Rrëfimet e Profesorit Hektor Bregasi: Mysafirët e futbollit në Skraparin ku mikpritja është institucion

1347
Sigal

Nuk e di në qytetet e mëdha apo në ekipet e tjera, por ajo që ishte krejtësisht autentike ishte mikpritja e atij populli për mysafirët dhe veçanërisht për ne futbollistët

Historia e hershme na mëson se në Angli apo Rio, rrugicat kanë qenë inkubatorë futbollistësh. Korça i ka me tepri të tilla…, pse jo, ndoshta edhe ato kanë “kontribuar” që, që në fillesat e para “pedagogjiksi” të inkuadrohej në ekipet e kalamajve të lagjes, ato të shtëpisë së pionierëve për të mbërritur më tej deri tek ekipi i të rinjve të Skënderbeut i viteve 1956-’57. Për një vit do të ishte sulmues i atij Skënderbeu junior që kishte në përbërje të famshmit e Skënderbeut të mëvonshëm si Aleko Pilika apo Todor Vaso etj. 17 vjeç nuk do të mbaronte vetëm Pedagogjiken, por në start të tij edhe futbollin. Dëshira për të “liri” familjare dhe për të dalë jashtë Korçe do t’ia zeronte termin “internim” të atij emërimi në një vend aq të largët dhe të panjohur siç qe Skrapari. Fati do të donte që së bashku me 5 shokët e klasës Sherif Merdani, B. Stefa, Th. Bicolli, dhe Janko Ballamaçi “të merrnin rrugën varg përpjetë, si çetë e vogël me pesë vetë. Të gjithë petrita dhe djem të rinj, për në Skrapar jeta u prij”. Në 20 Gusht 1957 Hektori do të largohej nga shtëpia dhe Korça për mos t’u kthyer më deri në ditët e sotme. që jeton në Tiranë. “Goditjen” e parë të një optimizmi të absurd do ta merrte kur do të mbërrinte në Berat dhe për hotel së bashku me “çetën” do të merrnin Hanin “Shpiragu” me “komoditetin” që vetëm hani ta ofron! Mbi 15 veta kemi fjetur në tokë dhe me mbulesat tona – tregon profesori. Më tej odiseja do të merrte kreshendon e vështirësive për t’ia rrëzuar stoicizmin e optimizmit vetëm dy ditë më vonë. Gjithsesi nga biseda lexoj se është një “optimizëm” që ka të bëjë më shumë me pathyeshmërinë e karakterit fanatik për të mos u dorëzuar, se sa me një optimizëm të vërtetë. “Autobusi”, ZIS me karroceri do të ishte “mikpritja” e radhës e “çetës”, që gjithsesi me serenatat korçare të Sherifit dhe Thanasit do ta zbuste sadopak atmosferën. Kolegët e ardhshëm E. Qafa dhe T. Salepi do t’u përcillnin “instruktazhin” e parë por edhe do të i inkurajonin për ta kaluar lehtë këtë “aventurë” të panjohur. Skalioni i parë i patriotëve mësues të kryesuar nga Koço Bixha së bashku me A Bardonjën (shef arsimi) do t’u uronte mirëseardhjen. Hektori tregon se – Emërimet na i komunikuan të nesërmen. Unë me Bertin do të mësonim nxënësit në Faqekuq dhe Kapinovë. Mbaj mend që kur e pyetëm shefin, se ku binin këto fshatra, na i tregoi jo sikur ishin 10 orë larg, por sikur ishin mbrapa një kodre që dukej që nga zyra dhe që ishte jo më shumë se 1 orë! Gjithsesi të nesërmen me rrobat në krah u nisëm drejt destinacionit. Shiu na shoqëroi që në mëngjes. Edhe Zoti ka qarë pa pushim atë ditë, nuk mbaj mend në jetën time të kem parë aq shumë shi, sikur e ruajti për ne…! Nga lart bashkë me shiun binin edhe gurë dhe shpella të mëdha nga shpatet e maleve,- tregon me plot “optimizëm”, profesori “faqekuqas”. Ishim të rinj, ankthi u trazua me frikë. Si ka mundësi, çfarë ishte kjo kështu…?! Nuk mjaftonte shiu, po ne nuk po shikonim këmbë njeriu. Kur afrohemi qëndrojmë tek një mulli veç respekti dhe mikpritja e mullixhiut na e zbuti sadopak mërzitjen dhe lodhjen. Mbasi u qetësuam dhe u çlodhëm shkuam te Kryetari i Këshillit, një zotëri burrë. Bujtja e miqve ishte një ngjarje për të zotin e çdo shtëpie, sikur zakoni në darkë erdhën vëllazëria, komshinjtë, të lagjes, a thua, jo sikur kishin ardhur ca çunakë nga 17 vjeç, por vetë Zoti. Ne ishim fëmijë dhe nuk njihnim traditat, gjithsesi ata na respektuan sikur të ishim burra zakoni. Partia ishte perëndia, dollitë kishin një refren “Parti e gjithë Bota”. Çka do të thoshte se e gjithë Bota duhej të ishte si Partia jonë! Ishin njerëz të mrekullueshëm dhe teje dashamirës. Nuk mjaftonin gjithë ato peripeci, por në mënyrë të pafajshme një fshatar do të thoshte – Kapinova (e egër) është Myzeqe, po në Faqekuq njerëzit rrinë 6 muaj të “ngujuar” nga dëbora. Kjo do të më “vriste” jo pak, kurrë nuk do ta mendoja se kishte më keq se kaq. E vërteta është se optimizmi kishte filluar të merrte tatëpjetën. Të nesërmen mësuam Faqekuqin, bëmë regjistrimin dhe u nisëm për në Korçë. Rrugën nuk e ndjenim