Sporti në Telegraf / Flet ish trajneri Emanuel Egbo: Në Superiore gara ka nisur e fortë, nuk kemi befasira. Agron Kaja: Aksi Laç- Kukës, “tërmet dy ballë” me trajnerët. Ja largimet

115
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri e trajneri bardheblu, Emanuel Egbo, ja skaneri i tijNë Superiore gara ka nisur e fortë, nuk kemi befasira

Agron Kaja

Sa larg, apo pranë futbollit shqiptar ndodheni në këtë periudhë pa një bankinë?

Nuk është se e ndjej larg futbollin shqiptar, sepse unë e shoh me shumë dëshirë, gjithmonë kur jam i lirë. Futbollin shqiptar në të gjitha nivelet e tij e shoh edhe në këndvështrimin e një trajneri dhe me syrin kritik, jo si tifoz e si sportdashës.

Abissnet Superiore ku ju keni qenë lojtar dhe trajner, i ka luajtur dy javët e para. Si i përshkruani ato, nisur nga rezultatet?

Mendoj se është herët që mund të thuash se si mund të shkojë ecuria e kampionatit. Ekipet e kanë nisur me rezultate interesante, por vazhdimësia  do tregojë realisht gjendjen e tyre. Këtë vit nuk ka shumë ekipe të forta, veç Tiranës, Partizanit, Egnatias e Vllaznisë, të cilat kanë bërë paraqitje të mira në dy javët e para.

Duke ju referuar golave në dy javë, mendoni se shënimi i tyre ka rregulluar shënjestër?

Janë ndeshjet e para dhe po shënohen shumë gola. Them se duke qenë edhe përbërja e skuadrave me lojtarë në moshë të re, shënimi i golave ka qenë në shifra të larta. Por edhe futbollistët janë treguar agresivë para porte dhe kanë shënuar.

Duke qenë një ish-portier, sot edhe një seleksioner i tyre, si ka qenë paraqitja e tyre në këto dy javë?

Mendoj se portierët kanë qenë mirë. Veçoj Ilion Likën si një portier profesionist, pavarësisht moshës. Portieri Demaj i Teutës, ai i Skënderbeut, apo edhe portieri i Partizanit do jenë protagonistë te skuadrat e tyre. Do i shohim në javët e tjera.

Kampionati nisi me ndeshjen “derbi” Dinamo City-Tirana, si e përjetuat atë në këndvështrimin e ish-portierit e trajnerit të Tiranës?

“Derbi” ishte një ndeshje e luftuar, sidomos në pjesën e parë ku Dinamo kaloi dy herë në avantazh. Por Dinamo do kohë ta marrë veten e të kolaudohet mirë, sepse nuk është në nivelin e mëparshëm. Kanë ekip me blerje, por gradualisht do ngjitet.

Në këtë sezon po funksionon edhe sistemi VAR, si ka qenë roli i tij në drejtësinë e gjykimit të ndeshjeve?

Për sistemin VAR nuk ka patur ankesa në këto dy javë, e kështu ka funksionuar mirë. Në vazhdimësi të shohim, se kampionati është i gjatë. Por unë mendoj se në këtë aspekt edhe në Kategorinë e parë do ketë shumë luftë sportive, se janë skuadra që kanë fituat tituj e kupa në Superiore.

Kampionati ndërpritet për 10 ditë, ndikon kjo hapësirë në ritmikën e skuadrave pa ndeshje zyrtare?

Mund edhe të ndikojë jo për mirë, por mund të ndihmojë skuadra që kanë patur të dëmtuar, apo skuadra që nuk kanë patur mundësi të marrin freski pasi luajtën në Europë. Te skuadrat e tjera e ulin ritmin, pra duket si një pushim me dy aspekte.

Janë luajtur vetëm dy javë nga ky kampionat, çfarë do ti sugjeronit skuadrave për një garë të fortë e cilësore?

E shoh se gara po zhvillohet e fortë. E rëndësishme është që skuadrat të ndjekin synimet dhe objektivat e tyre me garë të fortë dhe të ndershme. Të gjithë në Superiore kanë objektiva të veçanta, dhe kështu ajo do bëhet më e fortë.

 

Në dy javët e para shoh se gara po zhvillohet e fortë. E rëndësishme është që skuadrat të ndjekin synimet dhe objektivat e tyre me garë të fortë e të ndershme.

