Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Z. Zholi: Kurthet e jetës

511
Sigal

Telefonata më erdhi në mesnatë. Zemra më goditi fort, siç mund të ndodhe kur në vendin tënd ndodhin të pandodhurat dhe ti je në emigracion në Greqi.

-Albert ti je?- më erdhi në vesh një zë ngashërues.

-Unë jam!- u përgjigja, në pritje ankthi.

– Berti, jam Asimi, shoku i shkollës, Asimi jam,- dëgjova zërin e shokut.

-Nga Italia flet? – (shoku im prej kohësh kish emigruar në Itali).

-Jo, flas nga Shqipëria. Kam tetë ditë që jam kthyer nga Brindizi.

-Pse u ktheve? Kishe ndonjë hall?

Zëri i tij u bë më i zvargur e i lënduar dhe unë mezi prisja fjalët e tij; “…U ktheva nga Italia se më telefonuan. Komshija më telefonoi:

– Ke vajzën sëmurë, më tha. Të nesërmen u nisa. Mezi prisja që të shihja vajzën gjashtë vjeçe. Nga shtëpia nuk dinte njeri se do të veja …Kur arrita poshtë pallatit thirra:

– Bora, Bora…!- siç i flisja gjithmonë kur kthehesha nga puna …Në dritare nuk doli njeri …
-Bora, Më dëgjon apo jo ? -As Bora as gruaja nuk doli … Kur po ngjisja shkallët më doli para komshija. Ajo më tha se gruaja me vajzën kishin ikur nga shtëpia. Shtëpinë e kish shitur gruaja dhe tashmë rrinte me qira. Lekët i kishte vënë tek Sudja dhe i kishte humbur. Vajza nuk ishte sëmurë. E mori nusja me vete pa më thënë pse. Më duket se ma kanë grabitur edhe vajzën. ( ai nisi të lotonte në telefon).

– Nuk ke më vend këtu,- më tha gruaja. Ti ike në Itali dhe humbe.

-Po nuk i kishe marrë ndonjëherë në telefon? – e pyeta, unë i revoltuar dhe me keqardhje për atë shkatërrim familjeje.

-Po unë kisha biseduar me Dianën, kur ika në Itali… I kisha thënë do të marr kur të mund. Për ju po iki, të siguroj ca para.

-Kishe biseduar, por pastaj e harrove ?!. -i fola përsëri unë.

– Ato mundësi kisha. Isha pa dokumente. Nuk mund të dilja vend dhe pa vend. Ne ramë dakord. Unë e di se çfarë kam hequr i papunë e i pa familje. Mendoja të bëja ca para e të kthehesha. Por mbeta pa shtëpi e pa familje. Edhe Borën nuk e takova dot. Më dhemb shpirti për vajzën. Nuk i them dot të gjitha Berti, një skenar i çuditshëm si nëpër filma. Tashti jam i vetëm. Në Itali nuk mund të kthehem. Mund të më presësh po të vij dot në Athinë?!

I ktheva përgjigje se e prisja.

Si është bërë jeta kështu? Si një lodër, si një lodër tallëse me jetën?…-mendova pasi mbylla telefonin. Dhe gjumi nuk më zuri më.

Kush kishte të drejtë?!