-“Naftëtari” i ish Q.Stalin ( Kuçova sot), 40 vjet më parë, më 27 Nëntor ’83, mundi “Partizanin” e madh me rezultatin 0-3 në Tiranë.
– Nuk ka lapsus në këtë pohim, “Partizani” i asaj kohe në krahasim me Naftëtarin ishte si me qënë Gjermania apo Barcelona emërmadhe.
Disa rezultate në futbollin shqiptar, të arritura nga ekipi kombëtar, apo skuadra të veçanta të kampionatit tonë, përbëjnë pika kulmore që shërbejnë si pika referimi në këtë sport. Kështu mund të përmendim fitimin e Kampionatit Ballkanik në Tetor të 1946-ës, zhvilluar në Tiranë mes ekipeve të Shqipërisë, Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë; barazimin historik (0 – 0) në Tiranë me R.F. Gjermane në 17.12.’67, duke i hequr kësaj të fundit mundësinë për të luajtur në finalet e Kampionatit Europian të 1968 – ës; fitoren me Greqinë (2 – 1) në Tiranë më 04.09.2004 vetëm dy muaj pas kurorëzimit të kësaj të fundit si Kampione e Europës; dhe e fundit, pjesëmarrja në finalet e Kampionatit Europian të 2016-ës dhe fitimin e vendit të parë në grup në ndeshjet paraeleminatore e si rrjedhojë të drejtën e pjesëmarrjes në kampionatin e radhës, atij të 2024-ës. Rezultate sinjifikative kanë arritur në vite edhe ekipet e “17 Nëntorit” të Tiranës dhe “Flamurtarit” të Vlorës, i pari në Tiranë me “Ajax” të Amsterdamit në 16.09.1970 për Kupën e Kampioneve (2 – 2) dhe i dyti me “Partizanin” e Beogradit (2-0; 1-2), përpos historisë që Flamurtari bëri me Barcelonën e famshme, duke arritur eleminimin pas dy barazimeve (0 – 0; 1 -1) dhe fitores 1 – 0 në Vlorë një edicion më pas.

Skuadra tjetër shqiptare që ka bërë histori të ngjashme si dy pika uji me historitë e të sipërpërmëndurave është “Naftëtari” i ish Q.Stalin ( Kuçova sot), i cili, 40 vjet më parë, më 27 Nëntor ’83, mundi “Partizanin” e madh me rezultatin 0-3 në Tiranë. Nuk ka lapsus në këtë pohim, “Partizani” i asaj kohe në krahasim me Naftëtarin ishte si me qënë Gjermania apo Barcelona emërmadhe. Ashtu si Barcelona kishte në gjirin e saj superlojtarë si Zubizarreta, Lineker, Miguel, Manolo, Urbano etj, po ashtu edhe Partizani kishte yje si Musta, Hysi, Ahmetaj, Ocelli, Lame, Eksarko, Tomorri, Starova, Shehu, Gega etj. Ekipi i “Partizanit” të asaj kohe ishte baza e ekipit kombëtar, i cili vetëm 3 – 4 ditë para ndeshjes “Partizani” – “Naftëtari” të 27 Nëntorit 1983, kishte kryer një ndeshje të madhe në Gjermani, ndeshje e fituar në sekondat e fundit nga kombëtarja Gjermane me rezultatin e ngushtë 2 – 1. Dhe pikërisht në këtë ndeshje luajtën për kombëtaren tonë 7 futbollistë të “Partizanit”, të cilët superfuqia botërore e futbollit, Gjermania, mezi i rrahu në fund të ndeshjes dhe me rezultat minimal. E pra, këtë “Partizan” të stërmadh, këtë Goliath të vërtetë në futbollin shqiptar, do ta mund’te Davidi, “Naftëtari” simpatik, alias “Ajax” i Amsterdamit, mjalti i kampionatit shqiptar sipas Anton Mazrrekut dhe Ismet Bellovës, dy komentatorët më në zë te ne.
