinus), është “i qëndrueshëm” në stigmatën e mprehtë në gjithçka ka shkruar për demaskimin e politikës të pështirë, që u ndoq te ne gjatë viteve të socializmit që Ëinston Çërçilli e quante “filozofi e dështimit”, por pa bërë aspak politikë. Kjo është mënyra e vetme dhe e ndershme për një shkrimtar, i cili nëpërmjet talentit të tij, e ka detyrë të ndriçojë rrugën nga duhet kaluar që gabimet, që u bënë të mos përsëriten më. Ka një mësim të madh për këtë që përmblidhet te shprehja; të ndahemi nga e keqja duke qeshur. Fjala e intelektualit, artistit e ca më shumë, i shkrimtarit ka peshë të madhe, ndaj ajo zë vend shpejt e bindshëm në ndërgjegjen e masës që e lexon apo e dëgjon. Dhe kjo merr kuptim dhe rëndësi më shumë se kurrë, tani, kur shpërfillja, që i bëhet kulturës në tërësi, dhe librit në veçanti, po merr përmasa të frikshme. Temat që ky autor ka zgjedhur, jo pa qëllim, janë marrë nga fshati dhe kjo jo vetëm pse kemi qenë popullsi me shumicë fshatare, as se atje kishte më shumë prapambetje, por se varfëria gjithmonë e më shumë po ulej këmbëkryq. Josh Billings, humoristi i shquar amerikan që në prill pati 205 vjetorin e lindjes, e ka thënë shkurt e qartë se: “Të kujtoni të varfrit.

Nuk ju kushton asgjë”. Por varfëria, brenda mjerimit të saj, ka edhe komicitetin e pashmangshëm. Pikërisht këtë ka ditur ta kapë bukur Kostandini, i cili mesa duket edhe e ka njohur nga afër jetën e fshatit. Por duke qenë se këtu do të flitet edhe nga të tjerë rreth krijimtarisë humoristike të tij, unë do të ndalem te tregimi më përfaqësues sipas meje “I deleguari”, ku në pak më shumë se dhjetë faqe na jepet mrekullisht gjithë psikologjia zyrtare, por dhe realiteti i ndërtimit dhe funksionimit të jetës së fshatit. Ngjarjet zhvillohen në fshatin Dervan, i cili “si për t`u ngrohur e për t`u çlodhur në faqen jugore të kodrës, shtrihet si një velënxë e vjetëruar…” Sido që në pamje të parë ai duket i lënë në hallet e veta, qeveria nuk e harron: ajo herë pas here dërgon atje ndonjë nëpunës vigjilent për të kontrolluar zbatimin e vendimeve të saj, për informacione apo si për të larë gojën se ne jemi pranë jush. Dhe kjo detyrë, kësaj radhe i është ngarkuar shokut Ejkun. Ja dhe portreti i tij: “Hunda e hollë dhe me kurriz të theksuar i ishte skuqur më tepër nga veshët e këcyera pak si të lepurit. Gojën e kishte mbyllur me dy buzë të holla si të ngjitura me zamkë. Kur mbaronte frymëmarrjen i detyruar nga e përpjeta, avullin e nxirrte vetëm me hundë. Një pallto e vjetëruar, ashtu si dhe kostumi, që kishte veshur ja mbanin trupin pak ngrohtë. Këpucët e reja që kishte blerë pak ditë më parë, i ishin ngarkuar deri në mes me baltë e bajga lopësh, sado që mundohej ta zgjidhte rrugën. Fije – fije shumë nga flokët i ishin arratisur dhe shumë sipërfaqe i kishte përfituar balli. Një kapele me vija kishte ngjeshur deri mbi vetullat e trasha. Sytë si thëngjij të shuar pa pikë jete, i nxirrnin në pah pamjen e shpirtit si e zeza e syve të tij”. Ja pra, sesi autori na përgatit për sjelljen e këtij nëpunësi të devotshëm, të ngarkuar nga partia me detyrën e zbulimit të ndonjërit që merrej me punë private dhe shtrimin e atyre, që bënin kontrabandë. Kuptohet që autoritetet e fshatit, sekretari i partisë dhe kryetari i këshillit, shoku Nderim vrapuan për ta pritur e nderuar. E futën në kafenenë që ngjante si ndonjë stallë kafshësh ku qenë rreshtuar në banakun prej dërrasash dy kavanozë, njëri me llokume e tjetri me karamele gjysmë lekshe. Në sallën e shtruar me pllaka shtufi, disa dhe të dala nga koha, kishte vetëm dy tavolina, ndofta të shekullit të kaluar e të krimbura, ku luanin domino katër pleq dhe ku nga plasaritjet e një dritareje dyfletëshe futej era, që i fuste të dridhura edhe vetë të