se po ktheheshim në shtëpi. Për atë që përjetova duhej ta kaloja me veten. Mbas disa ditësh në Korçë kthehemi përsëri për në punë. Në Faqekuq nuk mund të shkoja, kisha ditë që mendoja. Me kurajë dhe dorë në zemër i kërkova shefit, që të më bënte një nder duke më çuar kudo veç të më largonte nga Faqekuqi. Gjeta ngrohtësinë prindërore të shefit, i cili më transferoi në Gjerbës. Nuk mund të kishte gëzim më të madh… Ishim aq të vlerësuar dhe respektuar nga ata njerëz sa e harruam largësinë nga prindërit, edhe pse ishim të kërthinj. Mosha i sfidon marrinat, në fundviti së bashku me kolegun J. Ballamaçi në mes borës dhe ujqërve nisemi për në Korçë në këmbë nga Qafa e Gjarpërit. Nata na zë që në Zerec…, natë dhe ulërima ujqërish. Kërkuam strehim në familjen më të parë, por morëm ftohtësinë e pa parashikuar. Nga rreziku i ujqërve, Janko më thoshte ta kalonim natën në pemë pa e përfillur fare të ftohtin dhe orët e gjata të natës dimërore…! Gjithsesi ia hodhëm, na strehoi Kryetari i Këshillit. Nuk mund ta imagjinoja atë sjellje në cilindo fshat të Skraparit edhe Greku t’u bujte në shtëpi do ta thernin dashin dhe të nesërmen do ta zbonin… Edhe pse një mal e ndante Skraparin, aty ishte botë tjetër. Nuk e di a do mund të qëndronim aq larg sikur mos ndienim atë ngrohtësi në Skrapar! Ishim aq të vlerësuar sa nuk kishte festë gëzim apo hidhërim pa qenë të ftuar. Në vitin 1958 Janko e la arsimin, por unë nuk e ndjeva këtë boshllëk. Largohem nga Gjerbësi, në Maj të viti 1959, shkak u bë një kurs kualifikimi në Tiranë dhe unë e shfrytëzova për të konkurruar në Institutin e Arteve për aktrim. Ishte një pasion i hershëm. Një miku im më orientoi tek i madhi Kujtim Spahivogli aty ku bëra edhe 4-5 ditë prova me të dhe në konkurs kam fituar që në raundin e parë. Mbaj mend që kam recituar vargjet e Nolit dhe trajnimi i Spahivoglit ishte brilant. Nuk ishte e thënë, sepse përgjigja negative nga Skrapari do të ma ndërpriste ëndrrën, gjithsesi edhe kjo e pati një anë “pozitive” sepse do të më transferonin në Çorovodë, pse jo ndoshta për të justifikuar edhe përgjigjen negative. Krahas mësimdhënies tani do të organizoja edhe grupin e estradës. Po ky rast më ktheu edhe pasionin e vjetër të të luajturit futboll. Ishte koha kur në qytet zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, si ndeshje futbolli dhe volejbolli kryesisht. Spartakiada e Parë Kombëtare e kishte gjallëruar jetën sportive në vend, por jo vetëm. Në këtë spartakiadë në nivelet e para morëm pjesë edhe ne si rreth, në disa gara në disiplina të thjeshta, por që nuk patëm sukses nuk u kualifikuam. Ishte koha kur një grup nismëtarësh i kërkuam Kryetarit të Komitetit H Sevdari, që të plotësonte dokumentet për të regjistruar zyrtarisht ekipin e futbollit, sepse ndeshje futbolli tek fusha kishte vite që organizoheshin. Gjetëm mbështetjen maksimale të drejtuesve dhe veçmas të Sali Satkës që mbulonte arsimin dhe sportin, A. Badronjës, E. Qafës si dhe Muharrem Bregut që ishte një djalë i shkathët dhe dashamirës i futbolli, u mblodhëm dhe krijuam ekipin e parë të “5 Shtatorit”. Me propozimin e mësuesve të Beratit morëm edhe trajnerin e parë Llukan Monka, një futbollist i suksesshëm i “Tomorrit” por me nivel arsimor të ulët. Deri në atë kohë punonte këpucar. I plotësuam të gjitha kushtet e trajnerit duke i akorduar një rrogë të konsiderueshme. Kam luajtur për 4 vjet me “5 Shtatorin”, edhe pse kisha luajtur sulmues me të rinjtë e Skënderbeut, nevoja më thërriste të luaja qendërmbrojtës. Nuk e di në qytetet e mëdha apo në ekipet e tjera, por ajo që ishte krejtësisht autentike për Çorovodën është mikpritja e atij populli, për mysafirët dhe, veçanërisht, për ne futbollistët. Në Çorovodë kishte një përkujdesje të jashtëzakonshme si nga populli i thjeshtë deri tek udhëheqja lokale. Ishim tejet të vlerësuar dhe respektuar…! Në Skrapar mikpritja është institucion. Nën drejtimin e trajnerit Monka dhe i ndihmuar nga E. Qafa që kishte një eksperiencë në futbollin e luajtur, por edhe se ishte më me eksperiencë edhe nga mosha. Kemi bërë më të mirën e mundshme. Bënim stërvitje që ishin të karakterit të ndeshjeve të kontrollit, ku dua të theksoj se kishte gjithmonë popull që na ndiqte, ndërsa kur kishte ndeshje zyrtare tifozerisë i shtoheshin edhe femrat që përbënin tifozerinë më të zjarrtë. Kemi luajtur me pasion dhe dëshirë për të bërë më të mirën.