– Po si dhe cilët janë ata që e rrahën paq, jo 2 – 1 siç i rrahu kombëtarja Gjermane në Gjermani, por 0 – 3 dhe në shtëpinë e tyre, në mitikun “Qemal Stafa”? E rrahu një trajner i madh me emrin Fiqo Duro, e rrahu një supermen futbolli e më gjërë me emrin Agim Meta, e rrahu Sandër Koçi, Kaço Guraj, Kel Koroveshi, Dane Gega, Nole Dume, Ilia Dashi, Gim Prifti, Rrem Doko, Tan Mersini, Tahir Skuro dhe Besnik Duli. Ishin këta djem që bënë histori dhe e ngritën emrin e Naftëtarit në piedestal. Nuk ishte kjo fitorja e parë e ‘Naftëtarit’ me ‘Partizanin’, Ai (Naftëtari) dhe Agim Meta me shokë ishin kujdesur që fitoret me ‘Partizanin’ dhe ekipe të tjerë si ai në kampionat, të mos mungonin. Por një fitore si ajo e 27 Nëntorit me ”Partizanin”, që kishte 7-8 lojtarë me kombëtaren, nuk mund të imagjinohej, ose, meqë ndodhi, duhet gdhenur me daltë ari në memorjen e tifozërisë dhe sportdashësve naftëtaras si një kulm të historisë së futbollit të këtij qyteti naftëtarësh, ashtu siç edhe ndodhi faktikisht. 27 Nëntori i vitit 1983 konsiderohet si pika kulmore e ekipit të “Naftëtarit” në vite, si ndeshja e tij më e bukur në të gjitha kohërat.

Ka një batutë në filmin shqiptar Nëntori i Dytë”, ajo kur Ismail Qemali i drejtohet Marigosë, qëndistares së flamurit të pavarsisë, me fjalët “- Sa herë të përkujtohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit, aq herë do përmendet edhe emri yt.”
Ndërsa tifozi naftëtaras ka thënë : “- Sa herë të përmendet 27 Nëntori, dita e fitores së “Naftëtarit” me “Partizanin” (0 – 3) në Tiranë, aq herë do përmendet edhe emri i Agim Metës.”
Analogji e bukur ! Por nëse në filmin më sipër nuk u fol më tepër për Marigonë, unë këtu do ta përshkruaj me konçizitet maksimal udhëtimin sportiv dhe jetësor të heroit të asaj ndeshje, ekselentit Agim Meta.

Agim Meta, djali bjond me sy bojëqielli, si Ema Krisaf në variantin mashkull, spikati qysh në fëmijëri për zgjuarësi, shkathtësi, forcë e vullnet. Në moshën 11 vjeçare (viti 1972) Gimi bëhet pjesë e klasës sportive në Shtëpinë e Pionierit me trajner Sofo Vasilin, ku qëndron deri në vitin 1974. Në vitet 1975 – 1976 Gimi u bashkohet para të rinjve me trajner të mirënjohurin Pipi Valle, për të përfunduar në vitet 1977 – 1979 me të rinjtë, të cilët në ato sezone luanin në kategorinë e parë (superliga sot), me trajner Robert Vasili dhe Bashkim Xheka. Para se të bëhej pjesë e ekipit të të rriturve të ‘Naftëtarit’, Gim Meta luan 1 sezon në Ballshin e sapokrijuar dhe sezonin pasardhës me ‘Puntorin’ e Patosit, skuadër e kategorisë së dytë (kategoria e parë sot). Arsyeja e aktivizimit me këto dy skuadra ishte caktimi me punë në këtë zonë naftëmbajtëse pas mbarimit të Teknikumit të Naftës dhe shpërthimit të fontanës në këtë zonë. Me “Albetrolin” Gimi shpalos vlera dhe cilësi sipërore duke shënuar 27 gola dhe duke u evidentuar kësisoj si një golashënues i mirëfilltë.
Me “Puntorin” e Patosit Gim Meta ka një histori të ngjashme me “Partizanin”, por këtë radhë jo për nga rezultati, por për nga protagonizmi. Me “Partizanin” kishim rezultat 0 – 3, ku 2 gola u shënuan nga Gimi, ndërsa me “Puntorin” kemi rezultatin 2 – 3, me tre gola të shënuar nga Agim Meta pas futjes në lojë në pjesën e dytë. Aq emocionuese ishte ajo pamje, saqë një tifoz ultras i “Naftëtarit” hyri në fushë në momentin e shënimit të golit të tretë dhe në mënyrë demostrative i puthi këpucën Gimit.
Në vitin 1982 Gim Meta rikthehet te ‘Naftëtari’ si sulmues, rol që do e mbante për 13 vite rresht. Ndeshjen e parë me “Naftëtarin” Gimi e luajti kundër “Dinamos”, ndeshje e fituar nga “Naftëtari” 1 – 0, me gol të shënuar nga adashi i tij, Agim Prifti. Për koinçidencë, kundër “Dinamos” Gimi luajti edhe ndeshjen e fundit, më datën 5 qershor 1988.
