KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit, Mjeshtri Madh Artan Bano, sjell këndvështrimin teknik të garës
Agron KAJA

Edhe pse ka kohë që nuk drejton një skuadër në futbollin shqiptar, Mjeshtri Madh Artan Bano është gjithmonë në ndjekje të ecurisë së garës, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, dhe këtu jo vetëm për Lushnjen. Për gazetën “Telegraf”, Bano theksoi dje se java e 16-të që u luajt e shtrirë në katër ditë, do ketë pak ndikim në programet e trajnerëve. “Në fakt, shpërndarja e ndeshjeve në disa ditë erdhi për disa faktorë, dhe këtu mendoj se diçka nga programet stërvitore të trajnerëve edhe ka lëvizur. Gjithsesi, nuk mendoj se ndikon sepse ishte e parashikuar dhe trajnerët kishin bërë përgatitjet, këto janë lëvizje që nuk prishin punë. Tashmë është mbyllur gjysma e sezonit në Kategorinë e Parë dhe skuadrat janë në të njëtat parashikime që kemi bërë më parë këtu në gazetën “Telegraf”. Nisur nga perfomanca dhe nga renditja aktuale, veç tre skuadrave kryesuese, disa ekipe nuk janë në nivelin e duhur, si Lushnja, Apolonia e Korabi që nuk kanë bërë mirë. Ndërsa në fund duket se jo vetëm Erzeni me Valbonën, por në pjesën e dytë të kampionatit mund të jenë 4-5 ekipe që do vuajnë ethet e mbijetesës”, kështu e nisi bisidën specialisti Bano, i cili duket se “merakun” kryesor e ka te skuadra e Lushnjës, me të cilën e lidh historia e karrierës së tij dhe origjina. “Unë mendoj se për renditjen, bazë nuk janë pikët, por diferencat që skuadrat kanë mes tyre. Sepse kemi tre ekipet kryesuese që kanë diferenca të dukshme me skuadrat e tjera, por kemi edhe skuadra si Lushnja, Korabi e Apolonia që nuk kanë marrë atë që kanë dhënë në fushë. Nga ana tjetër, unë mendoj se te performanca e pjesës më të madhe të skuadrave kanë ndikuar edhe demtimet e më pak skualifikimet, çka ua kanë prishur ekuilibrat”. Ndërkohë, Artan Bano theksoi dje se nga muaji janar e deri në mbyllje të tij, kampionati në Kategorinë e Parë do të ketë tjetër nivel. “Sepse do kemi një merkato në muajin janar, edhe pse dihet që në dimër nuk mund të gjesh individë shumë cilësorë që të bëjnë diferencën në skuadra për një periudhë disa mujore. Ndërsa kemi përpara javën e 17-të, e fundit për këtë vit, unë mendoj se në tërësinë e tyre, duke qënë në fundkampionati nuk do ketë më shumë favoritë, përjashtuar Vorën, Besën dhe Flamurtarin si favoritë. Edhe në këtë javë nuk do ketë surpriza, janë ndeshje të hapura të gjitha, por duke qënë se mungon faktori kryesor që janë golashënuesit. Kam edhe një mesazh për këtë kategori, duhen projekte dhe kontrata afatgjata, njëherësh duhet më shumë profesionalizëm”, ishte kjo biseda me Mjeshtrin e Madh, Artan Bano.
LEGJIONARËT
Perla e Asllanit në Kupë, vlerësohet “gol olimpik”

Në ndeshjen e ditës së enjte kundër Udinezes në Kupën e Italisë, Kritian Asllani ishte titullar në skuadrën e Interit. Pas ndëshkimit me karton të verdhë, Asllani e nfriti nivelin e lojës dhe u bë protagonist jo vetëm në organizim, por edhe në finalizimin e aksioneve të Interit. Për zikaltrit shënoi golin e parë Arnautoviç në minutën e 30-të, duke e shtruar rrugën e fitores. Dhe që kjo fitore të merrte vulë shqiptare, duhej perla që Asllani ekzeutoi nga goditja e këndit, pikërisht në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Për nga mënyra e ekzekutimit, specialistët dhe mediat në Itali e kanë quajtur një “gol olimpik”, i cili rrallë herë shënohet. Kështu Asllani hyn në historinë e klubit zikaltër, pasi katër lojtarë të tjerë kanë shënuar gola të tillë më parë: Rekoba, Stankovicc, Eriksen dhe CCalhanoglu. Ky gol i mesfushorit shqiptar Kristian Asllani, për Kombëtaren tonë është një lajm plus, në pragun e ndeshjeve eliminatore të Botërorit 2026.
Tripleta e Uzunit e parakalohet nga Suares i Alemrias

Në ndeshjen e fundjavës së shkuar ku Granada e Uzunit fitoi 4-1 me Kartagjenën, beratasi shënoi 3 gola dhe përkohësisht u ngjit në kryesimin e golashënuesve të La Liga 2 në 20 javët e kampionatit. Më pas, me mbylljen e ndeshjeve të kësaj jave ai e gjeti veten edhe në formacionin e javës. Por ndeshja e fundit e javës së 20-të në La Liga 2 i dha mundesinë Luis Suaresit të Almerias që të shënonte edhe ai një tregolësh, e për pasojë e parakaloi Uzunin me 1 gol duke marrë kryesimin e golashënuesve në këtë kategori me 15 gola, beratasi me 14 gola të shënuar. Portali i vlerësime të performancës së futbollistëve në Europë, “Sofascore”, të dy këta futbollistë i vlerësoi me nota të larta. Luis Suaresin me notën 10, dhe Myrto Uzunin me notën 8.9. Gjithsesi, për sulmuesin e Kombëtares sonë kjo është një paraqitje e mirë në pragun e nisjes së ndeshjeve eliminatore të “Botërori 2026”, që për Shqipërinë nisin më 21 mars kundër Anglisë në Londër.
“Non grata” në Lushnje, Kreshnik Cjapi i padëshiruar!

Pas humbjes minimale me Besën në javën e 16-të, skuadra e Lushnjes nuk e ka kapërdirë këtë dështim. Nëpërmjet një komunikimi zyrtar të Administratorit Marjus Liçka, lushnjarët i janë drejtuar FSHF-së për masa ndëshkuese ndaj arbitrit Kreshnik Cjapi. “Tendecioz, skandaloz dhe kamikaze”, këto janë epitetet që drejtuesi i klubit lushnjar të futbollit i drejton arbitrit fierak Kreshnik Cjapi, si përsëritës për herë të dytë në dëm të skuadrës së tyre. “KF Lushnja do ta shpallë “Non grata” këtë palaço”, kështu e përmbledh reagimin e tij Administratori Liçka.
KATEGORIA E PARË
Rezultatet-Java 17
Datë 21 dhjetor 2024
Korabi-Kukësi 13:30
Valbona-Flamurtari 13:30
Lushnja-Burreli 13:30
Datë 22 dhjetor 2024
Pogradeci-Vora 13:30
Kastrioti-Erzeni 13:30
Besa-Apolonia 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 16 40
2.Besa 16 38
3.Flamurtari 16 36
4.Burreli 16 27
5.Kastrioti 16 23
6.Pogradeci 16 22
7.Lushnja 16 21
8.Kukësi 16 17
9.Apolonia 16 16
10.Korabi 16 13
11.Valbona 16 11
12.Erzeni 16 4




