Ajo që dua të theksoj është se, të gjithë ishim shokë të mirë dhe kishim unitet. Kishim mbështetjen e drejtuesve të kohës. Krahas futbollit duhet edhe të gjallëronim jetën artistike. Vërtetë nuk kemi arritur rezultate të larta por jemi përfaqësuar gjithnjë dhe në rritje duke luajtur me shpirt dhe sedër. Nga viti 1962 në Çorovodë vjen për një Konferencë partie Ministri i Arsimit Thoma Deliana. Ishte një personalitet i lartë. U njoh me të gjitha hallet tona E pa realitetin e kushteve të mësuesve dhe kur mësoi që aty kishte mësues që kishin nga 8 vjet, u skandalizua. Na premtoi se ata që kishin mbi 3 vjet do të transferoheshin në vitin tjetër. E mbajti fjalën. Ishte zotëri i jashtëzakonshëm Ardhja e tij ishte një fat i madh për ne mësuesit, sepse ndikoi, jo vetëm në përmirësimin e kushteve, por jo pak për transferimin tonë. Për mua ishte diçka më specifike, se njohja me të bëri që vitin tjetër ‘ti kërkoja mundësinë që të konkurroja për dramë. Kam konkurruar dhe përsëri kam fituar. Për arsye të biografisë, e cila nuk lejonte që një i deklasuar të dilte në skenë, mirëkuptova që në këmbim të pranoja të lija Institutin për Gjuhë-Letërsi. Të cilin e mbarova në 1967. Dushku i Lushnjes do ishte stacion i radhës dhe i fundit i shtegtimit 33 vjeçar. Më tej mbas vitit 1991 do të bëja shefin e arsimit në Tiranë dhe së fundi në drejtorinë e Doganave, ndërsa tani qytetar i nderuar amerikan…

Ilir J. Hoxha