Te Gimi ishin mbledhur bashkë cilësitë më të mira që një futbollist duhet të ketë për t’u admiruar nga publiku, për t’u dashur nga shokët e ekipit dhe respektuar nga tifozëria. Ai ishte më së pari kokëulur, punëtor dhe talent bashkë, i shpejtë, teknik, vizionar dhe rezultativ, ‘gjahtari i golave’ do ta quante komentatori emërmirë Ahmet Shqarri.
– Me ‘Naftëtarin’, në dy kategoritë, edhe pse statistikat nuk janë shumë të sakta, kam shënuar 80 gola, ndërsa gjatë gjithë karierës sime, pa përfshirë ndeshjet e kupave, janë mbi 120 gola – i përgjigjet Gimi pyetjes sime për këtë aspekt.
Naftëtari është skuadra mëmë e Gimit, por jo e vetmja. “Bylisi” po ashtu është skuadra tjetër Gimit që, nëse ai do të kishte 2 zemra, e dyta do të ishte për Bylisin. Ja si i përgjigjet Gimi pyetjes sime për aktivizimin e tij me “Bylisin”:
– Bylisi është “Naftëtari” im i dytë, ekipi dhe qyteti që mundësoi, me atë çfarë janë, që të mos e ndjeja shumë mungesën e Kuçovës sime të dashur. Nuk e mohoj që startin dhe kulmin tim sportiv i’a atribuoj ‘Naftëtarit’ tim, por edhe me Bylisin jam ndjerë si në shtëpi, i kam dhënë e më ka dhënë gjithçka.”
“- Sigurisht, biles në dijeninë time ti je një nga kontribuesit më kryesor në futjen e ‘Bylisit’ në kategorinë superiore në 1995 – 1996, ku shënove 18 gola – e ndërpres Gimin në ligjërimin e tij.”
– Edhe kjo është, por me Bylisin më lidh shumë më tepër se kaq. te Bylisi, përveçse futbollist, kam ushtruar detyra të ndryshme si inspektor sportesh, trajner moshash, trajner i ekipit të parë. Jam shpallur kampion dy herë në rolin e zv trajnerit, 2009 – 2010 me trajner Ilir Spahiu dhe 2018-2019 me trajner Veljko Dovedan (kategoria e parë, jemi futur në Superligë). Kam patur fatin të bashkpunoj si zv trajner i Bylisit në Superligë edhe me ish trajnerin e përfaqësueses Maqedonase Nikolla Iljevski dhe shqiptaro – turkun Naxhi Shensoj…si edhe Ilir Spahiun – përfundon së treguari Gim Meta.”

Gimi ka drejtuar një periudhë edhe ‘Naftëtarin’, duke luajtur edhe vetë. Gjithashtu ka qënë i grumbulluar me ekipin kombëtar B me trajner Neptun Bajko, ku edhe ka fituar kupën e gazetës ‘Sporti Popullor’, si edhe ka luajtur në ndeshjen miqësore ndërkombetare ‘Naftëtari’ – ‘Otelul’ Galacio (Rumani), ku edhe ka shënuar gol.
Dhe për të ardhur te ndeshja e 27 Nëntorit, tashmë me sytë, mendjen dhe gojën e Gimit. Ja si e përshkruan Gimi atë ndeshje:
“- U nisëm nga Q.Stalin për në Tiranë më 26.11.1983 dhe pas një udhëtimi gati tre orë me autobuzin e ekipit, mbëritëm mbasdite vonë në kryeqytet. “Naftëtari” do të luante ndeshjen e transfertës me skuadrën legjendë të futbollit shqiptar “Partizanin”, deri në atë kohë 13 herë Kampione i Shqipërisë dhe 12 herë fitues i Kupës së Republikës. U akomoduam tek hotel “Arbëria” në qendër të Tiranës. E gjithë skuadra ishte e përqëndruar tek ndeshja e ditës së nesërme dhe trajneri ynë Fiqo Duro na udhëzoi të ishim të kujdesshëm në mënyrën e të ushqyerit dhe në regjimin e gjumit. Madje ai ushtronte kontrolle nëpër dhoma duke pyetur për çdo shqetësim që mund të kishim.
