Legjionarët, 59 gola në pesë kontinentet

519
Sigal

Legjionarët

Rrjetat lojtarëve shqiptarë u tundën në Europë, Shtetet e Bashkuara, por dhe në Iran e Australi

Me kampionatet europiane, që tashmë e kanë mbyllur ose janë në përfundim të fazës së parë, gazeta “Telegraf”, në specialen e  saj bën një bilanc të golave që kanë realizuar lojtarët shqiptare me ekipet e tyre. Kjo fazë e parë është në shenjën e Armando Sadikut, i cili ka realizuar 11 gola me Luganon në Challenge League të Zvicrës, ndërkohë që realizuesi i dytë më i mirë është, gjithmonë përsa u përket numrit të golave, është Edmond Kapllani i FSV Frankfurtit në Bundesligën 2. Xhevair Sukaj po bën një figurë të mirë me Sepehanin në Iran, gjashtë gola të tij, ndërkohë që nga pesë gola kanë realizuar Elis Bakaj në Ukrainë, Armando Vajushi në Bullgari dhe Besart Berisha në Australi. Gola kanë realizuar edhe Bekim Balaj (Çeki), Ahmed Januzi (Ukrianë), Erjon Bogdani (Itali), Odise Roshi (Gjermani), Alban Meha (Gjermani). Në total, janë 14 futbollistë shqiptarë kanë shënuar në këtë pjesë të parë të sezonit, jo pak, por 59 gola.  Nuk mungon edhe goli i portierit të Kombëtares, Etrit Berisha, i cili ka shënuar me penallti për Kalmarin në Suedi. Në raport, me golashënuesit e tjerë, që në konsideratë është mara vetëm faza e parë, për Salihin dhe Etrit Berishën është marrë në vlerësim i gjithi kampionati, pasi si në SHBA, ashtu dhe në Suedi, ai zhvillohet në harkun e një vit, jo i ndarë në vjeshtë-pranverë, si në kampionatet europiane.

 ITALI

Erjon Bogdani ka pasur një aktivizim me pikatore me Sienën deri në këto momente të Serisë A (janë luajtur 17 javë), por golashënuesi më i mirë i Kombëtares ka realizuar një gol në katër ndeshjet e tij. Bogdani shënoi në humbjen 4-2 kundër Kaljarit. Sezonin e kaluar, Bogu realizoi katër gola, duke i dhënë pikë shumë të vlefshme Sienës të tij, në luftën për mbijetesë. Siena tani mbyll renditjen në fazën e parë. Për Erjonin ka sinjale merkatoja nga Peskara. Lorik Cana, i cili kampionatin e kaluar shënoi dy gola në 15 ndeshje (kundër Atalantës dhe Leçes), këtë vit më shumë ka qenë në bankinë: vetëm 9 ndeshje, por në total ato bëjnë 233 minuta (2.5 ndeshje të plota). Te Lacio me të rinjtë luan edhe portieti Thoma Strakosha. Te Palermo, portieri Samir Ujkani ka bërë një sezon në kontrast, dhe herë ai vlerësohet dhe herë kritikohet. Në Lega Pro (ish-seria C), Ledian Memushaj ka realizuar tre gola me Leçen. Përsa u përket kosovarëve, Migjen Basha i Torinos ka shënuar një gol në dhjetë ndeshje (kundër Parmës); Blerim Xhemaili i Napolit, një gol në 15 ndeshje. Valon Berhami nuk ka realizuar me Napolin.

 GJERMANI

Ndërsa në Bundesligën 1 nuk kemi asnjë gol me firmë shqiptare, në Bundesligën 2, Edmond Kapllani, po përjeton një rini të dytë, dke realizuar shtatë gola për FSV Frankfurtin. Golat e durrsakut janë shënuar kundër Zandhauzenit, Bokumit, Padebornit, St.Paulit, Erzgebirges dhe Ingolshtadtit, duke i dhënë pikë të çmuara skuadrës së tij. Kapllani është golashënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit duke fituar dhe duelin me holandezin Xhohn Verhoek, ky i fundit shënoi gjashtë gola në 18 ndeshje. Gol me FSV Frankfurtin realizoi edhe Odise Roshi. Mesfushori fierak i Kombëtares e shënoi golin e vetëm ndaj St.Paulit, dhe në po atë takim dha asistin e golit të realizuar nga Edmond Kapllani. Mesfushori i ri i përfaqësueses, kosovari Alban Meha, shënoi dy gola në 12 me Paderborni e tij (kundër Bokumit dhe Hertës së Berlinit). Kapiteni shqiptar i Grojther Fyrthit, Mërgim Mavraj, nuk ka shënuar asnjë gol në 17 ndeshjet e tij, ndërkoqë skuadra ka pësuar 28 gola, dhe renditet e fundit në fazën e parë të Bundesligës gjermane. Dy kosovarët, Xherdan Shaqiri i Bajernit të Munihut dhe Granit Xhaka i Borusias së Mënshengladbahut kanë realizuar secili nga një gol për ekipet e tyre.

