Arbitrat shqiptarë “ngelin” në klasë

618
Sigal

Në testet e kontrollit të UEFA-s, të kryera nga 40 gjyqtarë shqiptarë, asnjëri prej tyre nuk ka kaluar normat

Arbitrat shqiptarë kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e opinionit futbollistik shqiptar. Në shumicën e rasteve gjyqtarët e futbollit tonë janë piketuar për vendimet e tyre të dyshimta apo të pasakta në ndeshjet e kampionatit shqiptar. Shumë prej tyre janë akuzuar se kanë favorizuar skuadra të caktuara, apo në disa rate janë sulmuar se kanë qenë pjesë të trukimeve të ndeshjeve. Një aspekt tjetër që nuk përflitet shumë, është gjendja fizike e arbitrave shqiptarë. Testet e fundit fizike të kryera nga gjyqtarët vendas ka nxjerrë në pah probleme për sa i përket gjendjes së tyre fizike. Duket se ata e kanë marrë më lehtë sesa duhet këtë sezon të ri futbollistik. Kur po mbaron faza e parë e tij, në një nga testet e ndërmjetme fizike që i është bërë, të gjithë gjyqtarët kryesorë kanë mbetur në klasë. Asnjëri nga 40 gjyqtarët që morën pjesë në këto kontrolle fizike nuk ka mundur të kapë normat e testimit UEFA të quajtur “Jo Jo”, duke treguar një gjendje jo të mirë të tyre nga këndvështrimi fizik. Ndonëse këto nuk janë teste që përcaktojnë vazhdimësinë e pjesëmarrjes së tyre në këtë sezon, mbeten aq të rëndësishme sa është vendosur që të përsëriten ditën e sotme. Duhet theksuar se as arbitrat me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji, Eldorjan Hamiti dhe Juxhin Xhaja, nuk i kanë marrë testet fizike. Dy të fundit patën probleme edhe me testimet edhe para se të merrnin statusin e arbitrit ndërkombëtar. Është dashur të testohen dy herë që të marrin stemën e FIFA-s. Dje kanë dhënë testet fizike edhe asistentët, të cilët gjithashtu kanë pasur probleme, por jo aq në masë sa kryesorët. Në bazë të rregullores, nëse ky testim do të ishte kualifikues si ai i fillimit të sezonit në muajin gusht apo i janarit, atëherë nga kjo fundjavë që vjen asnjëri nga gjyqtarët nuk do të gjykonte dot, duke rrezikuar javën e të gjitha kategorive të futbollit shqiptar. Testi “Jo Jo” është një ndër më të vështirët në aspektin fizik të UEFA-s dhe i bëhet kryesisht gjyqtarëve ndërkombëtarë nga vetë organizata e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit, ka vendosur që ky test të kryhet edhe nga gjyqtarët, shqiptarë, në mënyrë që të testohet gjenda e tyre fizike.