Të nesërmen, pasi kaluam paraditen në një regjim të rreptë të monitoruar po rreptësisht nga mjeku i ekipit, mbërritëm në stadiumin “Qemal Stafa” në orën 12. Stadiumi kishte filluar të “popullohej” deri sa në orën 14:00, koha kur filloi ndeshja, kishte marrë pamjen e një ceremonie festive me pjesmarrjen e rreth 8000 spektatorëve. “Partizani” i veshur komplet me të kuqe dhe “Naftëtari” komplet me të bardha zunë vendet e tyre në fushë, për të filluar duelin menjëherë pas rënies së bilbilit të arbitrit shkodran, Skënder Bilali.
Partizani e nisi vrullshem ndeshjen, duke ushtruar presion, por mbrojtja jonë me Gegën, Dumen, Dashin dhe Korroveshin u bënë të pakalueshëm sëbashku me portierin Gurraj, i cili u bë si njê postobllok duke i vendosur drynin portës. As V.Skura me një teknikë brilante që e njihte lojën tonë, as Lika nuhatës dhe më pas Shehu inteligjent, edhe pse disa herë krjuan situata të vështira tek porta jonë, nuk arritën dot ta gjenin rrugën e rrjetës. Ndërsa ne u kundërpërgjigjeshim me atë lojën teknike ku Gim Prifti, si një piktor qëndiste lojën, Mersini, Tahir Skura, Duli dhe Doko në mesfushë ishin frymëmarja e lojës. Madje Duli ndërroj rolin, nga sulmues, trajneri e ktheu në krahun e majtë në mesfushë, duke i dhënë një ndihmesë të dyfishtë lojës si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Ndërsa në sulm, Koçi shumë nuhatës dhe agresiv, sulmonte duke i dhënë zemër skuadrës. Agim Meta, me shpërthimet individuale të frikshme, krijonte panik tek mbrojtja kundërshtare. Skuadra funksiononte si një ansambël, ku thjeshtësia dhe loja teknike alla Naftëtar e çorientoj një skuader legjendë si Partzani, i cili nuk mundi ta shmangte dot atë humbje të thellë 0 – 3, gola njëri më i bukur se tjetri.

Në minutën e 28, Koçi, si një panterë e ka rrëmbyer topin duke shfrytëzuar atë moskordinim midis portierit Musta dhe mbrojtësit Hysi dhe në një pozicion të prirët me portën shënon një gol që vetëm ai dinte t’i shënonte. Minuta e 47 sjell një simulim të Tomorrit të Partizanit dhe arbitri i ndeshjes nuk nguron të ndëshkoj me karton të kuq portierin tonë Gurraj. Momente shum delikate për skuadrën tonë dhe trajnerit tonë, Duro, i duhet të marrë një vendim të vështirë dhe shumë delikat…fanelën e portierit çuditërisht e vesh Mikel Korroveshi, mbrojtësi ynë i mirënjohur, i cili po i shtonte karrierës së tij një episod qê nuk do të harrohej kurrë nga opinioni sportiv. Koroveshi vijoj ta mbajë kyçur drynin e portës naftëtarase si të ishte një portjer i mirëfilltë, bile nga më të mirët e këtij lloji, ndërkohë që Naftëtari vazhdonte spektaklin edhe pse me 1 lojtar më pak dhe në portë një mbrojtës. Në minutën e 50 si një interpretim perfekt nga ana ime e një goditje diagonale me këmbën e majtë në formën e një trajektore duke e befasuar portierin Musta të kombëtares.”
“- Golin e tretë të Naftëtarit dhe të dytin tëndin, ma lër mua ta përshkruaj, i them Gimit dhe pa pritur aprovimin e tij, vazhdova :
– Ishte minura e 65! Nje aksion individual nga Gim Meta që nisi nga gjysëm fusha jonë duke dribluar disa mbrojtësa të Partzanit si Ocelli, Eksarko dhe Ahmetaj dhe në një distancë rreth 20 m arriti të godas fort tokas, duke bërë që të mposhtet për të tretën herë gjigandi Perlat Musta Musta.. këtë që bëri Agim Meta atë 27 Nëntor të 1983-shit do ta bënin më pas yjet botërorë Maradona dhe Mesi.”
“- Pëshkrimin e golit e bëre saktë, ndërsa krahasimi me Maradonë e Mes është i tepërt, me tha Gimi i buzëqeshur.”