 

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2023-2024

 

REZULTATET, JAVA 2

Të premten, 1 shtator 2023

Erzeni-Vllaznia              2-2
Skënderbeu-Dinamo      1-0

Të shtunën, 2 shtator 2023
Teuta-Tirana                  2-2

Të dielën, 3 shtator 2023
Kukësi-Egnatia               0-4
Partizani-Laçi                 1-0

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Skënderbeu       2        6

2.Vllaznia             2        4

3.Tirana               2        4

4.Egnatia              2        3

5.Partizani            1        3

6.Erzeni                2        2

7.Teuta                 1        1

8.Laçi                             2        1

9.Dinamo             2        0

10.Kukësi             2        0

Botërori i shtangës

 Shqipëria garon me Caljan e Qerimaj për medalje

Nga dita e djeshme 4 shtator, e deri më 17 shtator 2023, në Riad të Arabisë Saudite do të zhvillohen garat e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes, M-F. Në këtë event të shtangës botërore, Shqipëria përfaqësohet me dy peshëngritës: Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të dy në peshën 81 kg. Briken Calja do të garojë në Baterinë B, në datën 11 shtator, ora 11:30. Ndërkohë që edhe Erkand Qerimaj garon në Baterinë A, po në datën 11 shtator, por në ora 16:30. Në këtë Botëror do të garojnë 719 peshëngritës nga 117 vende të Botës, mes tyre janë edhe 16 të tjerë që do të garojnë nën flamurin e Federatës Botërore të Peshëngritjes. Suksese kampionëve tanë!

SITUATA TE KOMBËTARJA

Dy mijë tifozë në Çeki, Silvinjo i kënaqur

Më 7 shtator 2023, Shqipëria do të luajë ndaj Çekisë në kuadrin e ndeshjeve eliminatore të “Euro 2024”. Grupi E dhe ndeshja do të drejtohet nga arbitri anglez, Entoni Tejlor. Çekët kryesojnë me 7 pikë e Shqipëria në vendin e dytë me 6 pikë, renditje që e ka shtuar interesin nga tifozeria kuqezi. Trajneri Silvinjo e shikon si pozitiv këtë fakt: “Sigurisht që ky fakt të kemi stadium plot, më jep kënaqësi. Në Çeki do të ketë 4 ose 5 mijë, dhe do të jetë plot këtu me Poloninë. Është edhe përgjegjësi, por puna jonë është në fushë”. Dje ka nisur grumbullimi zyrtar në Tiranë dhe seanca e parë stërvitore u zhvillua në ora 17:00.

Legjionarët, sinjale pozitive në fundjavë

Këtë javë Kombëtarja jonë do të luajë dy ndeshje të rëndësishme për Kampionatin Europian “Euro 2024”. Në këtë prag, fundjavën e shkuar thuajse pjesa më e madhe e lojtarëve kuqezinj janë aktivizuar në skuadrat e tyre, ku tërhoqi vëmendjen fillimisht Cikalleshi, i cili i dha fitoren 1-0 Koniasportit ndaj Bashakshehir. Në Serie A, Hysaj luajti 81 minuta në fitoren 2-1 të Lacios ndaj Napolit dhe u vlerësua me notën 6, ndërsa Gjimshiti luajti 90 minuta në fitoren 3-0 Atalanta-Monza dhe u vlerësua me 6.5. Ernest Muçi shënoi 2 gola në sfidën e Legias ndaj Lodz, ndërsa luajtën edhe Berisha, Asllani e Ramadani në Serie A.

KOMENT/ Sezoni i Abissnet Superiore, në dy javë ka nisur emisionin “Nga njera bankinë në tjetrën”

 Aksi Laç-Kukës, “Tërmet dy ballë” me trajnerët!

