Një situatë e paprecedentë dhe e mbushur me akuza të forta po zhvillohet rreth trajtimit të liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili po përballet me kushte të ashpra të një izolimi ekstrem.
Raportohet se administrata e burgjeve, pa asnjë shkresë apo justifikim ligjor, ka bllokuar në mënyrë të përsëritur takimet e deputetëve me të paraburgosurin, pavarësisht lejeve të posaçme të lëshuara nga vetë SPAK.
Ky veprim po cilësohet si një shkelje flagrante e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe në kundërshtim të hapur me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Akuzat drejtohen drejtpërdrejt ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë urdhër me frikën nga fuqia elektorale e opozitës dhe tentativat për shantazh.
Sipas pretendimeve të ngritura nga Sekretari i Pergjithshëm Tedi Blushi, gjatë një deklarate shtypi, dosja e hetimeve është plotësisht boshe. Theksohet se pas më shumë se tre dekadash mbikëqyrje, nuk është zbuluar asnjë provë penale, asnjë kundërvajtje administrative dhe nuk është gjetur asnjë pasuri e paligjshme.
Në vend të transparencës, është ngritur shqetësimi se procesi gjyqësor po bunkerizohet përmes rregulloreve të reja që censurojnë gazetarët dhe pengojnë publikun të shohë standardet reale të këtij gjykimi.Përballë kësaj situate, e cila po trajtohet si një farsë e mirëfilltë politike, thirrje emergjente i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe institucioneve ndërkombëtare në Tiranë për të ndalur zbatimin e porosive të paligjshme.
Përplasja pritet të marrë një tjetër dimension, pasi rasti është drejtuar tashmë për në Gjykatën e Strasburgut, aty ku opozita paralajmëron një fitore të pashmangshme kundër presioneve të pushtetit.






