deleguarit. Pasi pinë nga një filxhan, që kafe i thënçin, pasi ajo më shumë ishte prej gruri përzier me qiqëra dhe qan hallet e tyre, kaluan te qëllimi i vajtjes së shokut Ajkun. Drithërat e bukës, orizi dhe sidomos ullinjtë ishin shpallur monopol nga ana e pushtetit dhe kush do kapej me to, edhe pse mund t`i kishte blerë, do të arrestohej. Dhe nga kafeneja, drejt e në mbledhje me popullin, ku zunë vend pas një tavoline mbuluar me një copë që dikur kishte qenë e kuqe dhe ku fshatarët përplasnin duart pas çdo fjalimi, më shumë për t`i ngrohur ato. Folën për rëndësinë e luftës ndaj kontrabandës, shfaqën bindjen e plotë se me partinë në krye do ta fitonin edhe këtë betejë dhe më shumë u morën me Suzusin hallexhiun fytyrëverdhë, pantallonat e të cilit “mbështeteshin mbi një palë skarpinja, ku brenda tyre i dalloheshin një palë çorape të leshta, por të vetmet të pagrisura të thurura nga e shoqja. Trikua mbi këmishën me jakë të mballosur që kishte veshur si më të mirën për mbledhje, jo vetëm që kishte ndërruar ngjyrën, por kishte marrë pamjen e një harte të shumëpërdorur… Pantallonat të mbërthyera me një pullë të madhe palltoje e gjetur diku në rrugë dhe pa rryp. Pulla e shtrëngonte aq shumë, sa i tregonte se barku ishte i çfryrë prej disa ditësh. Një mballomë e madhe ia varte ca si tepër pantallonin në prapanike”. Dhe ja, këtij njeriu i drejtonin kërcënueshëm fjalët: “Na fol pak si e bëre kontrabandën e misrit, duke e ditur se blerja e shitja e drithrave bujqësore është monopol i shtetit dhe quhet treg i zi?” Dhe i ziu fshatar që nuk e di se çdo me thënë kontrabanë, mbrohet duke thënë se ne këtu i luftojmë bandat, kurse ajo puna e misrit ka një vit e gjysmë dhe akoma kujtohet edhe pse ju ma morët që të hajë dikush atje në qytet dhe fëmijët e mi të hanë lakra. Apo doni të më diskreditoni akoma. Tek unë u ka mbetur mendja. Dhe kështu vazhdoi kjo mesele gjersa i akuzuari, teksa u ul në karrigen e kalbur, e theu atë dhe i hyri një gozhdë. Por gallata vazhdon me daljen në skenë të Soses, një plake të zgjuar si dreqi, e cila nuk ia përton të deleguarit: “Ç`kërkon nga këta kokalladalët. Nga këta lëkurërrudhurit”? Por shoku Ejkun nuk duroi më dhe iu kthye: “Plakë llafazane. Fashiste. Ti je armike e popullit dhe e partisë… largohu nga kjo sallë me fshatarë të nderuar”. Por plaka Sose nuk ia përton t`ia kthejë: “Do largohem mor i deleguari ujk, por ti më ha bajgat mua”. Dhe ja ashtu; ca me kritika, ca me të qeshura e ca me premtime, mbyllet mbledhja, por komedia vazhdon kur të deleguarin e çojnë për të fjetur te shtëpia e Armandit, gruaja e të cilit e kishte ruajtur një grusht oriz dhe do t`i bënte një birjan që të lëpinte gishtat. Por kur era e birjanit që piqej në saç, po i shponte hundët, i deleguari, serioz e pyet të zotin e shtëpisë: “Shoku Armand, ku e gjete orizin që paskeni pjekur këtë tavë?” Dhe Armandi i zënë ngushtë, i përgjigjet se unë po të nderoj e ti po më kërkon llogari? Dhe siç ishte, e rrëmben tavën dhe e flak nga dritarja, ku sulen derri dhe qeni i shtëpisë, duke iu drejtuar Ujkanit me inat: “Ja ku e kam gjetur, more shoku i deleguar”. Dhe i tha të hante bukë misri me ullinj dhe ullinj do të hante në çdo fshat ku do ta dërgonin, po qe se do të vepronte kështu. U bë pishman i deleguari, por sa para bënte. E lexon tregimin e të talentuarit Kostandin Voglit dhe dashje pa dashje mendja të shkon te situata, pra rrethana jetësore që krijon Nikollai Gogoli te kryevepra e tij “Revizori” kur acarohet gjendja e personazheve sapo mësojnë ardhjen e revizorit të vërtetë. Por tregimi i shkruar nga Kostandini më kujton edhe diçka tjetër; atë që thosh humoristi tjetër amerikan Steven Wright: “Shumë komikë përpiqen të imitojnë të tjerët. Unë mundohem të imitoj hijen time”.