Sakip Cami: Kuvendet e 9 maleve të Dibrës

71
Sigal

Nandë Malet e Dibrës ose Nandë Krahinat e Dibrës e kishin si praktikë veprimi mbledhjet e tyre në vende të ndryshme sipas kohës dhe vendit, sipas nevojave të organizimit të luftës kundër pushtuesve. Në Dibër vepronin dy kuvende. Kur mblidheshin dy Dibrat (e Epërmja dhe e Poshtmja) mblidheshin te Gurra e Mazhicës në Dibër të Epërme dhe te Ferra e Pashës ose te varret e Dali Hasanit në Dibër të Poshtme, pra në Zogje dhe në ArrasKuvendet në Dibër të Poshtme janë drejtuar nga Salë Demiri dhe kohë të tjera nga Lusha, Noka, Troci etj. Kuvendet e Dibrës së Epërme janë drejtuar nga Salë Markja, Sheh Zerqani, Cen Leka, Dalip Karaj, Mersim Dema.

Një nga mbledhjet e Nandë Maleve është zhvilluar tek Gurrat e Mazhicës në Grykën e Vogël dhe është vendosur:

  • Malet të qëndrojnë të bashkuar njëri me tjetrin në çdo rast, kohë e rrethanë.
  • Teritori i tyre të quhej i të gjithëve. Çdo pëllëmbë e një mali të quhej e të Nandë Maleve dhe po u cënua ndonjëri prej tyre, kushdo e kudoqoftë, të mbrohet nga të gjithë.
  • Në Grykë të Vogël që ishte në ballë të sulmeve turke, të vendosej një roje e përhershme që të lajmëronte kur të vinin turqit. ( Në fillim këtë detyrë e kreu më së miri Zenel Cami).
  • Asnjë malsor prej maleve të mos pranonte tituj e grada si pashë apo spahi dhe të mos shërbente në ushtrinë dhe administratën osmane.
  • Kush hynte në shërbim të shtetit turk, nxirrej me forcë nga malet përgjithmonë.
  • Turkut të mos i dorzoheshin armët për së gjalli.
  • Po të kërkonte ndihmë Topalltia (pjesa e fushës) ose ndonjë krahinë tjetër në luftë kundër turqve, t’i shkohej menjëherë.
  • Secili mal në tubimet popullore të vendoste plakun e vet për vendosjen e karareve.
  • Secili plak të kishte 3-4 çekiç (ndihmës) që të ndanin ngatërresat, vrasjet për hakmarrje etj.
  • Po të vritej nga ndokush plaku, i cili nuk ishte i armatosur, vrasësi të pushkatohej, t’i digjej shtëpia dhe familja t’i largohej për një kohë të caktuar ose t’i priteshin pemët dhe t’i merrej toka.
  • Në rast lufte kundër turqve ndalohej çdo hakmarrje.
  • Ndalohej pushka në gra, të rinj dhe pleq të armatosur.

 

Kuvendi  tek Gurra e Mazhicës në ditën e dytë të qershorit 1844.

Bashkё me Sheh Mustafa Zerqanin dhe Mustafa ag Ostrenin, për t’i bërë ballë ekspeditës së Hajredin Pashës organizuan dy kuvende:

Njëri tek Guri i Shpu, në Fushë të Shehrit dhe tjetri në Mej të Kalasë (Homesh).

Në të dy kuvendet kanë qënë pothuajse të njëjtët persona.

Nga Fushë Shehri kanë marrë pjesë :

Mustafa ag Ostreni, Ilias Pashë Dibra, Cen Daci, Maliq Zajmi, Hasan Ballanca (i vjetri), Osman Shemsi Begu;

Nga Çidhna morën pjesë Vesel Lusha, Sali Noka, Salë Demiri, Zenel Bitri, Asllan (Llan) Kaloshi nga Sina;

Muhurri u përfaqësua nga Zenel Hoxha, Mustafa Lala, Jusuf Lika, Ibrahim Kaleshi e Demir Lleshi;

Luznia u përfaqësua  nga Elez Murrja, Halil Murrja, Sali Nikolli, Hasan Seferi, Hasan Toçi, Ibrahim Palluçi, Bajram Haxhi Nikolla;

Dardha u përfaqësua nga Osman Musa, Rushit Cani, Selman Xhani, Beqir Hasani;

Reçi u përfaqësua nga Jusuf Doda e Mahmut Troci;

Gryka e Vogël nga Cen Leka, Salё Markja, Mustafa Lleshi, Mustafa Jakimi, Rahman Dema, Osman Musa Izvira, Abdurrahman Teta, Met Alimani, Ridvan Daçi, Ahmet Merçia, Sinan Uka, Hazis Dema, Ilias Bodurri, Hajdar Cami, Azis Tomja, Islam Çena;

Gryka e Madhe nga Sheh Mustafa, Fasli Malja, Ahmet Loka, Selim Baloshi, Sali Zeneli, Abas Kalla, Met Shahini, Rizvan Alla;

Katër Grykët nga Llan Kaziu

Bulqiza u përfaqësua nga Dalip Karaj, Bajram Fera , Fejzi Xhobi, Ismail Çakalli.

