Shqipëri-Serbi, Zariç takon Dukën: Ballkanasit e kanë traditë mikëpritjen

480
Ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë Miroljub Zariç, ka qenë sot në mesditë për një takim pune në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai është pritur nga Presidenti i FSHF Armand Duka. Në qendër të bisedimeve ka qenë ndeshja e 8 tetorit, Shqipëri – Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Takimi ka qenë informues dhe pas përfundimit të tij, ambasadori serb dhe Presidenti i FSHF, u janë përgjigjur interesimit të mediave. “Ishte kënaqësi që u pritëm në këtë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sigurisht biseduam për ndeshjen e ardhshme mes dy kombëtareve tona.
Kemi besim tek institucioni i futbollit shqiptar dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mjaft mirë, në këtë ndeshje. Falenderoj Presidentin Duka për pritjen dhe angazhimin e tij”-u shpreh ndër të tjera ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë, Miroljub Zariç.
Ndërsa Presidenti i FSHF Armand Duka u shpreh se: “Ky ishte një takim me karakter informues, në lidhje me ndeshjen e ardhshme Shqipëri –Serbi. Shkëmbyem informacione të nevojshme dhe biseduam në frymën e bashkëpunimit, në mënyrë që të kalojë sa më mirë zhvillimi i saj”.
Më pas ai ka vazhduar: “Kemi një muaj që kemi nisur punën në lidhje me organizmin e kësaj ndeshjeje. Unë kam bindjen se gjithçka do të shkojë mirë dhe i bëj thirrje të gjithëve, që të na mbështesin për këtë. Tifozët shqiptarë, nuk kanë qenë asnjëherë problematikë si brenda edhe jashtë Shqipërisë.
Duke bashkëpunuar, do të arrijmë që gjithçka të kalojë pa problem”- u shpreh ai. Më pas Presidenti i FSHF ju përgjigj interesimit të madh të gazetarëve për momentin që po kalon futbolli shqiptar, i cili u shoqërua me një seri pyetjesh, në lidhje me ekipin kombëtar, ndeshjen e fundit me Portugalinë, ndeshjet e ardhshme etj. 
Sigal