Luan Rama: Një portret i Skënderbeut në Beauregard

146
Sigal

 Ky portret nuk është ai që gjendet në Galleria degli Uffici në Firenze, por një portret tjetër i Skënderbeut në kështjellën e Boregard-it (Beauregard) në Francë. Dhe kjo është një e papritur e bukur për ata pak shqiptarë, që mund të vijnë gjer këtu në thellësi të Francës, duke ndjekur rrjedhën e Luarës që çan përmes fushave dhe pyjeve të pamata. Përgjatë këtij lumi, mbretërit dhe princat mesjetare francezë kanë ngritur mjaft kështjella hijerënda e madhështore, që sot janë krenari e Francës, si ajo e Chambord, Chenonceau, Amboise, Chamon, etj. Kështjellën e Chambord-it, Chatobriani,(Chateaubriand) i mahnitur nga ajo, e ka cilësuar “si një grua që era i merr flokët.” Ndërsa akoma më në thellësi, kështjella e Boregard-it, e cila ruan koloritin e Renesancës, nuk e ka pasurinë dhe madhështinë e tyre. Ajo është fshehur mes pyjeve të Chambord-it ( një rezervat sot për gjuetinë presidenciale) dhe ashtu e fjetur ruan në vetvehte ngjarje e histori nga jeta e mbretërve të Francës. Pikërisht këtu mblidheshin “mosketierët” e lavdishëm, apo Rishelieja i famshëm e princër të tjerë. Megjithatë po mos të kishte “Galerinë e portreteve”, vështirë që kjo kështjellë do të hynte sot në rrjetin e muzeumeve që u ofrohen vizitorëve të huaj. Pronarët e saj të sotëm janë konti dhe kontesha Pavijon (Alain Pavillon). Por historia e saj zë fill këtu e katër shekuj më parë.

Në fillim të shekullit XVI, ishte mbreti François i I që bleu tokën e Beauregard për ta pasur si një pikë gjuetije. Më 1545 Jean du Thier, sekretari i shtetit te Henri II, e mori dhe e zgjeroi kështjellën primitive. Intelektual dhe mik i Ronsard, poetit të madh francez, ishte pikërisht ai që e zbukuroi këtë kështjellë. Por ai që krijoi “Galerinë e portreteve”, ishte Paul Ardier, një ish ministër i mbretit Henri IV. Kur ngjitesh në katin e dytë të kështjellës, gjen një sallon të madh, unikal në Francë nga mënyra se si rrethohet nga të katër anët me portretet e njerëzve të mëdhenj të disa shekujve. Janë 327 që rrokin një epokë të gjatë, portrete që nga koha e Filip de Valua e deri tek Luigji i XIII, (1328 – 1643). U afrohesh portreteve dhe diku mes tyre, prane imperatorit të fundit të Konstandinapojës, Kostantini, sheh të vendosur portretin e Skënderbeut,”George Castriote, dit Scanderbeg”. Në krah të tij, vështrimi bije mbi Huniadin, “governator de Hongrie”, siç shkruhet poshtë portretit, aleat i dikurshëm i Skënderbeut kundër hordhive osmane. Sipër tablosë së Skënderbeut, shquhet ajo e Murat Mehmetit të II-të, me një kokë të rrethuar me çallme, pastaj Henri i V, mbret i Anglisë, Ferdinandi II i Napolit, etj. Duke kaluar nga një epokë në tjetrën dhe nga një portret në tjetrin, sytë ndalen edhe në portretet e Papa Klementit II, mbretit Filip të Spanjës, tek ministra të luftës apo diplomatë të mëdhenj, princër etj, siç është rasti i anzhuinëve, Comte d’Anjou.

Sipas të dhënave historike, gjithë ky grup portretesh është realizuar nga një grup piktorësh që atëhere punonin në atelierin e Paul Ardier dhe sipas kërkesave të tij. Ai i furnizonte ata me gravura të mbretërve, sulltanëve e perandorëve të ndryshëm, të cilat kopjoheshin e realizoheshin me besnikëri e mjeshtëri artistike. Sigurisht pas disa shekujsh është vështirë të gjesh se cila gravurë ka shërbyer si kopje, dhe cilit piktor i përket ajo. Megjithatë duke vëzhguar këtë portret të Skënderbeut me mjekër dhe në moshë të thyer, kupton se ai afrohet shumë me ato pak gravura të vjetra të asaj periudhe dhe që mendohet se janë besnike të portretit real të Skënderbeut. Kaq e famshme u bë kjo “Galeri e portreteve” në atë kohë, saqë kur mbreti i Francës Louis Filippe ndërtoi Versajën dhe muzeun e quajtur “Lavditë e Francës”, ai kërkoi t’i riprodhoheshin disa nga portretet e kësaj galerie. E mbushur nga të katër anët e mureve me portretet që ngjiten gjer në cep të tavanit, vizitori që vjen në Beauregard udhëton aq shpejt nëpër kohra saqë brenda një kohe të shkurtër përjeton një periudhë disa shekullore. Pikturat janë punuar në vaj dhe emrat e piktorëve anonimë sot është e vështirë të deshifrohen. Krijimi i tyre në fakt ka filluar në shekullin XVII,dhe pikërisht në vitet 1620-të. E vetmja e metë e kësaj galerie, që e zemëroi atëherë shkrimtarin e shquar francez Rabelais, ishte se aty nuk figuronin portretet e artistëve të mëdhenj të kohës, ç’ka për të ishte diçka fyese dhe poshtëruese. Aktualisht këto portrete kanë filluar t’i restaurojnë, restaurim ky që do të zgjasë për një periudhë ndoshta 20 vjeçare. E megjithatë, duke parë portretet e restauruara e gjithë shkëlqim, në krahasim me tablotë e vjetra,sepse ndjen sikur personazhet i kanë larguar nga epokat e tyre, kohrat kur ata kanë jetuar realisht.