“- Nuk dua të të njehsoj me ta, dua të them se gol me marrje topi nga gjysëmfusha e tyre dhe duke dribluar ç’u kanë dalë para, vetëm ata dy kanë bërë. Nejse, më trego pak edhe për ceremoninë e lënies së futbollit të luajtur. Nuk iu ndave “Partizanit”, e le futbollin pikërisht
në ndeshjen “Bylis” – “Partizani”.”
“- Jo rastësisht zgjodha atë skuadër legjendë për t’i dhënë lamtumirën futbollit, “Partizanin” që qysh fëmijë e dashuroja, sepse ishte forca dhe krenaria e futbollit shqiptar, një dashuri që ma kishte kultivuar edhe im atë, i cili e donte futbollin në përgjithësi dhe “Partizanin” e “Naftëtarin” në veçanti. Një arsye tjetër kuptimplote për mua, pse unë doja që karrierës time të gjatë t’i thoja lamtumirë pikërisht me këtë skuadër, kishte të bënte me faktin që fatmirësisht dhe kjo më lumturon pa masë, ndeshjet më të bukura të karierës sime i kam zhvilluar ndaj kësaj skuadre me emra të mëdhenj si Musta, Hysi, Eksarko, Ocelli Ahmetaj, Lame, Starova, Tomori, Shehu etj. Emocioneve të shumta që shoqërojnë ngjarje të tilla iu shtuan edhe ato të krijuara nga prania e mjeshtrit të gazetarisë sportive, Dëfrim Methasani dhe operatorit Naun Lasku, mjeshtër i karjerës, të cilët pasqyruan këtë aktivitet të rëndësishëm të karjerës sime futbollistike. Intervista dhe momente vlerësuese shumë pikante për mua, ku qershia mbi tortë ishte vlerësimi i Klubit Legjendë të “Partizanit”, duke më dhuruar “Kupën e Karrierës”, në shenjë respekti për kontributin tim të gjatë dhe cilësor në lojën e futbollit. Ishte shumë emocionuese për mua kur këtë Kupë ma dhurojë legjenda e futbollit të Partizanit dhe Ekipit Kombëtar, Perlat Musta. Edhe pse ajo mbasdite Dhjetori e vitit 1998 ishte e ftohtë, zemra ime u ngroh nga respekti që më ofruan shokët e ekipit të Bylist, personalitete te pushtetit vendor të qytetit të Ballshit, miq edhe shokë nga Kuçova, drejtues dhe futbollistat e Partizanit, gazetaria sportive dhe mbi të gjitha dashuria dhe respekti i publikut mallakastriot me ovacionet dhe duartrokitjet e tyre te zjarrta. Karriera ime perfundoi si një futbollist aktiv në fushën e lojës, por asgjë s’më ndau nga ky sport i dashur. Unë vazhdoj të mbetem pjesë e tij pasi futbolli është dhe mbetet Jeta ime.”
Pas futbollit të luajtur në fushë, roli i Gimit si gazetar dhe komentator sportiv ka qënë një tjetër rrugëtim i bukur në jetën e tij, ku bashkëpunoj me mjeshtrat e mëdhenj të gazetarisë dhe mikrofonit sportiv si Ismet Bellova, Ahmet Shqari Vladimir Grillo, Veli Rada, Bujar Qesja, Dëfrim Methasani, Fatmir Efica, Fatmir Mneri, Bashkim Tufa etj. Sa më sipër ishte Gimi sportist, ndërkohë që të flasësh për Gimin njeri do të duhet t’ia fillosh edhe njëherë nga e para dhe të thuash shumë më tepër se ç’u tha për Gimin sportist…dhe a e di pse ? Sepse Gimi është model qytetarie, është sinonim mirësie, fisnikërie, është i zgjuar, pa cene apo vese të këqia, me një shpirt të madh e zemër të pastër. Tē them të drejtën, fatkeqësisht, nuk hyj te shoqëria e tij e afërt, por ama kjo nuk më pengon të shprehem si më sipër. Intuita nuk më gabon, perceptimi i krijuar nga kaq njohje sa kam, nuk mund të më zhgënjejë.
Për atë ç’ka qënë e ç’ka bërë Agim Meta, Bashkia Kuçovë ia ka shkruar emrin në Librin e artë tê qytetit, Bashkia Mallakastër e ka nderuar me “Çertifikatë Mirënjohje” dhe Federate e Paqes Universale FPU e ka shpallur “Ambasador Paqe”.



















