Laureta Petoshati: Universi poetiko-meditativ i Alisa Velaj në vëllimin poetik “Harrim në katër sy të bukur”

Në poezinë e Alisa Velajt, çdo varg është një dritë, një valë, një frymë që rrjedh nga brendësia e shpirtit drejt lexuesit. Vëllimi “Harrim në katër sy të bukur” nuk është thjesht një tufë poezish, por një udhëtim shpirtëror, një përpjekje për të kapur rrjedhën e jetës, kujtesën dhe heshtjen që e bën lexuesin të ndjejë një përvojë të thellë dhe meditative.  Mund të thuhet se kemi të bëjmë me një vëllim me koherencë të fortë simbolike, ku fjalët-kyçe si drita, deti, qiparisat, harrimi, etj,  nuk janë rastësore, por funksionojnë si nyje semantike që mbajnë të bashkuar universin poetik.

NOA

Një nga temat qendrore është drita, e natyrës, shpirtërore dhe intelektuale, një energji që shfaqet në poezitë “Tek dritës, tej hijeve”, “Fike atë dritë”, “Sa të ikë dielli”, “Njëherazi feks”, “Heshtje të diellta”, “Në retinë të dritës”, “Klithma e dritës” dhe “Si drita mbi kulme”. Në këtë të fundit, lexuesi ndjen një bashkim të imazhit natyror me ndjenjat:

“Të vijë dashuria si drita mbi kulme / Të rritet dashuria si klithmë pulëbardhe mbi valë…”.

Këtu drita nuk është thjesht fenomen natyror, por ajo bëhet simbol i dashurisë, i shpirtrave që lidhen dhe i hapësirës ku ndihet prania e jetës.  Dielli shfaqet si parim drite, vetëdijeje dhe zbulesë, por shpesh edhe si forcë djegëse që zbardh dhe shteron kujtesën.

Deti shfaqet gjithashtu si një element qendror poetik, jo vetëm peizazh, por frymë e jetës dhe kujtesës, i ndërtuar mbi eksperiencën e rritjes së poetes në bregdetin e Vlorës. Në poezitë “Me det nëpër duar”, “Si detarët”, “Det i bukur si njeri”, deti është bashkëudhëtar, një partner i heshtjes, i dashurisë dhe i reflektimit. Në poezitë  “Himn”, “Të gjitha dashuritë” dhe “Ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë”, deti rrjedh si metaforë e ndjenjës së pashtershme, duke përçuar emocione që shkojnë përtej fjalëve:

Po unë e kisha detin tim të dashurisë./ U zgjova,/ u zgjova sërish,/ derisa u kthjellova për fare./ Harrova gjithë dritën e hënës së ftohtë/ dhe iu përfala diellit,/ harruar sa kohë aty pas shpirtit.|

Motivi i qiparisit përbën një nga boshtet simbolike më të qëndrueshme në poezinë e Alisa Velajt, duke funksionuar jo vetëm si fjalë-kyçe poetike, por dhe si shenjë ontologjike e ndërmjetësimit mes jetës dhe vdekjes, kujtesës dhe harresës, kohës dhe përjetësisë. Në traditën poetike botërore, qiparisi shfaqet si figurë e zisë dhe e heshtjes metafizike te Giacomo Leopardi, si pemë-prag e kalimit ontologjik te Rainer Maria Rilke dhe si element ritual elegjiak te Federico García Lorca. Në poezinë shqipe, ai është i pranishëm në ligjërimin metafizik të Lasgush Poradecit, në dimensionin memorial te Fatos Arapi, si dhe në përdorimin mitik e arkeologjik te Moikom Zeqo dhe Xhevahir Spahiu. Në këtë vazhdimësi intertekstuale, Alisa Velaj e rimerr qiparisin jo si element statik peizazhi, por si subjekt poetik të gjallë. Në poezitë e saj, qiparisi antropomorfizohet: ai qan, lutet, pëshpërit psalme dhe bart peshën e kohës njerëzore. Kështu, natyra shndërrohet në hapësirë të kujtesës kolektive dhe të ankthit ontologjik, ku dhimbja individuale universalizohet. Përdorimi i përsëritur i këtij motivi krijon një koherencë të brendshme poetike, duke e shndërruar qiparisin në shenjë identitare të ligjërimit të Velajt që marrin një vend të veçantë në këtë univers poetik. Ato shfaqen qysh në tituj si “Qiparis, qiparis i deteve të vetmisë”, “Qiparis në pragun e detit”, “Mëngjes pa qiparisa”. Qiparisat nuk janë thjesht pemë, por simbole të kujtesës, vetmisë dhe reflektimit mbi kohën. Qiparisi, me ngarkesën e tij kulturore dhe funerale, ndërton një aks vertikal mes jetës dhe vdekjes, kujtesës dhe heshtjes, duke u bërë figurë e qëndrueshmërisë dhe e dhimbjes së përmbajtur.

