Vdekjet pas vaksinimit me vaksinën kineze shtojnë dyshimet te qytetarët: Boshatiset qendra e vaksinimit në sheshin Skënderbej

87
Sigal

Entuziazmi ia ka lënë vendin stepjes dhe vaksinodromi i ngritur në sheshin Skënderbej është boshatisur pas njoftimit se dy persona kanë humbur jetën pasi kanë marë dozën e parë të vaksinës kineze CoronaVac. Fillimisht u raportua rasti i një 74 vjeçareje nga Berati, Donika Babunja, e cila vdiq një ditë pasi ishte injektuar me dozën e parë të vakzinës kineze të prodhuar në Turqi. Ndërsa të njëjtin fat përsoi edhe një 88 vjeçar nga Tirana dy ditë pasi ishte vaksinuar.

Natyrisht me njëherë pas këtyre lajmeve të hidhura, Komiteti i Ekspertëve i ngritur për vlerësimin e efekteve të padëshiruara pas vaksinimit, i kryesuar nga prof. dr. Gjeorgjina Kuli/Lito, u kujdes të theksonte se “2 rastet e fatalitetit të pacientëve të cilëve u ishte aplikuar vaksina, nuk kanë lidhje shkak-pasojë me aplikimin e vaksinës”.

Por, nëse nuk është shkencërisht e provueshme që dy humbjet e jetës kanë ardhur nga injektimi i dozës së CoronaVac, garanci nuk ka as hipoteza e kundërt. Pasi deri më tani nuk ka studime shkencore dhe të mirfillta lidhur me ekeftet anësore të tre vaksinave kineze që tashmë janë miratuar në këtë vend, por ende nuk janë çertifikuar sa nga agjensitë europiane as nga ajo amerikane e barnave.

Një mosbesim ndaj vaksinës kineze ka shfaqur edhe një nga shkenctarët shqiptarë që po e ndjek nga afër fushatën botërore kundër pandemisë, pasi jeton e punon në SHBA, Arban Domi.

“Rezervat e mia dhe të disa specialistëve bazohen në faktin se është një vaksinë e cila nuk ka asnjë informacion, që nuk është në fazën e tretë për përdorim të popullatës. Them se është e shpejtuar kjo vaksinë në Shqipëri. Së pari, është mosnjohja e të dhënave të sigurisë nga EMA dhe mosçertifikimi. Diferencat e efikasitetit që në të tria rastet klinike shkojnë nga 50-91 për qind, tregojnë për një problem serioz në efikasitet, dhe pika e tretë, duke e marrë efikasitetin e saj, nuk e shoh të mjaftueshme për të realizuar imunitetin e tufës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë”, shpjegon Domi duke apeluar shqiptarët e sapovaksinuar me vaksinën kineze të mos e konsiderojnë veten të imunizuar.

Kompania Sinovac që e ka prodhuar këtë vaksinë përdor teknologjinë më të vjetër të vaksinave, përkatësisht vaksinat e virusit të inaktivizuar. Ato administrojnë një version të vrarë të virusit të sëmundjes duke synuar që me anë të injektimit të shkaktojë një përgjigje të imunitetit. Ato ruajnë fuqinë imunogjene të virusit duke hequr fuqinë e tij patogjene që e inaktivizojmë me metoda të ndryshme (nxehtësi, kimikate) në mënyrë që të mos jetë më virulente, që të mos shkaktojë më sëmundjen ndaj së cilës administrohet vaksina, por që shkakton një përgjigje imune nga prodhimi i antitrupave kanë shpjeguar drejtuesit e kompanisë kineze.

Duke nisur nga fakti se ajo është përdorur masivisht në Kinë, Turqi dhe Brazil autoritetet shqiptare vendosën ta aplikojnë edhe tek ne, në prag të fushatës elektorale. Në fillim vaksina u prit me entuziazëm. Nga 30 marsi deri dje statistikat zyrtare treguan se numri i të vaksinuarve në vend kishte shkuar nga 100 mijë në 150 mijë.  Por, pas njoftimit për dy vdekjet skepticizmi për të është shtuar maksimalisht. Këtë e treguan edhe fotot e vaksinodromit të boshatisur në ditën e sotme.