 ZVICËR

Jahmir Hyka është aktivizuar me Lucernin në 16 nga 18 ndeshjet e pjesë së parë të kampionatit zviceran, por ndryshe nga viti i kaluar kur shënoi 5 gola, këtë sezon mesfushori i kombëtares shqiptare nuk e ka prishur shifrën zero. Zbulimi i trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazit, mesfushori 28-vjeçar Burim Kukeli, është aktivizuar në 12 ndeshje, por pa mundur të realizojë ndonjë gol. Sulmuesi i ri i Kombëtares A, Armando Sadiku, vazhdon të jetë një makinë golash edhe me ekipin e tij të ri, Luganon. Nëse sezonin e kaluar realizoi për Lokarnon, 19 gola në 27 ndeshje në kampionat, midis tyre dhe një tripletë në fitoren 3-0 kundër Delemont (21 prill 2012), këtë vit ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje me Luganon, madje elbasanasi fitoi edhe trofeun “Këpuca e Artë” në atë kampionat. Sadiku kryeson listën e golashënuesve të Challenge League, por skuadra e tij ndodhet në vendin e 7-të nga 10 skuadra që ka kampionati. Kosovari me pasaportë zvicerane, Gëzim Gashi, ka realizuar katër gola në 15 ndeshje me Luganon.

 GREQI

PAS Janina po bën një nga sezonet më të mira të saj në kampionatin grek (aktualisht ndodhet në vendin e 6-të me 21 pikë). Dy lojtarët shqiptarë, mbrojtësi Andi Lila dhe mesfushori Emiljano Vila, kanë fituar një status titullari. Por, nësë sezonin e kaluar, Emiljano Vila realizoi pesë gola, duke qenë dhe një nga zbulimet e trajnerit Angjelos Anastadiadhis, këtë edicion durrsaku, edhe pse i aktivizuar në 13 ndeshje ende nuk e ka ndjerë kënaqësinë e golit. Përkundrazi, këtë emocion e ka përjetuar Andi Lila. Mbrojtësi kavajas shënoi një eurogol në fitoren 2-0 të PAS Janinës në transfertën me Kërkyrën, ekipin e Korfuzit.

  UKRAINË

Lojtarët shqiptare dhe kosovarë në Ukrainë kanë rezultuar efektive përsa u përket shënimit të golave për ekipet ku ata luajnë. Elis Bakaj është shfaqur fuqishëm në rolin e një golashënuesi të mirëfilltë: pesë gola në 15 ndeshjet e aktivizuara, madje në të gjitha rastet ose i ka dhënë fitoren trepikëshe të skuadrës së tij, ose ka realizuar golin e parë të ekipit. Mesatarja e shënimit të golave: 1 gol në 246 minuta lojë. Volin, Tavrija, Arsenal Kiev, Vorskla dhe Karapati, janë skuadrat të cilave u ka shënuar Bakaj. Së fundi, pas një dëmtimi disa mujor ka nisur të aktivizohet dhe mbrojtësi Kristi Vangjeli. Çornomerets ndodhet në një pozitë të mirë në kampionat, vendi i pestë (30 pikë). Sulmuesi kosovar i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi, ka realizuar tre gola në këtë sezon (edicionin e kaluar shënoi tetë). Januzi, i cili herë pas herë është ftuar edhe në Kombëtare, realizoi kundër Krivbasit, Dnipros dhe gjigantëve të Shahktar Donteskut. Mbrojtësi i Vorsklës dhe Kombëtares shqiptare, Armend Dallku, nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në 17 ndeshjet e tij.

 ÇEKI

Bekim Balaj po bën një sezon të mirë në vitin e parë të tij në kampionatin çek. Sulmuesi shkodran ka mundur të shënojë deri tani tre gola në 12 ndeshje për Spartën e Pragës, ndërkohë që duhet shtuar edhe një që ish-lojtari i Vllaznisë dhe Tiranës ka realizuar në Ligën e Europës kundër spanjollëve të Atletikos së Bilbaos. Një fillim shumë i mirë i tij.

 BULLGARI

Armando Vajushi është ambientuar më së miri në kampionatin bullgar, në raport me sezonin e parë të tij. Mesfushori i avancuar shkodran ka realizuar pesë gola në 15 ndeshje me Liteksin e Loveçit. 21-vjeçari është shënuesi i tretë më i mirë i skuadrës bullgare, duke e ndihmuar atë të ngjitet në vendin e tretë. Vajushi ka fituar respektin e një legjende si Hristo Stojçkovi, trajneri i Liteksit. Mesfushori tjetër shkodran Edon Hasani është aktivizuar vetëm në tri ndeshje (asnjë gol).

