Superliga shqiptare nën “ethet” e merkatos

502
Sigal

Edhe pse në periudhë pushimesh, superiorja “vlon”, sidomos sa i përket merkatos ku janë të shumtë emrat që lakohen se do të largohen nga një skuadër apo se do të afrohen tek një tjetër. Më në qendër të vëmendjes janë skuadra e Flamurtarit bashkë me lojtarët, që në fakt pritet të bëhen largime të bujshme që në këtë merkato dimri. Sa i përket skuadrave të tjera, tregohen disi më të rezervuara në deklarata, e në rastin e Vllaznisë synimi sezonal është vetëm zgjatja e kontratave të futbollistëve të rinj, dalë nga akademia. Më poshtë paraqitet situata në disa nga klubet e Superligës sa i përket merkatos dimërore.

Flamurtari përgatit valixhet për shumë futbollistë

Duket se dy fazat e para mjaft zhgënjyese për Flamurtarin kanë bërë që drejtuesit e këtij klubi të mos i lejojnë një pjesë të mirë të futbollistëve që të festojnë festat e fundvitit tërësisht të qetë. Ishte folur që para disa ditësh në fakt që do të ketë largime të bujshme nga Flamurtari, pasi u mbajt edhe një mbledhje nga kryesia e skuadrës, por vendimet që u morën nuk u zbardhën aspak për mediat, të paktën atëherë. Nga dje u bë e ditur se numri i futbollistëve që do të largohen është i madhe dhe rinovimi i skuadrës do të cilësohet si kërkesë urgjente për të arritur një formë më të  mirë në fazën e tretë, nga ku edhe premtohet që do të shikohet një tjetër Flamurtari, që do të rivalizojë denjësisht me skuadrat e tjera. Largimet e futbollistëve sigurisht që do të bëhen të ditura në ditët në vijim, por kjo flitet në mënyrë zyrtare pasi fjalët e para për të larguarit e parë sigurisht që janë shpallur. Bëhet fjalë për Gilberton, Metajn, Lenën, Arberi, Micin dhe Likën. Këta janë emrat më të lakuar për momentin, ndërkohë që Gilman Lika tanimë duket çdo ditë e më shumë pranë skuadrës së Tiranës. Projekti i Flamurtarit do të jetë i njëjtë me atë të Vllaznisë: Shpenzime sa më të pakta në blerje të lojtarëve me emër dhe të gatshëm, pasi kushtojnë shumë si nga blerja por edhe në rrogë. Qëllimi është që investohet tek akademia dhe futbollistët e rinj që meritojnë një mundësi që të jenë pjesë e skuadrës së parë. Ardjan Takaj: Nuk flas para kohe për lojtarët që do të blejmë

Situata në Kampionatin shqiptar, për blerjet dhe shitjet e lojtarëve nuk do të jetë diçka që do të kalojë pa u vënë re, pasi “tregu” gëlon nga ofertat, afrimet dhe largimet e mundshme. Një deklaratë ka dhënë edhe presidenti i Skënderbeut Takaj, që duket shumë më i përmbajtur se të tjerët kur tregon se nuk do të përmendë asnjë emër që nuk janë futbollistë të Skënderbeut. Ai u shpreh se do të fliste për futbollistë vetëm kur të nënshkruajnë për Skënderbeun. Ndër të tjera Takaj përmendi edhe interesat që kanë klubet e tjera për futbollistët e tyre, duke nxjerrë në pah dhe duke e vërtetuar kërkesën e Genkut ndaj Olayinkas.

Vllaznia mendon për të ardhmen, zgjat kontratat e tre talenteve të reja

Që Vllaznia gjithmonë ka nxjerrë talente në futbollin shqiptar, kjo është gjerësisht e ditur, duke e bërë këtë klub, ose më saktë akademinë, një nga më të mirat në Shqipëri ku furnizon ndër të tjera përveç tregun vendas edhe atë të huaj me futbollistë mjaft të talentuar. Dje klubi shkodran ka zgjatur kontratën e tre futbollistëve të rinj, që në fakt kanë arritur që të lënë gjurmë që në këtë kampionat me paraqitjet e tyre, Ardit Krymi, Esin Haka dhe Erald Cinari. Qëllimi i klubit kuqeblu është mbi të gjitha që në rast se largohen të largohen drejt klubeve të huaja, që sigurisht do t’i sillte fitime më të mëdha klubit.

