Viti ndërkombëtar i Kuqezinjve

483
Sigal

 Përfaqësuesja A zhvilloi si rrallëherë 9 ndeshje në 2012-n. Të gjitha ndeshjet U-21, U-19 dhe U-17

Viti 2012 ishte tepër i ngjeshur për ekipet kombëtare shqiptare, duke nisur nga ai A, dhe deri tek ato U-21, U-19 dhe U-17. Nuk mungojnë këtu edhe miqësoret e përfaqësueses së femrave, dhe ato të futbollit në sallë. Gazeta “Telegraf” bën një bilanc të gjitha ndeshjeve të zhvilluar këtë vit, që përkoi me debutimet e Xhani De Biazit në stolin e Kombëtares A, si dhe të Foto Strakoshës në atë U-19.

 KOMBËTARJA A

Nëntë ndeshje ndërkombëtare, katër zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014” dhe pesë ndeshje miqësore, madje tre tepër të veçanta, pasi u përballëm me Katarin në Madrid, Iranin në Stamboll dhe Kamerunin në Gjenevë.  Në nëntë ndeshje, De Biazi koleksionoi katër fitore, dy barazime dhe tri humbje, çka e bën atë më të suksesshmin në se  çdo trajner tjetër i përfaqësueses në nëntë ndeshjet e para.

 ZYRTARET – Trajneri italian i Shqipërisë, Xhani De Biazi, grumbulloi gjashtë pikë në katër ndeshjet e para të tij, në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2014”, duke barazuar rekordin e mbajtur nga gjermani Hans-Peter Brigel, me këtë të fundit që i mori po gjashtë pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006, finalet e të cilit u luajtën në Gjermani. Xhani De Biazi ishte në “qiellin e shtatë” pas përfundimit të ndeshjes së fituar 3-1 me Qipron, por italiani vuajti tmerrësisht shumë, kur qipriotët barazuan me një gol tërësisht të evitueshëm. Italiani u ndje i superlumtur. Golat e Shqipërisë u shënuan nga Armando Sadiku, Edgar Çani dhe një supergol nga Erjon Bogdani. Në takimin e radhës, Kombëtarja jonë humbi 2-0 me Zvicrën në Lucernë, pas dy gabimeve të mbrojtjes sonë, ku veçohet gafa e Dallkut, ky i fundit shkaktoi një penallti të panevojshme. Dramatike ishte humbja me Islandën: 2-1, në “Qemal Stafa”. Birkir Bjarnason shënoi i pari për islandezët (19’), ndërkohë që barazoi Edgar Çani (28’). Golin fitues për miqtë e shënoi Gylfi Sigurdson (81’), duke na shkaktuar humbjen e dytë rresht. Pas katër ditësh,

Falë një goli të Odise Roshit, Shqipëria triumfoi 1-0 ndaj Sllovenisë. Kuqezinjtë tanë kanë grumbulluar gjashtë pikë nga katër ndeshjet e para, me dy fitore dhe dy humbje, duke e mbyllur vitin 2012 në vendin e tretë, përpara se ato të rinisin në mars të vitit të ardhshëm. Kjo ishte fitorja e 13-të e Kombëtares sonë në 88 ndeshje në kualifikueset e Kupës së Botës.

 MIQËSORET – Pesë miqësore brenda një viti është një luks për çdo trajner, për më tepër kur në përfundim të tyre bilanci është plotësisht pozitiv: dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Aventura e Kombëtares me De Biazin në bankinë nisi me ndeshjen

