Sigal

Shqipëria ngre kokën pas asaj humbjeje shkatërruese me Skocinë disa ditë më parë. Kombëtarja jonë arriti të fitojë përballë Uellsit në miqësoren e djeshme në “Elbasan Arena”, duke mbyllur vitin 2018 me një rezultat pozitiv. Ky sukses ka më tepër vlera morale për ekipin e Panuçit, pas gjithë kësaj situate të vështirë gjatë muajve të fundit, por edhe vitit 2018 në përgjithësi, ku loja dhe rezultatet e futbollistëve tanë ka lënë për të dëshiruar. Në sfidën e djeshme, përballë ekipi të Garet Beil, Shqipëria triumfoi me rezultatin minimal 1-0, duke përfituar nga një penallti e shndërruar në gol prej sulmuesit shkodran, Bekim Balaj. Ndryshime të vogla në formacionin e kuqezinjve me Panuçin që aktivizoi më të mirët ndërsa i dha një fanellë titullari nga minuta e parë mbrojtësit Ardjan Ismajli por edhe Andi Lilës si mesfushor.

Momentet e ndeshjes

Pjesa e parë mes Shqipërisë dhe Uellsit ka qenë e “vakët”, me uellsianët të cilët e nisën sfidën pa dy lojtarët e saj kryesorë , Beil dhe Ramsei. Shqipëria u mundua të zhvillojë inkursione të shpeshta nga krahët, por lojtarët tanë gabuan shumë herë në mesfushë me pasime jo të sakta. 45 minuta kaluan në nervozizëm për skuadrën e Panuçit që donte patjetër golin si për t’u shfajësuar për humbjen kundër Skocisë. Nga ana tjetër ekipi i Gigsit ishte më i ekuilibruar, gjithashtu duke kërkuar golin në mënyra të ndryshme. Pasime të sakta, por edhe gjuajtje drejt portës duke vënë në vështirësi Etrit Berishën. Ky i fundit një hero në disa momente, duke treguar gjendje të mirë fizike dhe përqendrim në fushë. Në 45-minutat e dyta, Shqipëria u shfaq më kërkuese, teksa Gigs i dha frymëmarrje lojës së Uellsit me ndryshimet e bëra. Në fushë u fut Raamsey, megjithatë, gabimet në mbrojtje i kushtuan shumë. Në minutën e 57′ Uilson mbajti prej dore Taulant Xhakën dhe arbitri maqedonas e pa veprimin e gabuar dhe akordoi menjëherë 11-metërsh. Ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër sulmuesi shkodran Bekim Balaj, i cili nuk gaboi përballë portierit Uard. Menjëherë pas golit të Shqipërisë, trajneri kundërshtar aktivioi yllin e tyre Garet Beil. Megjithatë ishte kombëtarja jonë që u tregua sërish e rrezikshme me Uzunin i cili pati mundësi të artë në minutën e 65 për të dyfishuar. Uellsi i shtoi forcat në sulm me Beil dhe Ramsei, por pa arritur të ndëshkojë Etrit Berishën. Pavarësisht kësaj fitoreje, e ardhmja e italianit Kristian Panuçi, në drejtimin e përfaqësueses kuqezi mbetet një dilemë e madhe, ndërsa lojtarët e Shqipërisë “shkojnë me pushime” disi më të qetë dhe me një moral më pozitiv.

Shqipëri-Uells 1-0

Shënues : Balaj 58′

Shqipëria: Berisha; Veseli, Mavraj, Ismajli, Hysaj; Xhaka, Lila, Basha; Uzuni, Balaj, Grezda. Trajner: Kristian Panuçi

Uellsi: Uard; Roberts, Lokier, Lorencs, Ganter; Allen, King; Bruks, Uilson, Xhejms; Vokes. Trajner: Rajan Gigs

Panuçi: Skuadra gjeti shpirtin e duhur në fushë, lojtarët janë me mua

Trajneri italian i kombëtares u shfaq i gëzuar në përfundim ndeshjes me Uellsin ku kuqezinjtë u rikthyhen tek fitorja. “Skuadra gjeti shpirtin e duhur, dhe arrin në një fitore. Më në fund skuadra arriti të fitonte, vuajtëm, por në fund arritëm fitore. Edhe pse, Uellsi kërkoi që të na barazonte, si çdo skuadër që hyn për fitore. Por, kjo nuk do të thotë që ndalojmë me kaq. Do përgatitemi, të vazhdojmë përpara për kualifikimin në Evropian.” Panuçi foli edhe për gjendjen e skuadrës gjatë këtyre ditëve. ” Jemi ballafaquar, kemi folur, arritëm të gjejmë pikat ku gabuam, dhe arritëm të vazhdojmë përpara në fitore. Unë di që djemtë i kam pas krahëve, i kam me vete. Nëse do e dija që nuk do ishin me mua, do largohesha.”-u shpreh trajneri i Shqipërisë.