Në poezinë “Harrim në katër sy të bukur”, vargu:

“Janar – burrë i menduar, qiparis në oborre kishe…” përmbledh këtë simbolikë dhe lidhet me temën e harrimit, ku harrimi nuk është mungesë, por ruajtje e kujtesës dhe e integritetit shpirtëror dhe mbi të gjitha si proces poetik dhe ekzistencial, si një mënyrë mbijetese dhe një formë tjetër e kujtesës. Përsëritja e këtyre figurave krijon një peizazh të brendshëm ku poezitë dialogojnë mes tyre, duke e shndërruar vëllimin poetik në një cikël meditativ.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se poetja Alisa Velaj me këtë vëllim ndërton një mitologji personale të dritës dhe harrimit, ku natyra, me detin dhe qiparisat, shërben si gjuhë e shpirtit dhe poezia si akt përkujtimi përmes harresës.

Por ky vëllim ka disa poezi antologjike, përfaqësuese, të cilat duhen parë dhe analizuar pak më shumë se të tjerat.

Një  poezi e tillë është ajo e titulluar “Bymehu në ujëra, Shpirt!”, ku subjekti lirik ftohet të bymehet në ujë, të bëhet frymë dhe qiell, të bëhet vetë deti:

“Po bien këmbanat, Shpirt, / Ti bymehesh në ujë e frymë/ e bëhesh qiell, avuj e brymë. / Digjen qirinjtë e çasteve të shuara, / amëshohesh ti, e det më bëhesh det.”

Metaforat e ujit dhe oqeanit përçojnë transcendencën shpirtërore, ndërthurjen e njeriut me universin. Oqeani dhe shtegtari, i dashuri dhe padashuria notojnë së bashku dhe krijojnë një hapësirë shpirtërore të pafundme.

Ndërsa poezia “Ankthe të ujëta” përfaqëson një poezi me ngarkesë të theksuar ontologjike, ku koha konceptohet jo si kategori kronologjike, por si përvojë ekzistenciale e fragmentuar, ku kohët copëzohen dhe shfaqet konflikti i brendshëm:

