Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh M. Muçi: Një aventurë e bukur “çiklistike”

708
Sigal

Kisha shumë vite që kur kisha mësuar biçikletën, një ditë të diel, kur shkoja për vizitë tek një bashkëfshatari im, në Tiranë, Hera-herës e përdorja kur më duhej të shkoja të takoja motrën e vetme të martuar, që banonte në ish-Kombinatin “Josif Pashko” në Laprakë. Mbaj mënd, në një ditë me shi kisha marrë me qera një biçikletë, e cila nuk i kishte pasur frenat të mira. Diku afër shinave, për ata që e dinë atë rrugë, përballë kisha një vetëshkarkues sikurse quheshin makinat e transportit të betonit, dhe një shitës hallvaxhi, që më kishte zënë krahun në pjesën time të rrugës. Më duhej të frenoja, por e kisha të pamundur, veçse kurpërplasem me “hallvaxhiun”, dhe tepsia me hallva i bie nga duart, por për fat nuk u shpërndanë, sepse i kishte mbuluar me një copë plastmas të kapur fort me llasstik, për t’i mbrojtur nga shiu dhe u “shpëtuan” nga balta e krijuar buzë rrugës, në kanalin pranë. Çuditërisht, kur fajtori ishte ai që kishte kaluar në krahun tim të djathtë, por dhe unë sado pak që kisha biçikletën pa frena, mendonte më shumë për hallvat që i shpëtuan pa u shpërndaarë në kanal, se për jetën e tij dhe timen, të rrezikuara që mund të kishim përfunduar në rrotat e vetshkarkuesit. Një aventurë që do të më kish kushtuar jetën, por jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër, sikurse thotë populli, mbase duhet të jetë e vërtetë. Ndërsa kjo nuk ishte e vetmja, sepse pas shtatë vitesh do ndodhte një aventurë tjetër me biçikletë, por krejt ndryshe nga e para. E dyta nuk do të ishte e rastësishme, aksidentale, atë e ndërmora vetë si një sfidë, në moshë më të rritur kur i kisha kaluar njëzetegjashtë vite. Sapo isha bërë prind me djalin tim Artan dhe kisha blerë një biçikletë të re, kineze. Në shtator të 1970-s, ndodhesha me punë në Vlorë, dhe kisha marrë lejen e zakonshme, kur në Tiranë pritej të luante “Ajaksi” i famshëm. Do të ndeshej për kupat e Evropës me “17 Nëntorin” e mrekullueshëm të atyre viteve. Dhe vendosa, pasi më parë i bëra pyetjen vetes, përse të mos e shikoj dhe unë ekipin më të mirë të Evropës? Kjo ndeshje ka ngelur në historinë e futbollit, jo vetëm të Tiranës, por dhe gjithë shqiptarëve. Rezultati 2 : 2. Nga ky moment nisi aventura. Isha marrë me sport, në veçanti me futboll dhe volejboll, bile në këtë sport nisa të stërvitesha me të rinjtë e “Dinamos” së Madhe, përkrah Rusit, Panteqit, Bonatit, të paarritshëm deri më sot. Dhe kjo për mua ishte sfidë e madhe, që s‘mund ta përballoja, por ja që e kujtoj me shumë nostalgji, sepse e pata fatin të luaj për një kohë krahas tyre dhe vetja më dukej si ata. Pikërisht për të parë këtë ndeshje nisem nga Vlora herët në mëngjes. Me vete kisha pulovrën dhe pompën e biçikletës, e cila ishte fare e re, me besimin se nuk do më ndodhte ndonjë defekt edhe duke qenë i sigurt për fortësinë e mallit kinez. Dhe kështu ndodhi, pa asnjë shqetësim veçse të shalës, i pa mësuar të qëndroja mbi 10 orë udhëtim. Pra mesatarja e “rekordit“ tim ishte 15 km/orë, për 150 km rrugë. Një aventurë e këndshme, kur në fillimet pas saj diskutohej midis shokësh e miqsh, se rallë-herë merrnin nisma të tilla. Sidoqoftë ato nuk harrohen asnjëherë, dhe i kujton me kënaqësi, si aventura tepër të këndshme që të japin besim, se njeriu mund dhe duhet të tregohet me vullnet, në dilema që jeta t’i detyron.