  SHBA

Hamdi Salihi e mbylli vitin futollistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke realizuar gjashtë gola në 23 ndeshje me DC Junaitid, në kampionatin amerikan. Sulmuesi shkodran ka shënuar kundër Torontos (3), dhe nga një gol SJ Earthkuejks, Kolorado Rapids dhe Montreal Impakts. Gjithsesi, përformanca e Salihit nuk e kënaqi klubin amerikan që, ka vendosur ta shesë, pasi rroga e Hamdiut është shumë e lartë (i dyti më i paguar në ekip).

 AUSTRALI

Sezonin e kaluar, sulmuesi Besart Berisha fitoi “Këpucën e Artë” në kampionatin australian, pasi 27-vjeçari shënoi 19 gola në sezonin e rregullt të A-League, ndërkohë që shënoi dhe dy të tjerë në finalen e madhe kundër Perth Glorit. Ish-lojtari i Kombëtares shënoi dhe dy gola në Ligën e Kampioneve të Azisë, duke u bërë i pari lojtar shqiptar që realizon në dy Liga të ndryshme të Kampionëve, pasi më parë kishte realizuar në atë të Europës. Por, këtë fillimsezoni, duket se Berisha e ka humbur aftësinë për të realizuar: vetëm pesë gola në 10 ndeshje për Brisbejn, ndërkohë që skuadra e tij në vendin e parafundit të kampionatit europian.

 IRAN

Sulmuesi Xhevair Sukaj vazhdon të jetë protagonist në Iran. Sezonin e kaluar, jo vetëm që u shpall kampion me Sepehanin, por shënoi edhe 3 gola (si dhe dy të tjerë në Ligën e Kampioneve të Azisë). Këtë edicion, shkodrani ka një rendiment edhe më të mirë: 6 gola, duke qenë realizuesi i tretë më i mirë në kampionat, pas Rafkhaeit (11) të Malavinit dhe Karimit (7) të Naft Teheranit. Sukaj ka realizuar katër herë golin e parë të skuadrës së tij, madje me rrjetat e tij i ka dhënë pikë shumë të vlefshme ekipit, edhe pse vetëm 3 herë nga 17 ndeshjet ku ka luajtur është aktivizuar si titullar nga minuta e parë. Gjithsesi, Sukaj është lojtari dhe sulmuesi më produktiv në skuadër, pasi malazezi Radomir Daloviç ka shënuar katër gola, ndërkohë që iraniani Reza Mohamad Khaltabari ka shënuar pesë gola. Po me Sepehanin luan edhe mesfushori i Kombëtares, Ervin Bulku. 31-vjeçari është aktivizuar në nëntë ndeshje.

 SUEDI

Edhe pse është portier, Etrit Berisha, ia doli të shënojë emrin e tij në listën e golashënuesve të kampionatit suedez. Portieri i Kombëtares shqiptare shënoi me penallti në humbjen 7-2 të Kalmarit të tij me Helsingborgun.

 AZERBAJXHAN

Në Azerbajxhan, Karabaku po zhvillon një kampionat të pëlqyeshëm (vendi i tretë në Premyer Liqa). Por, nëse mbrojtësi Admir Teli dhe mesfushori Ansi Agolli, sezonin e kaluar shënuan secili nga një gol, këtë pjesë të parë, asnjë prej tyre nuk ka realizuar, edhe pse shkodrani Teli ka luajtur 16 ndeshje, ndërsa tiranasi Agolli, 15.

 POLONI

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edgar Çani, realizoi sezonin  e kaluar 11 gola për Polonia Varshavën, por këtë edicion ai pati një edicion vërtet të trazuar, madje edhe me një dënim për të luajtur me skuadrën e dytë të klubit polak. Çani është aktivizuar shumë pak, dhe nuk ka mundur të shënojë golin e tij të parë. Është në listën e merkatos dimërore.

 GOLASHËNUESIT SHQIPTARË

Armando Sadiku  Lugano          Zvicër 2        11 gola

Hamdi Salihi     DC Junaitid     SHBA 1          8 gola

Edmond Kapllani Augsburg        Gjermani 2      7 gola

Xhevair Sukaj   Sepahan         Iran 1          6 gola

Elis Bakaj      Vorskla         Ukrainë 1       5 gola

Armando Vajushi      Liteks Loveç    Bullgari 1      5 gola

Besart Berisha Brisban Roar    Australi 1      5 gola

Ahmed Januzi    Vorskla Poltava Ukrainë 1       3 gola

Armando Vajushi Sparta Pragë    Çeki 1          3 gola

Alban Meha      Padeborn        Gjermani 2      2 gola

Andi Lila       PAS Janina      Greqi 1          1 gol

Erjon Bogdani   Siena           Itali 1          1 gol

Odise Roshi     Augsburg        Gjermani 2      1 gol

Etrit Berisha   Kalmar          Suedi 1         1 gol

Gola gjithsej: 59