Gjeorgji-Shqipëri 2-1 (në Tbilisi), por me portierin Samir Ujkani që priti dy penallti. Një ndeshje e humbur më shumë si pasojë e gabimeve të gjyqtarit. Më 22 maj, Shqipëria luajti një miqësore të rrallë me Katarin, një takim i zhvilluar në Madrid. Kombëtarja fitoi 2-1 me golat e Elis Bakajt (46’) dhe Erjon Bogdanit (50’). Pesë ditë më pas, më 27 maj, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren me Iranin, në Stamboll, falë një goli të Emiljano Vilës (60’), duke dëshmuar se shpesh herë statistikat e renditjeve në FIFA nuk vlejnë, po të kemi parasysh se iranianët vinin në testin e Stambollit, me plot +33 vende në ranglistën botërore prej 208 shtetesh. Më 15 gusht, Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj një Moldavie, që ndodhet 58 vende më dobët se ne në renditjen e FIFA-s, pikërisht në premierën shqiptare në “Qemal Stafa”, të trajnerit italian. Barazim pa gola pati edhe ndaj Kamerunit të Samuel Etosë, një ndeshje e luajtur në Gjenevë të Zvicrës, më 14 nëntor 2012, por me një paraqitje të mirë të kuqezinjve, pavarësisht se afrikanët goditën një herë shtyllën e portës së mbrojtur nga Etrit Berisha. De Biazi ka një bilanc pozitiv në ndeshjet miqësore: dy fitore, një barazim dhe një humbje.

 KOMBËTARJA U-21

 Kombëtarja U-21, e drejtuar nga Skënder Gega, zhvilloi tri ndeshje zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian, duke humbur me Portugalinë 3-1 (6 qershor 2012), në Marina Grande (gol i Bekim Balajt); barazoi pa gola në Moskë me Rusinë (12 qershor 2012) dhe humbi 2-1 me Moldavinë (6 shtator 2012) në Tiraspol (gol i Elvis Prençit). Duhet theksuar se portieri Stiv Frashëri priti dy penallti në atë takim. Shpresat e mbyllën në vendin e fundit në grupin e tyre, duke grumbulluar 5 pikë në 8 ndeshje. Armando Sadiku ishte dhe shënuesi më i mirë i Kombëtares U-21, me 6 gola në 7 ndeshje. Shpresat luajtën dhe dy ndeshje miqësore në Austri, me Ukrainën, të humbur 3-0 (22 maj) dhe barazuan 2-2 me Maqedoninë (25 maj).

 KOMBËTARJA U-19

Për eliminatoret e Euro U-19 (grupi 7), të zhvilluara në Vlorë dhe Fier, Kombëtarja e drejtuar nga Foto Strakosha humbi ndeshjen e parë 3-0 me Italinë (12 tetor), por duke bërë një lojë të mirë.

Më 14 tetor 2012, Kombëtarja U-19 mposhti 3-1 Belgjikë, në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë. Golat mbajnë firmat e kosovarit Ervis Kavazajt, mesfushori të Juventusit U-19, Elvis Kabashit dhe Lorenc Shehajt të Flamurtarit. Belgjika e shënoi golin e vetëm me anë të Natan Kabaseles. Kur i kishte të gjitha shanset për të shpresuar për një kualifikim, ajo humbi 2-0 me Bjellorusinë, duke u renditur në vendin e fundit në grup. Kombëtarja U-19 zhvilloi edhe disa miqësore: fitoi 3-1 me Bosnjën (29 maj), me golat e Kabashit, Maganit dhe Koliqit. Në shortin e hedhur, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe.

Shqipëria ndodhet në grupin 6, së bashku edhe me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë. Ndeshjet do të luhen në Bullgari vitin e ardhshëm.

