“Topi i Artë” 2018, duel mes dy francezësh

540
Sigal

Kilian Mbape dhe Antuan Grizman janë dy kandidatët kryesorë për fitimin e çmimit si lojtari më i mirë në botë

Pas një dekade, dominimit Ronaldo-Mesi në garën për “Ballon d’or” duket se do t’i vijë fundi

Topi i artë apo siç quhet ndryshe “Ballon d’Or” është çmimi më prestigjioz që mund të marrë një futbollist gjatë karrierës së tij sportive. Ky trofe është dhënë që prej viteve ’60, dhe atë e kanë fituar disa prej emrave më të mëdhenj që ka pasur ky sport. Gjatë viteve të fundit, pronësinë e topit të artë e kanë pasur vetëm dy emra, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. Dy futbollistët kanë rivalizuar me njëri tjetrin përgjatë 10 viteve të fundit, duke e ndarë në mënyrë të barabartë çmimin e lojtarit më të mirë në botë. 5 herë ka fituar Ronaldo (2008, 2013, 2014, 2016, 2017) dhe po 5 herë Mesi (2009, 2010, 2011, 2012, 2015). Viti 2018 mund të quhet një i veçantë pasi do të jetë hera e parë pas 10 vitesh, që do të kemi një fitues të ri të Topit të Artë. Në Paris në 3 dhjetor me shumë gjasa ai që do të ngrejë trofeun më të lakmuar individual do të jetë një futbollist i përfaqësueses franceze. Ata që duket se janë më përpara në këtë garë janë pikërisht Antuan Grizman dhe Kilian Mbape, të cilët në javët e fundit i kanë rritur mjaft kuotat e tyre për triumfin final. Dy sulmuesit vijnë pas një viti fantastik ku kanë spikatur si me skuadrën e tyre kombëtare, ashtu edhe me klubet respektive. Mbape dhe Grizman u shpallën që të dy kampionë bote me përfaqësuesen franceze në botërorin e Rusisë, duke qenë protagonistë me golat e tyre. 19-vjeçari i PSG shënoi dy herë në finale duke u shpallur lojtari më i mirë i finales. Ndërsa Grizman shënoi gola vendimtarë gjatë sfidave me eliminim direkt. Për sa i përket performancës në nivel klubesh, Mbape fitoi kampionatin francez me PSG duke shënuar 27 gola në 13 ndeshje. Krahas kampionatit, 19-vjeçari kontribuoi edhe në fitimin e dy kupave të Francës. Për sa i përket arritjeve të Grizman me Atletikon e Madridit, 27-vjeçari fitoi Ligën e Evropës duke u shpallur lojtari më i mirë i turneut. Ndërkohë nuk duhet nënvlerësuar as Luka Modriç, i cili duke qenë fituesi i Çmimit të Lojtarit më të Mirë të FIFA dhe UEFA, automatikisht kthehet në një nga favoritët për trofeun e lojtarit më të mirë në botë. Mesfushori kroat arriti deri në finalen e kampionatit botëror me Kroacinë, duke u mundur pikërisht nga Franca e Mbape dhe Grizman. Modriç pati gjithashtu suksese me Realin e Madridit pasi fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve, i treti radhazi për të dhe për madrilenët. Topi i Artë është një çmim që jepet nga revista prestigjioze “France Football”, ku votojnë 173 gazetarë.