 Agron Kaja

Krahasimisht me emisionin radiofonik “Nga njera ndeshje në tjetrën”, këtë herë po e përdor duke thënë “Nga njëra bankinë në tjetrën”. Dje erdhi një njoftim i ri nga Kukësi i futbollit, të cilët nuk e kapërdinë dot situatën në fundin e renditjes së skuadrës së tyre pas dy javëve të luajtura në Abissnet Superiore, dhe Klubi njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Rraman Hallaçi! Shkak bëhen rezultatet e dobëta në dy ndeshjet e para të kampionatit dhe i urojnë suksese në karrierën e tij. Ky njoftimi i klubit, i cili na bën të hedhim dyshime mbi të, nuk zgjati as 24 orë, sepse në bankinë u afrua Stavri Nica, i cili u shkarkua nga Laçi një javë më parë. Mos e beso po deshe, por “frenat e dorës” në bankina po i ngrejnë vetë trajnerët, dhe këtu analiza më detyron që të ndalemi. Pse? Sepse edhe pas ndeshjeve në javën e dytë kemi të njëjtin njoftim, por që ishte klubi i Laçit që e nisi këtë garë largimesh të trajnerëve. Madje me Stavri Nicën e ka bërë si loja “çil e mbyll”, apo si një “telenovelë”: Ikën Gentian Mezani dhe vjen Stavri Nica. Dhe në sezonin e kaluar vjen Shpëtim Duro në bankinën e Laçit, e disa javë më pas largohet Shpëtim Duro dhe vjen Dejan Vikuçeviç, ky largohet dhe vjen Gentian Mezani, i cili nuk e përfundon sezonin e skuadra mbetet në drejtimin e Stavri Nicës si “gomë rezervë” !!! Ndërsa në këtë sezon, largimi i tij pas barazimit 3-3 me Erzenin në Laç, erdhi si më i “moderuar”: “Klubi i Laçit i ndërpret marrëdhëniet me trajnerin Stavri Nica… dhe i uron suksese…”. Pra, suksese, të cilat Nica 69 vjeçar i priti me qetësinëe thjeshtësinë e tij qytetare, duke qëndruar vetëm shtatë ditë pa punë. Por le të vazhdojmë me Kukësin, ku duhet kujtuar se nuk ka shumë marrdhënie të mira dhe të gjata me trajnerët. Vetëm në sezonin e kaluar e nisi Skënder Gega, shpejt e mori stafetën Enkelejd Dobi, i cili u dorëzua dhe ja la Rahman Hallaçit. Pra, te Kukësi e Laçi largimet (shkarkimet) e trajnerëve janë në modë në sezonet e fundit. “Nga njëra bankinë në tjetrën”, duket si një lojë jo serioze. Gjithsesi, këto dy largime në dy javët e para të Abissnet Superiore 2023-2024 sikur trokasin në çdo “portë” të trajnerëve të tjerë: Kush e ka radhën të largohet në javën e tretë, po në 34 javët e mbetura dhe në ato të “Final 4”, cilët do jenë emrat e “thertores” me bankinat e Abissnet Superiore 2023-2024?! Figurativisht, Superiorja 2023-2024 ka nisur si një “Tërmet dy ballë” me trajnerët, kjo në aksin e Veriut, Laç-Kukës! Fenomen i dobët ky, për një Superiore konkurruese edhe në bankina.

Këto dy largime sikur trokasin në çdo “portë” të trajnerëve të tjerë: “Kush e ka radhën të largohet në javën tjetër, po deri në fund të kampionatit, cilët do jenë emrat në “thertoret” e bankinave?!

TRAJNERËT E LARGUAR

Java e parë: Largohet Stavri Nica nga Laçi, vjen Skerdi Bejzade.

Java e dytë: Largohet Rahman Hallaçi nga Kukësi, vjen Stavri Nica!

 Sokol Cikalleshi: Maksimumin për fitore në Çeki

Në konferencën e djeshme për shtyp, sulmuesi i Kombëtares Sokol Cikalleshi, midis të tjerave deklaroi: “… Do të bëjmë maksimumin në fushën e lojës, që si ne sulmuesit, ashtu edhe të tjerët, të japim më të mirën për të arritur fitoren në këto dy ndeshje, të cilat janë më të rëndësishmet. Të mendojmë vetëm Çekinë dhe për të marrë tri pikët…”.

Nedim Bajrami: Të përgatitur për më të mirën

Në deklaratën e tij dje para mediave, mesfushori i Kombëtares tonë, Nedim Bajrami, u shpreh i bindur se Shqipëria mund të bëjë mirë në këto dy ndeshje. Në Çeki do kemi një ndeshje të vështirë, me një kundërshtar të fortë. Po e  përgatisim mirë ndeshjen dhe të gjithë jemi gati dhe japim maksimumin për ta fituar këtë sfidë …”.