“Unë kohën për ty nga nëntoka do ta nxjerr,/ do t’i bëj banjo dherash/ këngës së përmallur të pritjes/ pleksur me harrime baltash/ e rrënjë bimësh të panjohura./ S’ke kohë të ikësh, s’ke kohë të vish,/ lotët qiparisave ua fshiva një nga një.” Metafora e ditës që “thyhet” dhe shpërbëhet “si qelq i zbehtë” shënjon krizën e qenies përballë përkohshmërisë, duke e zhvendosur subjektin lirik në një gjendje pezullimi mes ardhjes dhe ikjes, ku mohohet zgjedhja. Simbolika e nëntokës, e dherave dhe e rrënjëve ndërton një hapësirë arkaike të kujtesës dhe harresës, ku koha përjetohet si materie e varrosur. Figura e “banjos së dherave” për këngën e pritjes sugjeron një ritual pastrimi përmes dhimbjes, që e shndërron pritjen në përvojë ontologjikisht të rënduar. Qiparisat, si simbole funerale dhe të përjetësisë, artikulojnë një kor psalmodik, që e zgjeron përvojën individuale në dimension kolektiv. Figura paradoksale e diellit të vdekur, që ngryset plak dhe gdhihet fëmijë, sintetizon ciklin e qenies mes shuarjes dhe pafajësisë së humbur. Poezia është ontologjike në shqyrtimin e marrëdhënies qenie–kohë–harresë dhe antologjike në universalitetin simbolik dhe arkaik të ligjërimit. Poezia “Heshtje të diellta” e Alisa Velajt është një meditim i thellë metafizik mbi raportin mes heshtjes, vetmisë dhe pranisë shpirtërore. Që në vargun hapës, adresimi “Si të jenë heshtjet, ashtu është shpirti, imzot”, i jep poezisë një dimension lutës, por jo dogmatik: është një dialog intim, i pasigurt, i mbushur më shumë me druajtje sesa me besim të qetë. Lëvizja e poezisë kalon nga errësira drejt dritës, nga frika drejt një lloj pajtimi të brendshëm. Terri dhe “brigjet e territ” përfaqësojnë zonën e pasigurisë ekzistenciale, ku heshtja merr trajta të frikshme: “parfum–lule–thikë”. Ky varg, me referencë nga Federiko Garsia Lorka, është një metaforë trefishe që përmbledh bukurinë, ndjeshmërinë dhe dhimbjen në një të vetme. Heshtja këtu është joshëse dhe kërcënuese njëkohësisht, si një hapësirë ku shpirti mund të plagoset. Figura e “kandilave të detit” që faniten në ujërat e natës është veçanërisht domethënëse: krijesa drite, por pa kockë, të bukura dhe djegëse, që mishërojnë frikën nga ndriçimi i rremë dhe nga ndjeshmëria e pambrojtur. Kjo frikë nuk mohohet, përkundrazi pranohet hapur: “Kam frikë, aty imzot.” Kjo e bën zërin poetik njerëzor, të thyeshëm, larg çdo patetizmi. Kthesa vendimtare e poezisë ndodh me shfaqjen e “heshtjeve të diellta”. Këto nuk janë më heshtje errësire, por heshtje të dritës, të pjekura, të stivosura “si dru dimri”. Krahasimi është thelbësor: drutë e dimrit janë rezervë jete, ngrohtësie dhe mbijetese. Po kështu, këto heshtje janë vetmi të grumbulluara, të shkulura nga toka, por që mbartin energji të brendshme.

Paradoksi poetik thellohet në vargun: “Vetmi janë, bija vetmish, / por në shpirt janë cit me klithma drite.” Heshtja dhe vetmia nuk paraqiten si zbrazëti, por si hapësira të mbushura me dritë të pashprehur. Klithma nuk është më dhimbje, por dritë, një tension i brendshëm që nuk kërkon patjetër zë.

Metafora e oazeve e lidh përvojën shpirtërore me mbijetesën ekzistenciale. Heshtjet e diellta janë vende shpëtimi për “shtegtarin e shkretëtirës”, figura e njeriut që ecën në mungesë, në thatësirë ku “shirat u thanë tre vjet rresht”. Këtu poezia flet për qëndrueshmërinë e shpirtit dhe për besimin jo si përgjigje, por si vazhdim ecjeje. Prania e heshtjeve të diellta e përjashton zbrazëtinë totale. Kjo është një poezi mjaft e arrirë sepse arrin në një mesazh të thellë që tregon se heshtja nuk është fundi i fjalës, por forma e saj më e thellë.

Në poezinë që mban emrin e vëllimit, “Harrim në katër sy të bukur”, bashkohen të gjitha temat: drita, deti, qiparisat, heshtja, dashuria dhe harrimi:

“Jo, nëntor, janar është./ Fillimi i ditëlindjes së harrimit / dhe i mpakjes së trishtimit tonë. /Kohë  kur lëmë peng sytë tanë të bukurisë. /Peng lëmë fjalët dhe ofshamat. / Dhe  fytyrat, peng të dimrit..”