Bekim Balaj, bamirësi për familjet e dëshmorëve të UÇK-së

 Bekim Balaj, futbollisti i Kombëtares, po tregon se përveç një sportist i madh është edhe një bamirës i madh, ku nuk ka ngurruar që të japë ndihmën e tij për familjet e dëshmorëve të të rënëve të UÇK-së. Çdo vit zhvillohet në Maqedoni një turne “Bashkimi” në mënyrë që të grumbullojnë shuma parash për t’ua shpërndarë personave në nevojë. Balaj nuk ka ngurruar por me një herë është bërë pjesë e kësaj nisme, duke dhuruar një shumë të caktuar dhe duke bërë thirrja për të gjithë shqiptarët që të ndihmojnë njëri-tjetrin, pasi ka qenë dhe vazhdon të jetë akoma traditë e jona bashkimi në raste nevoje.

 Lewis Hamilton, sportisti më i mirë në Europë për vitin 2014

Dje u zhvillua votimi për sportistin më të mirë për vitin 2014, votim që pa si fitues pilotin e Formula1, Lewis Hamilton, duke lënë pas vetes sportistët e tjerë të Europës. Ajo që përbën tjetër lajm, përveç fitores së tij, është se i dyti në këtë renditje është portieri gjerman Manuel Neuer, portier që gjendet edhe në treshen e futbollistëve më të mirë në botë për vitin që po lëmë pas. Hamilton e fitoi këtë çmim me vetëm një votë më tepër sesa Neuer, duke i dhënë këtij të fundit ndoshta një “shpresë” se mund të jetë ai triumfuesi për “Topin e Artë”. Në listën e djeshme vendin e tretë e plotësoi tenisti serb Novak Djokovic, numri një i botës në këtë sport dhe vetëm i katërti u rendit pretendenti tjetër për “Topin e Artë”, Krisitiano Ronaldo.

“Selman Stërmasi” drejt rikonstruksionit, stadiumet në Shqipëri me “fytyrë” të re

 Duket se projektet për rikonstruksionin e stadiumeve shqiptare po shtohen dita-ditës, ku tani edhe “Selman Stërmasi” i kryeqytetit është në projekt për të rinovuar shkallët e stadiumit dhe “tapetin” prej bari. Në fakt vitet e fundit, ky stadium është lënë shumë pas dore, ku nuk nevojitej ndonjë sy i mprehtë për të vënë re shkatërrimin që po bëhej pjesë e tijë. Bëhet me dije se ky projekt është nisur nga klubi i Tiranës që akoma nuk dihet se do ti luajë apo jo në këtë stadium ndeshjet brenda në shtëpi. Në fakt viti 2014, e gjithashtu mesa shihet edhe 2015-a do të jetë e mbushur me plane të reja, duke përfshirë edhe atë më  madhorin siç është rikonstruksioni i plotë i stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.

 Shkodran Mustafi, një ndër të fituarit e vitit në Gjermani

Viti 2014 pa dyshim që ka qenë më i miri, sa i përket anës profesionale, për futbollistin me origjinë shqiptare Shkodran Mustafi, e këtë e mendon edhe BILD, gazeta e famshme gjermane, duke e vendosur ndër futbollistët që kanë pësuar rritjen më të madhe në 2014. Lojtari i Valencias, para botërorit 2014 ishte pothuaj i panjohur, por me pak fat dhe me shumë punë ia doli që të jetë faktor dhe në përbërjen e Kombëtares Gjermane të Futbollit. Prania e tij në këtë skuadër ishte falë edhe dëmtimit të Rojs që nuk mundi të jetë i pranishëm në Brazil, duke u zëvendësuar nga Mustafi (edhe pse nuk luajnë në pozicione të njëjta). Ky i fundit e shfrytëzoi më së miri mundësinë, duke rënë në sy si një mbrojtës me të ardhme dhe shumë i talentuar. Falë paraqitjeve në botëror ai u transferua tek Valencia duke shënuar edhe atje plot tre gola. Në renditjen e BILD, Mustafi gjendet në shoqëri shumë të mirë pasi pranë vetes ka portierin gjerman, kandidatin për “Topin e Artë” 2014, Manuel Neuer.