 KOMBËTARJA U-17

Në eliminatoret e Kampionatit Europian U-17 2013, në eliminatoret e zhvilluara në Hungari, gjatë muajit tetor, Shqipëria e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç luajti me Italinë, Hungarinë dhe Lihteshtejnin. Humbëm 1-0 me italianët (në minutën e fundit të ndeshjes, ndërkohë që Elezaj priti një penallti), dhe po me këtë rezultat humbëm edhe me hungarezët dhe fituam thellësisht me lihteshtejnasit, me rezultatin e thellë 6-0. Golat mbajnë firmat e Xhemo, Aliu, Lokaj, Tahiraj, Rashica dhe një autogol i Tshutsherit. Aliu humbi dhe një penallti në atë takim. Në shortin e Kampionatit Europian 2014, të hedhur para pak javësh, Shqipëria do të jetë në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë, nga datat 18-23 tetor 2014. Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, ishte shumë i kënaqur me shortin dhe me faktin, që ndeshjet do të zhvillohen në Vlorë dhe Fier. Kjo do të jetë hera e tretë që, në vendin tonë do të zhvillohen eliminatoret e Kampionateve Europiane të moshave,. Pas atyre të U-17 (2007, në Tiranë dhe Durrës) dhe U-19 (2012, në Vlorë dhe Fier).

KOMBËTARJA A BOTËRORI 2014

NDESHJET E SHQIPËRISË

 7 shtator, Tiranë

Shqipëri-Qipro       3-1

11 shtator, Lucernë

Zvicër-Shqipëri      2-0

12 tetor, Tiranë

Shqipëri-Islandë           1-2

16 tetor, Tiranë

Shqipëri-Slloveni    1-0

 

RENDITJA

Zvicra     4    10

Norvegjia  4    7

Shqipëria  4    6

Islanda    4    6

Qipro      4    3

Sllovenia  4    3

Bilanci: 2 fitore, 0 barazime, 2 humbje

MIQËSORET

29 shkurt 2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22 maj 2012, Madrid

Shqipëri-Katar 2-1

27 maj 2012, Stamboll

Shqipëri-Iran 1-0

15 gusht, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

14 nëntor, Gjenevë

Shqipëri-Kamerun 0-0

Bilanci: 2 fitore, 2 barazime, 1 humbje

Bilanci në total: 4 fitore, 2 barazime, 3 humbje

Skandali me Anglinë

Skandal me miqësoren ndërkombëtare Shqipërisë U-21 dhe Anglisë U-23 (16 tetor 2013). E programuar për t’u luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit, ajo nuk u zhvillua. Shkaku është banal dhe tregon mjerimin e stadiumeve tona. Për shkak të rrebeshit të shiut të rënë thuajse gjatë gjithë ditës, në Durrës, dhomat e zhveshjes së “Niko Dovanës” ishin përmbytur duke u bërë të pashfrytëzueshme.

Shqipëria tani renditet në e 63-ta në botë, lë pas 24 shtete europiane

 Kombëtarja merr dhurata nga FIFA

 Shqipëria e mbylli me sukses vitin futbollistik ndërkombëtar duke u renditur në vendin e 63-të në ranglistën e FIFA-s për muajin dhjetor, duke u përmërisuar me katër pozicione në raport me muajin nëntor (67). Kështu, Kombëtarja e drejtuar nga italiani Xhani De Biazi ka grumbulluar 518 pikë. Në renditjen botërore, Kombëtarja jonë ndodhet midis Sierra Leones (vendi i 62-të, 521 pikë) dhe Kanadasë (vendi i 64-t, 517 pikë). Shqipëria i bëri një mbyllje vitit ndërkombëtar edhe në renditjen kontinentale, duke u pozicionuar në vendin e 29-të, e duke lënë pas jo pak, por 24 shtete të tjera, përfshirë emra të tillë si Austria, Skocia, Izraeli, Uellsi, Maqedonia, etj. Përsa u përket kundërshtarëve të Grupit E, në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, Kuqezinjtë lënë pas dy skuadra. Më konkretisht: Zvicra e Hicfeldit mban vendin e 12-të në këtë renditje për dhjetorin, me një ngjitje prej katër vendesh në krahasim me muajin e kaluar, ndërsa Norvegjia është e 24-ta, me plus 2 vende. Pas nesh renditet Islanda, në vendin e 90-të, që ka rikuperuar plot 6 vende në krahasim me nëntorin, ndërsa e 132-ta është Qiproja, e cila ka zbritur 5 shkallë. Kuqezinjtë e mbyllën këtë vit kalendarik me ndeshjen miqësore të 14 nëntorit kundër Kamerunit të Samuel Etosë, të cilën e barazuan 0-0 në Zvicër, ndërsa kanë marrë dy fitore në fushatën eliminatore të Grupit E, në start me Qipron, me rezultatin 3-1, dhe në ndeshjen e katërt me Slloveninë, me rezultatin 1-0. Skuadra e De Biazit ka humbur 2-0 me Zvicrën, në fushën e kësaj të fundit, dhe është mundur 2-1 nga Islanda, në “Qemal Stafa”. Në këtë mënyrë, kemi grumbulluar 6 pikë, që na pozicionojnë në vendin e tretë, me 6 pikë, aq sa ka edhe Islanda, por me golaverazh më të dobët se ne. Kualifikuesja e radhës e kuqezinjve do të luhet pikërisht ndaj Norvegjisë, në fushën e këtyre të fundit, më 22 mars 2013. Norvegjezët kanë 7 pikë nga katër ndeshjet e para.

