Shehi: E ndjeja se do fitonim me golin e Xhixhës, çfarë i thashë atij dhe arbitrit

242
Sigal

Tirana arriti një fitore të madhe në derbi, mposhti Partizanin për të dytën herë radhazi dhe e mbylli vitin 2021 në krye të kampionatit me 33 pikë, pesë mbi Kukësin dhe gjashtë më shumë se Laçi.

Trajneri i skuadrës bardheblu, Orges Shehi, analizoi suksesin 2-1 kundër Partizanit, duke vlerësuar paraqitjen e djemve të tij në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Sigurisht që jemi të lumtur, më vjen mirë që kemi bërë të lumtur tifozët tanë, ata që ishin në stadium dhe ata që nuk ishin. Unë mendoj që jemi shprehur mirë, kemi qenë gjithmonë në krye, skuadra është shprehur mirë. Jemi meritë këtu, të vazhdojmë me këtë mentalitet dhe këtë ritëm.

Skuadra është e fortë dhe solide, por kemi gjëra për të rregulluar, pasi nuk jemi perfekte. Kjo është ndeshja më emocionuese, për shkak të derbit, për shkak të mënyrës se si erdhi loja dhe pozicionit që kemi.

Reagimi te përsëritja e penalltisë? I thashë gjyqtarit: me standard Champions League e mbajte këtë? Më tha që është futur Hoxhallari në zonë. Më pas i kërkova falje.

Kur shkon në një klub të madh si Tirana, ka njerëz që janë pro dhe të tjerë që janë skeptikë. Ndoshta ka ardhur prej faktit që karriera ime si trajner nuk është e gjatë.

Dëgjoj shumë fjalë, por nuk ndikohem fare, madje më motivojnë për të vazhduar punën. Doja t’u tregoja njerëzve që edhe unë bëj për Tiranën. Kisha besim se Xhixha do të shënonte sot. E falënderoj atë dhe Pergjonin.

Kisha besim se Xhixha do të ishte njeriu i ndeshjes. I thashë në pushim: do e shënosh ti golin e fitores! Humbi të gjithë rastet, rëndësi ka që për mua del përpara portës…

Toli? I kam thënë që të rrinte afër dy qendërmbrojtësve, që të ishte diga përpara mbrojtjes. Gabuam në disa momente në vajtjen në presing, pasi kishim pak kohë për ta përgatitur ndeshjen, sepse nuk e dinim si do luante kundërshtari. Toli e bëri shumë mirë detyrën e tij”, përfundoi trajneri i Tiranës.