Prof.dr. Bardhosh Gaçe: Bota shpirtërore e publicistikës së Bashkim Koçit

154
Sigal

Gazetari i mirënjohur Bashkim Koçi është një emër i përveçëm në publicistikën shqiptare. Qysh në rininë e tij, ai u shfaq në shtypin shqiptar të kohës, me zërin dhe individualitetin e vet, duke e përcjellë jetën shqiptare me bujarinë, fisnikërinë dhe vizionet e një shpirti të lirë, të drejtë dhe një intelektuali qytetar të guximshëm. Kushdo që sjell ndërmend botën publicistike të Bashkim Koçit, rikujton tablotë e gjera të jetës shqiptare, njerëzit e punës, trimërisë dhe vetmohimit për jetën shqiptare, mbushur me optimizëm dhe vizionet e së ardhmes. Në këtë kuptim, emri i Bashkim Koçit u rendit  në plejadën e mençur të gazetarisë shqiptare si: Petro Marko, Vangjush Gambeta, Hamit Boriçi, Arshin Xhezo, Sefedin Çela, Xhevahir Spahiu, Dritëro Agolli, Bedri Islami, Moikom Zeqo, Duro Mustafai, Llambro Ruci e mjaft të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në mjeshtërinë e publicistikës sonë. Një nga tiparet, që shpërfaqet edhe në këtë përmbledhje publicistike të Bashkim Koçit nën titullin “Emra që mbetën”, është prirja e tij për t’i falur kohës dhe njerëzve me fakte, dëshmi, ngjarje e bëma, duke e parë të vërtetën dhe realitetin shqiptar në sy, si një fakt dramatik edhe të kohëve moderne e tranzicionit tonë. Publicistika e Bashkim Koçit është e larmishme, me një botë tematike të gjerë, ku nëpërmjet alegorisë dhe groteskut herë-herë zbërthen ngjarje të befasishme të zbuluara nga syri dhe mendja e mprehtë e autorit. Kjo dhunti e këtij publicisti është e lidhur gjithsesi me shpirtin luftarak e atdhetar të trevës, që e lindi dhe e rriti, Prishtës dhe Skraparit, njohur në të gjithë vendin tonë për trimërinë, guximin, fjalën e mençur e bujarinë. Në një varg veprash, që ka botuar publicisti Bashkim Koçi, një vend të gjerë zë shpirti liridashës i banorëve të kësaj treve e më gjerë, i cili ka ushqyer përherë te shqiptarët atdhedashurinë. Në krijimtarinë e larmishme dhe letrare të Bashkim Koçit, krahas tablove të gjera të jetës shqiptare, vizatohet me ngyra të forta edhe shqetësimet dhe preokupimet e tyre, endërrat dhe dëshirat për të parë Atdheun e tyre punëtor e intelektual, në krah të integrimit europian. Por në rrugët e këtij koncepti publicistik, qëndrojnë portretet e njerëzve të shquar të kohës, atyre që sakrifikuan në vitet e stuhishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si Kozma Naska, Xhevahir Spathara, Shpresa Fuga, Sherif Klosi, Sokrat Bufi, Shaqir Kapinova, Ramiz Mustafa, Kapo Lena e shumë të tjerë, të cilët pikturohen në epikën e kësaj epopeje legjendare. Mesazhet e heroizmit të tyre popullor përcillen për brezat si një amanet i patjetërsueshëm. Një vend të gjerë në shkrimet publicistike të këtij autori zënë edhe njerëzit e kohëve moderne, si veterani Odhise Porodini, inxhinieri Jorgo Dardeli dhe tragjedia e Muzinës në Luftën e Dytë Botërore, ajo e Hulusi Hakos, prof, Adem Salillarit, që “plaket” duke bërë shkencë, specialistit të mirënjohur Skënder Kuçi, agronomit të Dangëllisë Xhemal Dautit etj. Në këtë sfond të thellë të jetës shqiptare, në punën e ergjendtë të Bashkim Koçit, zenë vend edhe intelektualë e veprimtarë të çmuar shqiptarë si Dhimitër Shtëmbari, piktori Sulejman Prrenjasi, poligloti Janko Pali, aktori i akrobacisë Kosta Papanikolla, të cilët janë profile të spikatura të jetës sjhqiptare. Mendimi i publicistit Baskim Koçi shquhet edhe për lëvrimin e llojeve të ndryshme, si: reportazhi, skica, portreti, fejtoni, pamfleti, esse, skica etj., ku gjallon jeta shqiptare me të vërtetat dhe zhgënjimet e saj. Pikërisht në këto gjini, del më në dritë edhe shpirti i lirë e autentik i autorit në përshkrimet dhe deduksionet për peisazhet natyralë dhe shpirtërorë të shqiptarëve. Fjala e tij gdhend si me daltë, Prishtën pa vjeshtë, shpirtin tardicional e artistik të Levanit dhe Kalivçit në Tepelenë, natyrën turistike të Golemit në bregdetin e Durrësit, ku nxjerrin krye detaje, portrete e rrëfime të mrekullueshme. Gazetari mjeshtër Bashkim Koçi, me përvojën e vet publicistike, mbetet një qëmtues i rrallë i ngjarjeve e subjekteve, ku personazhe të tilë si: Rukie Rama-me fatin e saj dramatik, prof. Hamit Boriçi, Selam Hodaj “i Çorrushit”, Flamur Baze, Enver Isufi, Shefqet Meko, Asqeri Llanaj, Luman Caka, Vullnet Skëndaj, Gjovalin Gjeloshi, Gëzim Voda, Hasan Çela etj., dritërojnë përmasat dhe vizionet e njerëzve që bartin intelektualizëm dhe përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie guximtare, mbi të gjitha me një humanizëm të rallë. Në përgjithësi në publicistikën e Bashkim Koçit vizatohet bota qytetare me shpirtin e saj liridashës, human dhe shoqëror, pasi ai e sheh profesionin e vet edhe si një mision intelektual, për t’i falur kohës dhe shqiptarëve me zërin e tij të fuqishëm, si një misionar i vërtetë në proceset e reja europiane, për liri, drejtësi  e dinjitet njerëzor.