Kuvendi te Guri i shpu në Dibër, 1855

Aty u grumbulluan krerët e fshatrave dhe burra patriotë të mençur dhe të pushkës. Nga Bulqiza, erdhi Dalip Karaj e Mehmet Duriçi me çekiçët e tij, nga Gryka e madhe, Ismail e Baloshi e Jashar Zeneli, Sul Shehu etj. Nga Gryka e Vogël, Sal Markja, Sefer Lleshi e Rrahman Dema me çekiçët e tyre.

Nga Dibra e Poshtme erdhi Elez Murrja, Sali Nikolli e Hysen Manuka nga Luznia, kurt Hoxha e Abaz Pira nga Muhurri, Sal Demiri, Ali Lusha, Demir Noka nga Çidhna, Mahmut Troci e Hasan Doda me çekiçët e tyre. Tre vetë ishin të papranueshëm në këtë mbledhje se ata i kishin shërbyer turkut për interesat e tyre ekonomike.

I pari foli Dalip Karaj i Bulqizës, i cili tha: “Ndigjoni or burra! Sal Markja asht burrë i mençur, kur do asht dhe trim. Ai na ka mbledhë këtu, asht mirë ta nigjojmë para se të marrim vendim?! Po kështu dhe për Abas Pirën e Sal Demirin. Ashtu them dhe unë o Dalip Karaj i Bulqizës tha Elez Murrja. Kuvendi dëgjoi Sal Marken, i cili në fjalën e tij shtroi “lojën” e taktikat e luftës, kundër Hysni Pashës. Kjo luftë tha Sala Markja të bëhet jashtë qytetit në fushë të hapur të Shehrit të Dibrës rreth Gurit të shpuar. Kështu u vendos udhëheqësi dhe organizatori, ngeli Sal Markja i Grykës së Vogël. Ai u bëri thirrje krerëve të maleve, kur t’u çojmë fjalë, të jeni gati për luftë. Kam shpresë se të gjithë këta turq do t’i zëmë rob, dhe ta marrë vesh sulltani se kush asht Dibra! Kur ta marrë vesh Sulltani do t’i plasin damarët e qafës! Qeshën të gjithë. Ai porositi se plani i luftës të mbahet sekret deri në minutën e fundit. Kohë pas kohe këto vendime u pasuruan edhe me nene të tjera sipas kushteve të reja që diktonte jeta.

Kuvendin  te Gurra e Mazhicës, pranverë, 1910 e drejtoi një përfaqësues i Dibrës së Poshtme, Isuf bej Karahasani nga Brezhdani.

Pjesëmarrës të tjerë të parisë së Maleve ishin: Zenel Hoxha nga Gjurrasi; Mersim Dema nga Homeshi, Zenel Kraja nga Gjorica; Sheh Hajredini nga Zerqani, Myftar Murrja nga Luznia; Tahir Bazi e Kurt Hoxha nga Muhurri; Llan Kaloshi, Selman Alia, Mud Lusha dhe Selim Noka nga Çidhna, Avdi Ndreu dhe Shaban Kaca nga Dardha; Baftjar Doda, sheh Abazi dhe Hysen Shabani nga Reçi etj. Krerë të Fushës në Kuvend ishin: sheh Abazi i Dohoshishtit, sheh Hasani i Tominit, Rustem Bardulla i Peshkopisë dhe Tahir Tafa i Sohodollit.

Në këtë kuvend u diskutua për situatën në të cilën ndodhej Dibra dhe u vendos për vazhdimin e kryengritjes së armatosur kundër osmanëve.

 

Kuvendi  i tetorit 1911 me tre malet e epra

 

Hasan Ballanca shkruan:

“Ditët e para të tetorit 1911 në Fushë të Thatë të Gjoricës në prani të 1450 pjesëmarrësve nga Gryka e Vogël, Gryka e Madhe dhe Bulqiza u organizua një kuvend që mori trajtat e një mitingu”. (Hasan Ballanca, Gazeta “Drita e Manastirit, 9 tetor 1911 sipas letrës së shkruar nga Gjurasi më 2 tetor 1911, M. Murra, Dibra, faqe 316).

Kuvendi ngarkoi Osman Karajn nga Bulqiza, Selman Kurtin nga Boçeva, Jakup Canin nga Sofraçani që kërkesat e këtij mitingu t’ja transmetonin mytesarifit të Dibrës.

Më pas dibranët kaluan në kryengritje të përgjithshme kundër turkut, ku një numër të konsiderueshëm luftëtarësh ishin nga Tërnova dhe nga fshatrat rreth saj. Drejtimin e Malit të Grykës së Madhe e kishte sheh Sula i Zerqanit, i biri i Sheh Mustafës.

Një kontribut për veprimet luftarake kundër turqve për krijimin e një fronti të gjërë nga Vorret e Vrame mbi Zerqan dhe deri në Shupenzë, Topojan, Luzni, Reç e Dardhë dha dhe çeta e Tërnovës.

 

*Nga libri: “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë, 2022, faqe 81-84