Skëndërbeu s’pyet për Kastriotin, Bylisi turpëron Teutën në Ballsh

482
Sigal

Korçarët dhe ballshiotët sigrojnë një biletë në gjysëmfinalen e Kupës. Flamurtari fiton sërish

Skënderbeu (në grupin A) dhe Bylisi (në grupin B) thuajse e siguruan biletën për në gjysmëfinalet e edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë, pas fitoreve të treta në po aq ndeshjen në pjesë e parë të fazës çerekfinale. Skënderbeu fitoi 2-1 me Kastriotin në Krujë, ndërkohë që Bylisi shpartalloi 5-0 Teutën në Ballsh. Fitore arritën dhe Kukësi me Shkumbinin dhe Flamurtari me Laçin.

 GRUPI A

Kastrioti-Skënderbeu 1-2

Skënderbeu rikonfirmoi dominimin absolut në futbollin shqiptar, me kampionët e Shqipërisë që e çuan në 18 serinë e ndeshjeve pa humbje këtë sezon, 13 në kampionat dhe pesë në Kupën e Shqipërisë. Lideri i kampionati hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës, pasi mposhti 2-1 në transfertë Kastriotin, që gjithashtu ka pretendime serioze për t’i shkuar deri në fund këtij objektivi. Kjo ishte fitorja e tretë e bardhekuqve në Grupin A, duke qenë jo vetëm e vetme në krye, por duke bërë që kalimi për më tej të jetë thuajse një formalitet në tre takimet e mbetura. 90 minuta në Krujë folën tërësisht për Skënderbeun, që kaloi në avantazh pa u mbushur ende 20 minuta lojë me kroatin Pero Pejiç, i cili shfrytëzoi pasigurinë e mbrojtjes dhe të portierit krutan, pas një krosimi të Marko Radasit. Goli i dytë i takimit ka firmën Sebino Plakut, në minutën e 43-të. Të besuarit e Dallakut përmirësojnë lojën e tyre, krijojnë presion mbi mbrojtjen mike, por rruga shkurtimi i shifrave vjen vetëm në të 87’. Kastrioti fiton një 11-metërsh që ekzekutohet saktë nga kapiteni Fatmir Caca. Vendësit besojnë se mund të arrijnë barazimin, por Skënderbeu është i pakalueshëm në ato pak minuta loje të mbetura.

 Kukësi-Shkumbini 2-0

Kukësi vuajti jo pak për të arritur fitoren ndaj një Shkumbini, pa asnjë pretendim në Kupën e Shqipërisë. Tifozët kuksianë prisnin shumë shpejt zhbllokimin e shifrave, por “djemtë” e Armando Cungut gabojnë shumë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë në të dytën aksionet janë të shumta, por që thyhen lehtësisht nga mbrojtja peqinase. Entuziazmi në “Ymer Zeqiri” shpërthen 7 minuta para përfundimit të takimit, ku pas një ndërhyrje të gabuar brenda zone nga Pashja në dëm të Malindit u akordua 11-metërsh. Nga pika e bardhë mesfushori Igli Allmuça nuk gabon, por pas dy gjuajtjeve, pasi e para iu anulua nga gjyqtari. Vendësit arrijnë të shënojnë dhe golin e dytë me anë të sulmuesit Julian Malo (85’), i cili vulos fitoren tepër të vuajtur ndaj peqinasve. Me këto tre pikë, duke përfituar dhe nga humbja e Kastriotit në shtëpi me Skënderbeun, Kukësi ngjitet në vend të dytë dhe hedh një hap para drejt kualifikimit për në gjysmëfinale.

 GRUPI B

Flamurtari-Laçi 2-1

Në Grupin B, Flamurtari arriti fitoren e dytë në Kupë, këtë herë në Vlorë përballë Laçit, që e mposhti me rezultatin 2-1. Formacioni i Ernest Gjokës e kishte vlerësuar maksimalisht këtë kundërshtar, edhe për faktin se ishte mundur në shtëpi nga laçianët në javën e dytë të kampionatit, në debutimin në krye të pankinës së spanjollit Hulian Rubio, i cili u shkarkua nga detyra javën që shkoi. Pas një fillimi të ekuilibruar, goli i parë i takimit shënohet në një moment kur asnjë nuk e priste. Në të 39’ nga një aksion pa shumë pretendime, Zeqiri gjuan nga një distancë e largët, duke e dërguar topin në trekëndëshin e Vashakut, i cili nuk reagon aspak. Eurogoli i mesfushorit vlonjat çliron vendësit, të cilët 60 sekonda para mbylljes së pjesës së parë dyfishojnë shifrat. Memelli niset drejt portës së Vashakut dhe ky i fundit del dhe ndërhyn në mënyrë të parregullt jashtë zone. Ka goditje dënimi për kuqezinjtë, të cilën e merr përsipër ta ekzekutojë Muzaka, i cili me të djathtën e tij e dërgon sferën në rrjetë (2-0). Në pjesën e dytë Laçi kërkon të fitojë terren, dhe Erjon Vucaj gjuan saktë nga jashtë zone duke shkurtuar shifrat. Trajneri Ernest Gjoka siguron fitoren e dytë nën drejtimin e vlonjatëve, të cilët kalojnë me sukses sfidën me rivalin direkt për kualifikim e ngjiten menjëherë pas Bylisit kryesues të grupit.

