Dopietë e Ronaldos, Juventus ruan kreun me pikë të plota

454
Sigal

Juventusi ka marrë fitoren e katërt në Seria A, pasi mposhti 2-1 Sassuolën. Heroi i bardhezinjve ishte padyshim ylli i kësaj skuadre, Cristiano Ronaldo që shënoi dopietën e tij të parë me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.

Që të shikonim golin e tij të parë me fanellën e Juventusit duhej të vinte minuta e 50-të ku pas një rrëmujë në zonë e depozitoi me lehtësi sferën në rrjetë.

Ndërkohë çerek ore më pas, Ronaldo tregoi dhe njëherë vlerat e tij, ku pas një kundërsulmi fenomenal të kampionëve në fuqi të Italisë lëshoi një diagonale drejt portës kundershtare, duke lënë të shtangur miqtë dhe duke festuar me gjestin e tij karakteristik, “Calma”.

Në minutën e parë të shtesës miqtë tentuan të reagojnë por goli i Babacar nuk mjaftoi për të marrë pikë nga “Allianz Stadium”, stadium i cili është kthyer në mit për skuadrat kundërshtare.

Pas kësaj fitoreje, Juventusi mban vendin e parë në kuotën e 12 pikëve, ndërkohë që Sassuolo pëson humbjen e parë në këtë sezon.