KOMBËTARJA/ Ish-sulmuesi i kuqezi, Ylli Shehu, analizon rrugëtimin në Grupin K, parashikon ndeshjen me Anglinë.
Agron KAJA

Sa e keni ndjekur ritmikën e ndeshjeve të Kombëtares sonë për eliminatoret e “Botërori 2026”, Grupi K?
E kam ndjekur ritmikën e ndeshjeve të Grupit K eliminator në çdo ndeshje. Jo vetëm si një ish-futbollist i Kombëtares sonë, por edhe si një specialist futbolli, ka qënë si një detyrim profesional që ndeshjet t’i ndjek dhe me shumë pasion.
Jeni një ish-sulmues i Kombëtares, si ndjeheni në këtë situatë të skuadrës tonë Kombëtare në këtë grup?
Si çdo shqiptar që e dashuron Kombëtaren, si çdo ish-futbollist që e ndjen peshën e kësaj fanele, edhe unë jam i gëzuar. Ky është hapi i parë për të menduar shkuarjen në Botëror, pasi në Play-off na pret një kundërshtar më i vështirë.
Si e komentoni fitoren me Andorrën, apo thjesht se nga kjo sfidë u arrit qëllimi final?
Ne me ekipet e dobëta si Andorra, nuk na ka ecur shumë. Me kundërshtaërë më të vështirë, Kombëtarja jonë mobilizohet më shumë, luan mirë dhe me shpirt gare. Si ndeshja me Serbinë, apo edhe me Çekinë e Poloninë në kualifikueset në Europian.
Futbollistët që u aktivizuan dhe trajnerin Silvinjo, si do t’i shikonit nisur nga ndeshja me Andorrën?
Për këtë kualifikim, të gjithë futbollistët e zgjedhur nga Silvinjo ishin të duhurit. Thjesht u arrit kualifikimi, dhe të gjithë kanë shkruar historinë e futbollit tonë, të cilët duhet ta vazhdojnë për të shkuar në Botëror. Fitore dhe kualifikim.
Në këndvështrimin tuaj teknik, veç rezultatit, ku mund të ishte më e kujdesshme skuadra jonë Kombëtare?
Në futboll asnjëherë fituesi nuk gjykohet, por teknikisht një ndeshje edhe analizohet në shërbim të përmirësimit për vazhdimësinë. Puna është se në ndeshjet e Play-off duhet studiuar mirë ekipi, sepse do jetë kundërshtar i vështirë.
Serbia u mund nga Anglia 2-0 dhe kualifikimi ynë u arrit, si e përshkruani rrugëtimin në 7 ndeshje të grupit K?
Unë do ta përkufizoja me pak fjalë: Nga Anglia te Andorra, rrugëtimi për Botëror ishte i merituar. Këtë eliminim Serbia duhet ta gjejë te vetja, jo me të tjera justifikime. Ndoshta shpresuan në barazim me Anglinë, por nuk ndodhi.
Po renditjen e 5 skuadrave në këto ndeshje të luajtura, ju si e kishit menduar?
Rivaliteti në Grupin K kishte vetëm mes nesh dhe Serbisë, sepse Anglia u tregua skuadër e madhe dhe e kishte të sigurtë vëndin e parë. Serbia morri atë që kërkoi, ndërsa dy të tjerat nuk mund të shkonin më shumë. Kjo është renditja e merituar për të gjitha.
Në ndeshjen e fundit në Grupin K me Anglinë vijmë si inferiorë dhe anglezët si të pamposhtur, si e mendoni rezultatin?
Nuk mendoj ndonjë rezultat, për mua rëndësi ka që e arritëm synimin për vëndin e dytë në grup. Besoj se do jetë një festë e madhe sportive të dielën, edhe për faktin se me anglezët kemi bilancin më negativ. Një barazim do na japë më shumë ngjyra këtij vëndi në grup.
Po pas ndeshjeve në Play-off, e mendoni skuadrën tonë të kualifikuar në Botëror?
Besoj dhe shpresoj te kualifikimi në Play-off. Futbolli është i bukur dhe i pa parashikueshëm. Duke menduar se ndaj skuadrave më të forta luajmë më mirë, do shpresoja shumë te kualifikimi. Besoj se e meritojmë.
Sondazhi i UEFA-s, Shqipëria favorite ndaj Anglisë
Të dielën në ora 18:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Kombëtarja shqiptare do të matë forcat për herë të dytë në Grupin K me Anglinë. Për këtë sfidë, UEFA ka hapur si zakonisht sondazhin e saj, ku 51% e votuesve besojnë te surpriza e madhe që Shqipëria do të fitojë ndaj Anglisë. “Tre luanët” kanë 38% të votuesve në favor, ndërsa 11% e tyre zgjodhën barazimin. Llogaritë për Grupin K janë mbyllur, si në asnjë grup tjetër.