  Spanja, në krye të Botës

 Spanja e nisi dhe e mbylli vitin 2012 në krye të listës botërore. Kampionia e Europës dhe Botës ka grumbulluar 1606 pikë, e ndjekur nga Gjermania (vendi i 2-të, 1437 pikë) dhe Argjentina (3, 1290). Në “Top 10” janë dhe Italia (4, 1165), Kolumbia (5, 1164), Anglia (6, 1151), Portugalia (7, 1144), Holanda (8, 1124), Rusia (9, 1070) dhe Kroacia (10, 1064).

900 ndeshje në vitin 2012

 Për renditjen e muajit dhjetor u morën në konsideratë 143 ndeshje në të gjithë botën, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2012 u zhvilluan në total 900 ndeshje, ku më shumë se gjysma (465) ishin miqësore, ndërkohë që 257 takime ishin të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror. Renditja e re do të publikohet, më 17 janar 2013.

RENDITJA NË ZONËN EUROPIANE

 FIFA UEFA  Ekipi          Pikë

1    1    Spanja         1606

2    2    Gjermania      1437

4    3    Italia         1165

6    4    Anglia         1151

7    5    Portugalia     1144

8    6    Holanda        1124

9    7    Rusia          1070

10   8    Kroacia        1064

11   9    Greqia         1033

12   10   Zvicra         1004

17   11   Franca         949

20   12   Suedia         870

21   13   Belgjika       868

23   14   Danimarka      821

24   15   Norvegjia      810

27   16   Bosnja         788

29   17   Çekia          781

31   18   Mali i Zi      756

32   19   Hungaria       750

33   20   Rumania        700

38   21   Serbia         659

40   22   Turqia         627

42   23   Irlanda        609

47   24   Sllovakia      595

47   25   Ukraina        595

49   26   Sllovenia      591

50   27   Bullgaria      585

55   28   Polonia        553

63   29   SHQIPËRIA      518       

65   30   Bjellorusia    516

70   31   Austria        492

72   32   Skocia         490

73   33   Gjeorgjia      481

75   34   Armenia        457

78   35   Izraeli        454

81   36   Maqedonia      436

82   37   Uellsi         435

83   38   Finlanda       431

86   39   Estonia        425

90   40   Islanda        392

96   41   Irlanda Ver.   367

106  42   Letonia        334

116  43   Lituania       284

118  44   Azerbajxhan    277

128  45   Moldavia       255

132  46   Qiproja        248

142  47   Kazakistani    200

146  48   Malta          178

148  49   Luksemburgu    172

153  50   Ishujt Faraoe  151

154  51   Liehtenshtejni 146

204  52   Andorra        11

207  53   San Marino     0