Kjo poezi është kulmi shpirtëror i vëllimit, ku lexuesi ndjen ritmin e brendshëm të shpirtit dhe ku çdo element natyror shërben si reflektim dhe metaforë e përjetimit emocional.  Kjo poezi ndërton një ligjërim poetik ku koha, ndjenja dhe kujtesa nuk funksionojnë sipas rendit linear, por sipas një logjike të brendshme emocionale. Muajt nuk janë shenja kalendarike, por një sistem simbolik që artikulon gjendje shpirtërore të ndryshme, duke e vendosur subjektin lirik në një hapësirë tranzicioni midis dashurisë së shkuar dhe harrimit të pashmangshëm. Janari shfaqet si figura qendrore semantike e poezisë. Ai nuk përfaqëson thjesht fillimin e vitit, por një gjendje të ftohtë dhe të menduar të ndërgjegjes. Vargu me atmosferë metaforike “Janar – burrë i menduar, qiparis në oborre kishe” e zhvendos kohën në territorin e antropomorfizimit dhe sakralitetit dhe e vesh janarin me solemnitet, heshtje dhe qëndresë ndaj emocioneve të tepërta. Ky janar nuk vajton bukurinë e shkuar, përkundrazi e pranon mbarimin e saj. Në kontrast me janarin, muajt e vjeshtës si shtatori, tetori, nëntori përfaqësojnë hapësirën e ndjenjës së gjallë, të trishtimit estetik dhe të dashurisë së zjarrtë. Figura e “zogut të trishtimit” dhe më tej “zogu i vjeshtës” shndërrohen në një metaforë të ndjenjës së brendshme, të këngës së pashprehur, që nuk shuhet, por ngujohet në kraharor, si një kujtesë e ruajtur për një kohë tjetër. Një nga pohimet më të forta poetike të kësaj poezie është ideja se trishtimi ka qenë burim bukurie. Subjekti lirik e pranon se dashuria e jetuar “me zemër” është e përkohshme dhe pikërisht për këtë arsye kërkon të mbillet herët, madje edhe për kohën e harrimit. Këtu poezia e Velajt shmang romantizimin sentimental dhe zgjedh një qasje të vetëdijshme ekzistenciale, ku ndjenja nuk idealizohet, por kuptohet si proces i përkohshëm, trupor dhe i kufizuar në kohë.

Titulli “Harrim në katër sy të bukur” përmbledh me saktësi poetike thelbin e poezisë. Harrimi nuk është akt i dhunshëm, as mohim i së shkuarës, por një gjendje e përbashkët, e heshtur, që ndodh përmes shikimit. Sytë mbeten hapësira e fundit e bukurisë, vendi ku dashuria që ka qenë vazhdon të ekzistojë si kujtim i mpakur, por ende i ndritshëm.

“Harrim në katër sy të bukur” është një poezi që flet për fundin e ndjenjës, e cila e shndërron harrimin jo në humbje absolute, por në një formë tjetër të kujtesës: më të qetë, më të ftohtë, por thellësisht njerëzore. Në poezinë “Ndryshe e dëgjova zërin e dashurisë”, dashuria shihet si provë shpirtërore: “Mijëra ujq më ulërinin në shpirt/ e prapë shpirti më mbetej shpirt …

Ujk, natë, hënë e ftohtë,/ e një varkë që më premtonte dete të tjera…/ Po unë e kisha detin tim të dashurisë…”

Këtu  vargu: “ujq, natë, hënë, varkë” krijon një udhëtim shpirtëror, ku dashuria ruhet si det i brendshëm dhe i pashtershëm.  Alisa Velaj, jo vetëm te këto poezi përfaqësuese, por në krejt vëllimin e saj poetik përdor metafora intensive, ekstensive dhe konceptuale, madje dhe sinestesinë, që është figura letrare ku përshkruhet një ndjesi duke përdorur veçori të një ndjenje tjetër, që bashkon shqisat për të krijuar një imazh ose efekt emocional më të fuqishëm, si në togfjalëshat poetikë: “Muzg i burrëruar”, “breg i diellit”, “klithma drite”, “Ankthe të ujëta”, etj. Ato krijojnë efekt ndijor të thellë, ku lexuesi ndjen ngrohtësinë, dridhjen dhe heshtjen njëkohësisht. Përdorimi i metaforave biblike, si në poezitë “Si vezë pashke”, “Harrim në katër sy të bukur” , “Bymehu në ujëra, Shpirt!”, e lidh shpirtin me dimensionin transcendental, duke e bërë universin poetik një hapësirë reflektive dhe shpirtërore.

Në mënyrë të natyrshme, rrjedha poetike e Velajt mund të krahasohet me poetin Federico García Lorca, për sinestezitë dhe metaforat intensive, për universin simbolik dhe dramatik, me poetin Paul Celan, për thellësinë shpirtërore dhe gjuhën si hapësirë meditative dhe me poetin Frederik Rreshpja, për tonalitetin meditativ dhe përdorimin e natyrës si metaforë e përjetimit emocional.

Megjithatë, Alisa Velaj krijon një identitet unik poetik, duke bashkuar dritën, ujërat, qiparisat, heshtjen dhe harrimin në një univers shumëdimensional, ku lexuesi ndihet i zhytur në rrjedhën e shpirtit dhe të imagjinatës së poetes.