 Bylis-Teuta 5-0

Bylis konfirmohet si kryesuesi i Grupit B. Pas dy fitoreve të arritura në dy sfidat e para me Flamurtarin e Laçin, dje të besuarit e Naxhi Shansoit shkëlqejnë sërish, duke shkatërruar 5-0 Teutën. Në stadiumin “Adush Muça”, afrikani Izucuku është i pagabueshëm nga penalltia e fituar në minutën e katërt, ndërkohë pas 60 sekondash Bylisi dyfishoi Bakiu. Pa u shuar ende entuziazmi i tifozëve në shkallët e stadiumit, sërish Izucuku tund rrjetën, 3-0 dhe gjithçka duket se merr fund brenda 7 minutave lojë. Në minutën e 41-të është Bakiu që firmos “pokerin” dhe dopjetën personale. Në pjesën e dytë sërish nuk ka reagim nga dursakët, teksa luhet thjesht për formalitet. Një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt, Meto vë firmën e turpërimit të Teutës, që pëson humbjen e tretë në po aq ndeshje, dhe 12 gola të pësuar në 270 minuta.

KUPA E SHQIPËRISË

FAZA ÇEREKFINALE 

Grupi A

Java: 1

Shkumbini-Skënderbeu 1-4

Kukësi-Kastrioti     1-0

Java: 2

Skënderbeu-Kukësi    4-2

Kastrioti-Shkumbini  4-2

Java: 3

Kastrioti-Skënderbeu 1-2

Kukësi-Shkumbini           2-0

RENDITJA

1. Skënderbeu   3    3    0    0    9

2. Kukësi       3    3    0    1    6

3. Kastrioti    3    1    0    2    3

4. Shkumbini    3    0    0    3    0

Grupi B

Java: 1

Flamurtari-Bylis           0-1

Laçi-Teuta          4-0

Java: 2

Teuta-Flamurtari           2-3

Bylis-Laçi           2-1

Java: 3

Flamurtari-Laçi      2-1

Bylis-Teuta          5-0

RENDITJA

1. Bylis        3    2    0    0    9

2. Flamurtari   3    1    0    1    3

3. Laçi         3    1    0    1    3

4. Teuta        3    0    0    3    0

 Lorik Cana, autogol të pabesueshëm!

 Lorik Cana rifitoi sërish vëmendjen e mediave italiane dhe atyre franceze, por kësaj radhe për një autogol të pabesueshëm të realizuar nga mesfushori shqiptar i Lacios, në favor të Sienës,  në ndeshjen e një të tetave të Kupës së Italisë. Lacio fitoi 4-1, duke kaluar në çerekfinale. Portieri i Lacios, Huan Pablo Karrizo priti dy penallti.

 AUTOGOLI – Trajneri i Lacios, Petkoviç, luajti me tre mbrojtës, duke vendosur Canën, Sianin dhe Diakiten, ndërsa hodhi në fushë pesë mefushorë. Pas një lojë thuajse të barabartë (Bogdani e shqetësoi një herë mbrojtjen e Lacios), erdhi dhe minuta dramatike. Në minutën e 56-të, Valiani gjuajti, Karrizo e superoi topin, ndërkohë që Siani gjuajti topin për të pastruar zonën, që ndali në gjoksin e Canës, e që përfundoi më pas në rrjetë. Një me zero me Sienën, që nuk e kishte merituar absolutisht avantazhin.

 KUALIFIKIMI – Lacio priti deri në minutën e katërt të kohës shtesë për të barazuar rezultatin në 1-1, falë një goli me kokë të Mikael Sianit. Pas gjuajtjeve të penalltive, Lacio fitoi 4-1, duke kaluar në çerekfinale. Portieri i Lacios, Karrizo priti dy penallti.

 DUELI ME BOGDANIN – Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, dhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Erjon Bogdani, luajtën si kundërshtarë në atë takim. Zëvendësimi i trajnerit Serse Kozmi me Bebe Jakinin i dha mundësinë Bogdanit të luante për herë të parë qysh nga 11 nëntori. Por, ndërsa Loriku i luajti të plota minutat, Bogdani u zëvendësua në të 55’. Gjithsesi, gjatë takimit u panë disa duele interesante midis dy lojtarëve shqiptarë. Bogdani u vlerësua me notën 5.

 VLERËSIMI – Në fakt, pavarësisht autogolit, Cana u vlerësua pozitivisht, me notën 6 nga portali Lalaziosiamonoi.it. “Është më i mirë i paketës së mbrojtjes laciale. Testi i sotëm (djeshëm) është paksa më i mirë se ai në Ligën e Europës, por shqiptari thuajse bën mirë gjithçka. Për gjatë gjithë ndeshjes komandon dhe drejton shokët e tij të repartit, duke dëshmuar saktësi në ato pak raste që iu desh të bënte punën e tij. Ka në shpatullat e tij autorësinë e autogolit që dënoi Lacion, por dëshmoi edhe njëherë se roli i mbrojtësit është i tij”.

 De Biazi ndjek talentin e Empolit!

 Trajneri i Kombëtares ka pëlqyer Elseid Hysajn, 18 vjeç: “Është një lojtar I shkëlqyer, por më parë duhet të luajë për  përfaqësueset e moshave”, – tha De Biazi për drejtuesit e Sektorit të Ekipeve Kombëtare të Moshave. De Biazi e ndoqi Hysajn në fitoren 2-0 të Empolit kundër Viçencës, një ndeshje kjo e vlefshme për Serinë B italiane. Mediat apenine shkruanin se, Hysaj, ishte lojtari më i mirë në fushë. Hysaj, i lindur në Shkodër, ka luajtur për Shqipërinë, në eliminatoret e U-17 të tre sezoneve më parë. Që atëherë nuk është thirrur më në ekipet përfaqësuese.