Arbitri italian Guida, kryesor me Anglinë
Arbitri italian Marko Guida është caktuar që të drejtojë sfidën e ditës së dielë Shqipëri-Angli. Guida do të ketë ndihmën e Giorgio Peretti dhe Alessio Berti, i katërt Simone Sozza, ndërsa në VAR do të jetë italiani tjetër, Marco Di Bello. Si arbitër i FIFA-s, Guida e ka nisur nga viti 2014, ku nuk i kursen kartonët e verdhë.
Kualifikueset-Botërori 2026
Shqipëria në Grupin K
Ndeshjet e luajtura
Angli-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Andorra 3-0
Shqipëri-Serbi 0-0
Letoni-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Letoni 1-0
Serbi-Shqipëri 0-1
Andorra-Shqipëri 1-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 7 21
2.Shqipëria 7 14
3.Serbia 7 10
4.Letonia 7 5
5.Andorra 8 1
Ndeshja e fundit
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 18:00
Anglia për rekord, asnjë gol të pësuar në 7 ndeshje
Të dielën në Tiranë, “Tre luanët” e Anglisë vijnë në “Air Albania” edhe me një rekord në këto 7 ndeshje kualifikuese në Grupin K, pasi ende nuk kanë pësuar gol, ndërsa kanë shënuar 20 herë në portat kundërshtare. Dhe “pikëpyetja” është se, a do t’ja prishë këtë bilanc Shqipëria të dielën, edhe pse në bilancin mes tyre, në 7 ndeshje Anglia ka 7 fitore, golavarazhi pozitiv +21.
Janë luajtur me Anglinë
Datë 8 mars 1989
Shqipëri-Angli 0-2
Datë 26 prill 1989
Angli-Shqipëri 5-0
Datë 28 mars 2001
Shqipëri-Angli 1-3
Shënues: A. Rraklli 90+3’
Datë 5 shtator 2001
Angli-Shqipëri 2-0
Datë 28 mars 2021
Shqipëri-Angli 0-2
Datë 12 nëntor 2021
Angli-Shqipëri 5-0
Datë 21 mars 2025
Angli-Shqipëri 2-0
BILANCI
Nd 7, F 0, B 0, H 7, Golat 1:21
Shqipëria në “play-off”, ja rivalët e mundshëm për Botëror

Një ndeshje përpara fundit, duke iu referuar edhe renditjeve aktuale, Shqipëria e sheh veten për momentin në vazon e dytë në shortin Play-off. Por janë për t’u zhvilluar edhe takimet e tjera e nëse renditemi në vazon e dytë, në mars mund të kemi rivalë si Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnje Hercegovina dhe Kosova, për më tepër që ndeshjen e parë në “play-off” do ta luanim në Tiranë. Por situata mund të përmbyset në ndeshjet në vijim në bazë të renditjes së FIFA-s, ku me shumë mundësi do të pozicionohemi në vazon e tretë dhe përballë do të kishim rivalë si Skocia, Çekia apo Sllovakia, me takimin e parë në transfertë.


















