Ismail Xhaferi: Ti je një re në syrin tim

20
Sigal

Ti je një re në syrin tim;

një re e bardhë si dëborë.

Unë dorën zgjat të të prek,

a preket vallë reja me dorë?!

Ti je një re në syrin tim,

që zbret ngadalë në netët blu,

sa herë që unë nis e zgjat dorën,

tretesh ngadalë e humb diku…

Ti je një re në syrin tim,

dhe mall i beftë si në një ëndërr.

Sa herë që nata mbyll qerpikët

më bëhesh dhimbje, shkon në zemër.

Ti je një re në syrin tim:

(O zot ç’magji që bëjnë gratë!)

Ti je një yll në qiej endrrash,

ti je një dhimbje kaq e gjatë.

Ti je një re në syrin tim,

që asnjëherë nuk m’a zë dritën!

Po mbyll qerpikët dalngadalë,

sepse kam frikë se mos më ikën.